Federata Shqiptare e Futbollit ka paditur për shpifje deputetin socialist Erion Braçe. Ky i fundit shkoi sot në Gjykatë në seancën e pajtimit dhe kërkoi që gjyqit t’i shkohej deri në fund.
Erion Braçe është deputeti i radhës që është paditur në Gjykatë për shpifje dhe fyerje. Por ndryshe nga padite ndaj deputetëve të tjerë, Braçe është paditur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka si dhe nga vetë Federata si institucion.
Në fokus të kësaj padie janë deklaratat që deputeti Braçe ka deklaruar apo publikuar në profilin e tij në rrjete sociale kundër presidentit të Federatës Duka, të cilin midis të tjerave e akuzon edhe për mospagim të detyrimeve.
Në padi janë regjistruar edhe thënie të tilla si llum i shoqërisë që Braçe ua dedikonte drejtuesve të federatës.
Edhe pse deputeti Braçe u paraqit në gjykatë ai nuk arriti dot të kapte orarin e gjyqit.
I pamësuar me proceset gjyqësore deputeti Erion Braçe u paraqit në gjykatë me 25 minuta me vonesë duke bërë që gjyqtari Arben Micko të shtyjë seance e parë atë të pajtimit.
Por me sa duket Braçe nuk ka humbur ndonjë gjë, pasi ka deklaruar se do t’i shkojë këtij gjyqi deri në fund.
o.j/dita
