Stina e nxehtë rikthen edhe problemin e mungesës së gjakut për qindra pacientë talasemikë, po ashtu edhe për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera. Sipas autoriteteve shëndetësore, situata paraqitet tejet shqetësuese në drejtim të fëmijëve talasemikë, të cilët kanë nevojë të theksuar për marrjen e gjakut në mënyrë të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe.
Janë rreth 170 fëmijë talasemikë në mbarë vendin, deri në moshën 14 vjeç që kanë nevojë për gjak për t’u mbijetuar pasojave të sëmundjes që kanë. Kundrejt kësaj situate, pikërisht në periudhën më të vështirë të vitit, kur rritet nevoja për mbulimin me gjak, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me stafin e saj ka çelur sot fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut nën moton “Mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë!”.
“Fushata do të shtrihet në të gjithë vendin deri në datën 4 korrik, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave me gjak, posaçërisht për fëmijët talasemikë. Referuar të dhënave të raportuara nga strukturat e shëndetit, rezulton se ne kemi 10.7 dhurime për 1000 banorë, ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha”, shkruan Dita.
Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë.
Përse 10 minuta? – Kaq kohë ju duhet për të dhuruar një njësi gjak ose 400–450 mililitra gjak
Pse shpëtoni 3 jetë në 10 minuta? – Sepse në një njësi gjak që ju dhuroni ju shpëtoni 3 jetë nëpërmjet ndarjes së tij në komponentë dhe produkte të tij si rruaza të kuqe, plazëm dhe trombocite.
Dhurimi i gjakut nevojitet për:
Dhurimi i gjakut nevojitet për gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes, fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vijnë nga malaria dhe kequshqyerja, njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike, për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme.
Gjithashtu gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi, etj. Lidhur me pyetjen se kush mund të dhurojë, mjekët thonë se dhurues mund të bëhet çdo person, i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18-60 vjeç.
Sa shpesh mund të dhurojmë gjak:
Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj (me miratimin e prindërve). Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut. Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj.
Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%). Marrja e gjakut zgjat rreth 5 deri 8 min, dhe kryhet me materiale mjekësore sterile dhe njëpërdorimshe. Sasia e gjakut të dhuruar zëvendësohet brenda pak orëve, ndërsa duhen rreth 20 ditë që të rifitohet numri normal i qelizave.
Çfarë duhet bërë para dhe pasi dhurohet gjak:
Ditën që do të dhuroni gjak hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit (peshën, rrahjet e zemrës, tensionin, hemoglobinën), dhe do të kryej një bashkëbisedim të shkurtër me qëllim përpilimin e një pyetësori, gjë që përcakton aftësinë dhe pranimin për dhurim të gjakut.
Ja kush nuk mund të dhurojë gjak:
Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:
- Sëmundje kardiovaskulare
- Sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz)
- Kryer transplante
- Diabet insulinovartë
- Sëmundje autoimune
- Tumore malinje
- Epilepsi
- Sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës
Përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:
- Marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7 ditore me antibiotik.
- Kollë dhe dhimbje fyti.
- Kryer një ndërhyrje kirurgjike brenda vitit.
- Gratë gjatë shtatzënisë dhe një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual.
- Bërë tatuazhe apo pircinge në 4 muajt e fundit.
- Marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjike.
- Bërë një vaksinë.
- Kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme.
- Alergji të ndryshme në fazën akute.
- Kryer ekzaminime endoskopike.
p.k/dita
