Puna e derikëtushme që ka kryer Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me aq shumë pasion, ngulmin e përkushtim të pashterur u flet bashkëqytetarëve me zërin e vet. Nuk na duhet shumë se i çfarë force politike është ai. Njerëzit nuk hanë e nuk shijojnë politikë, por frytet e punës që secili kryen prej nesh. Sigurisht në rrugë dalin edhe trungje, gurë, stisje e pengesa të shumëllojta, që duhen kapërcyer, si ai atleti në garë, gjithnjë me guxim dhe me …punë. Ato që premton (pa të detyruar askush), duhet t’i bësh realitet e jo të thyhesh e të tërhiqesh dhe mbas një farë kohe të humbur, të nisësh përsëri startin, se kështu nuk shkon hiçgjëkundi.
Lexova diku për historikun e Kullës Ejfel në Paris, e ngritur nga një inxhinier francez, më 1889, mbi 300 metro e lartë e me 1710 shkallët e saj, që sot është një nga simbolet e kryeqytetit. Dhe kur ajo ngrehinë e hekurt hidhte shtat, 300 intelektualë, nga më të shquarit e kohës, u ngritën kundër saj. Ndërkaq punimet vazhdonin… Më pas aty shkonte elita e kryeqytetit, madje edhe vetë ata që e kundërshtuan lartësimin dhe përfundimin e veprës. Gjer më sot kulla e famshme është vizituar nga qindra milionë njerëz të ardhur nga gjitha bota. Fiton e duhet të fitojë progresi, e mira dhe jo prapambetja, meskiniteti, smira, keqdashja…
