Një shoku im, mësues në arsimin shtetëror, kishte pirë dje dhe ishte bërë tapë! U çudita kur e mora vesh, ngaqë e di që nuk është tip që i pëlqen të pijë… Sot në mëngjes i telefonova dhe lamë takim për kafe. U ulëm diku dhe pa vënë akoma filxhanët e kafes në buze, nuk mu durua dhe e ngacmova menjëherë për te djeshmen… Reagimi ishte një psherëtimë si për të thënë “ç’na kujton tani” dhe me pas vijoi ky tregim:
“Dje ne mëngjes drejtori thirri në një mbledhje urgjente gjithë mësuesit! Menduam ndonjë aktivitet për fundvitin, ndonjë masë sigurie lidhur me ç’ndodhi në SHBA ku u vranë fëmijët në shkollë, ndonjë diskutim si ta zgjidhim problemin e ngrohjes në klasa tani që u ftoh dhe koha, apo ndonjë gjë tjetër me rendësi… Kishte pak qe ishim ulur të gjithë te salla e mësuesve kur mbërriti drejtori. Dukej që ishte i shqetësuar… Hoqi pallton, e hodhi mbi karrige, ngriti kokën dhe atëherë vura re që ishte i djersitur dhe mjaft i zbehtë… Foli:
“Të nderuar kolege, u kam thirrur për një çështje të një rëndësie te veçante dhe emergjente! Sapo mbaruam mbledhjen urgjente te Prefekti, ku ishin të gjithë drejtoret e shkollave të qytetit…Po ua them me pak fjale…”, u mbush me frymë, na hodhi një shikim të gjithëve dhe pas një momenti heshtjeje (që ne na u duk një pafundësi) tha ato fjale, që nuk do t’i harroj kurrë sa të jem gjallë… “Duhet se s’bën t’i bëni like në Facebook kryeministrit Sali Berisha! Vlen sa vendi juaj i punës”.
Heshtje…. I pari e theu heshtjen kolegu im i fizikes, Shefqeti, i cili tha: “Me leje drejtor, po ç’është kjo faqebukur?!”.
“Po c’faqebukur o ditëzi!! Facebook thashë, nga ai që ka në internet!”
“Ah, më fal drejtor, se nuk e dëgjova mirë… po unë nuk kam fare Facebook…”
“Hape Shefqet, ça pret! Apo je lodhur gjë nga puna e do të dalësh në pension?”
“Mos o zot! Ç’është ajo fjale drejtor! Po unë vetë nuk di si hapet ky Facebook-u…t’i them njëherë time shoqeje Qerimesë, mbase di ajo…”
“Qerimese, Hatixhese, Ervehese apo kujt të duash thuaji, vetëm hape e bëji like Saliut! OK? Sipas urdhrit të dalë nga goja e Prefektit, nga shkolla jone duhen 1000 like deri të martën, prandaj tani lëshohuni te nxënësit! Mbushini mendjen atyre qerratenjve që duhet se s’bën të futen te faqja e kryeministrit! Po qe nevoja edhe kërcënojini që do i ngelni në provime!
Ja pra pse piva dje… dola nga shkolla, i bëra like kryeministrit dhe shkova për të pirë që të harroja faktin që në njëfarë mënyre, tashmë mund të quhem shok me Sali Berishën! Shok me Saliun!!! Puuu-puuu-puuuu…
1 Comment
Nuk besoj te jete e vertete, por nese po.. Kryeministri ben mire te marre masa, pasi kjo eshte nje akuze e rende qe cenon te drejtat themelore te individit.