Lufta kundër paracaktimit të rezultateve dhe të ardhurat rekord për vitin 2015. Këto ishin pikat kryesore të Asamblesë të Përgjithshme të Zakonshme në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Theksi te beteja kundër trukimeve u vu nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që saktësoi se në krahasim me një vit më parë, dyshimet për trukime janë 100 herë më pak.
“Duhet të evitojmë hedhjen e baltës edhe nga vetë protagonistët e lojës, pasi kjo dëmton imazhin e produktit tonë të përbashkët. Në vitin 2015 realizuam shumë investime, me stadiumin në Shkodër dhe punimet që pritet të nisin për Arenën Kombëtare në Tiranë.
Por, më e rëndësishme është beteja jonë kundër trukimeve. Në krahasim me një vit më parë, dyshimet për trukime janë 100 herë më të vogla”, theksoi kreu i FSHF-së.
Beteja për një futboll të pastër u komentua edhe nga kreu i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, që saktësoi se mbi 30 për qind e rasteve të hetuara janë regjistruar edhe për procedim penal.
Ai tha: “Gjatë këtij viti Komisioni i Etikës ka marrë në shqyrtim disa raste të trukimit të ndeshjeve, duke ndëshkuar lojtarët dhe ekipet që kanë ndikuar në influencimin e rezultateve të ndeshjeve.
Vlen të theksohet se në më shumë se 30 për qind të rasteve të hetuara nga Komisioni është bërë evidentimi i natyrës së shkeljes dhe është regjistruar procedim penal”.
Përsa i takon financave të Federatës, sipas raporteve të vitit 2015 ajo janë cilësuar të shëndosha, ndërsa përfitimet kanë qenë rekord. “Të ardhurat e Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 2015 kanë qenë në vlerën mbi 1 miliard e 600 milionë lekë. Bëhet fjalë për një rekord absolut në historinë e institucionit. Raporti financiar është realizuar nga kompania e pavarur audituese”, pohoi Duka.
Gjatë Asamblesë së FSHF-së u votua për mandatin 2-vjeçar të Komisionit të Etikës, ku Fatmir Braka, Bejkush Birçe, Ardian Leka dhe Bashkim Koka u konfirmuan, ndërsa anëtari më i ri do të jetë nëndrejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Agron Kuliçaj. Punimet e Asamblesë u përshëndetën ndër të tjerë nga zv.presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi, që në fjalën e tij theksoi: “Falenderoj ekipin Kombëtar, lojtarët dhe stafin me në krye trajnerin Gianni De Biasi për kualifikimin historik në Kampionatin Europian.
Kosova do të jetë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë dhe trajnerit De Biasi, ashtu si Federata Shqiptare ka qenë iniciatore për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar”.
Për kualifikimin në Euro 2016, pas çmimit “Pankina e Artë Speciale” në Itali, trajneri De Biasi u vlerësua edhe si “Nderi i Kombit në Futboll”. I njëjti çmim iu rezervua edhe legjendës Refik Resmja. Për çmimin e marrë tekniku italian i kuqezinjve deklaroi: “Jam më i emocionuar se zakonisht, për këtë çmim të rëndësishëm, që nuk është vetëm i imi, por edhe i lojtarëve, stafit dhe Federatës me në krye presidentin Duka. Shpresoj që në Francë të bëjmë diçka edhe më të rëndësishme. Nuk do të jetë e lehtë, por do të provojmë”.
Me tituj “Nderi i Futbollit Shqiptar” u vlerësuan edhe Mikel Janku e Sokol Kushta, për Shkëlqim Muçën dhe Ylli Shehun u akorduan titujt “Legjendë e Futbollit Shqiptar”, ndërsa “Titulli i Mirënjohjes” iu dha Andrea Markos dhe Krenar Alimehmetit.
