Duke kujtuar 100 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Himarë

Ornela

Thoma Leka

     Panajot  Gjiknuri u lind më 25 korrik 1902 në Kudhës të Himarës, në derën e Gjiknure, një fis i njohur për bujari e trimëri në fshat, krahinë e më gjerë. Thanasi, i ati, ishte burrë i shtruar, i matur, por me shumë sedër. E ëma, Kostja, një grua e zgjuar, punëtore, por autoritare e rriti me adhurim të birin, se ishte fëmija i parë. Ata ushtruan cilësi, që ai i trashëgoi gjithë jetën. Burrë e grua i bashkuan fuqitë dhe e plotësuan edukimin e tij. Ai i dha sigurinë  të birit, ndërsa ajo  nxiti arsyetimin e sedrën për ta bërë kryelartë e me personalitet të fortë. Ishte e bija e Vito Lekës, që  luftoi nëpër botë e  dy vjet ishte fira҅, se e kërkonin turqit.

Panajoti u rrit në kohë ndryshimesh të mëdha, kur Himara pas shekujve të vrullshëm të historisë, kishte mbërritur në lartësinë e nderit dhe të lirisë. Dera e tyre e madhe priste e përcillte miq e luftëtarë, që lanë te fëmija i vogël gjurmët e  traditës, por edhe dëshirën për një jetë më të mirë. Burrë e grua vendosën ta arsimojnë, të bindur se  brezit do t’i jepnin shkëlqim.

Kishin ardhur kohë të tjera dhe njerëzit e mësuar do ta bënin me penë, atë, që të parët e bënë me pushkë. Ishin të sigurt që kishin në dorë një pasuri për familjen, fisin e më tej. Dhe nuk u kursyen, se ai ishte inteligjent e i paepur.

Panajoti u përkund në kujtimet e të parëve. I vinte si jehonë nga larg zëri i bëmave të Gjiknurit të parë, i mençurisë në kuvend e trimërisë së kapedan Kristo Vjero (Gjiknurit), i qëndrimit burrëror të kudhësiotëve në krah të luftrave e përpjekjeve legjendare të krahinës së Himarës.

E filloi në Kudhës shkollimin e kreu pesë klasë, që në atë kohë zhvillohej në gjuhën greke. Panajoti ishte një nga të rrallët nxënës, që bashkë me të kushëririn, Dhisevo Lekën e flisnin dhe e shkruanin si gjuhë kulture. Shumë vite më vonë e kujtonte me dhëmbshuri të kushëririn, i cili kish qenë i sëmurë. Ai, ishte shumë më i mirë nga ne,-thoshte shpesh.

Thanas Vjerua e Koste Vitja e shtynë drejt dijes dhe ai nuk u ndal kurrë, sa pati jetë. Ishin vitet e Luftës  I Botërore dhe  Italia hapi në Kudhës një shkollë fillore. Ҫuditërisht, Panajoti, mësoi dhe italisht në nivel cilësor për një kohë të shkurtër. I ndihmuar nga Foto Paskali mësoi të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. “Foto Paskali qe mësuesi im i parë i shqipes për disa shkronja më 1914 në Kudhës; them disa shkronja se unë, atëhere në klasë të pestë duke njohur dhe shkronjat latine nga mësimi i frëngjishtes, s’më pengonte gjë ta lexoja drejt e lirisht shqipen.”

(Panajot Gjiknuri, “ Të dhëna mbi arsimin  e shkollën e Kudhësit në shekujt e kaluar  deri në çlirim”, f. 19, dorëshkrimi origjinal, Arkivi Familjar, Tiranë, prill, 1977).

Klasën e gjashtë e të shtatë i bëri në mënyrë autodidakte, por niveli i përvetësimit ishte mbresëlënës. E dërguan në Athinë, ku arriti të kryente cilësisht shkollën e mesme e ku mori njohuri të gjera për gjuhën, kulturën, shkencën dhe letërsinë antike greke. Djalë i ri fliste frëngjisht, latinisht dhe greqisht. Me këmbëngulje kishte arritur të mësonte bazën e gramatikës të gjuhës shqipe.

Lufta I Botërore mbaroi, por siç ndodh rëndom pas tyre popujt çlirojnë energji në të gjitha fushat. Në fushën e dijes, Panajoti, ishte plotësuar për t’u bërë mësues. I arsimuar e me kulturë të admirueshme, më 19 dhjetor 1921, iu besua çelja e të parës shkollë në gjuhën shqipe në Kudhës. I kishte bërë përgatitjet dhe në ditën e parë të shkollës kishte triumfuar, se fëmijët e moshës shkollore bashkë me prindërit ishin prezent.

E kujtonte gjithmonë atë ditë e thoshte: “Fola para tyre, por më mbytën emocionet e nuk vazhdova gjatë, se mora në dorë të ardhmen e brezave. Mua, më ndihmoi shumë familja dhe unë të njëjtën do të bëja për këta fëmijë. Ky ishte motivi i brendshëm, motiv, që më shoqëroi gjithë jetën si mësimdhënës.”

Studioi çdo ditë e u kualifikua përmes kurseve, më 1925 dhe 1938, të organizuara nga Ministria e Arsimit. Në vijimësi rriti  nivelin shkencor e pedagogjik , përmes shkëmbimit të informacionit dhe arritjeve pedagogjike me Jani Mingën, Aleksandër Xhuvanin e Thoma Papapanon. Punoi si mësues në Kudhës, Palasë, Gumenicë, Dhërmi e kryemësues në Vuno. Pas vitit 1945 kontriboi si përgjegjës i arsimit në nënprefekturën e Himarës dhe për një kohë si drejtor i shkolles.

Në Tiranë u vendos pas vitit 1948, ku punoi si mësues në disa shkolla të kryeqytetit. Mësuesi erudit, njihte shumë mirë disa  gjuhë të huaja. Lexonte plot dëshirë letërsinë romake,  letërsinë antike greke, historinë e antikitetit e mitoilogjinë . Njihte shumë mirë letërsinë shqipe e sidomos autorët e Rilindjes, por nuk e ndali vrapin asnjëherë. Në moshën 63- vjeçare u diplomua në degën gjuhë-letërsi të Institutit Pedagogjik 2- vjeçar.

Nëse çdo mësues lë gjurmë te brezat me fjalën, dijen, informacionin dhe sjelljen, Panajoti i ka stampuar ato në shpirtin dhe karakterin e tyre. Më 1962, për këto, u dekorua me “Urdhëri i Punës i Klasit të Parë.” Panajoti jo vetëm i mësoi nxënësit e tij, por dhe i edukoi me dashurinë për lirinë, punën dhe njerëzit. Ata u bënë punëtorë, bujq, blegtorë e vazhduan arsimin e kohës në gjimnaz, shkolla teknike, shkollën tregëtare dhe kudo ishin cilësorë.

Nxënësit e tij janë shquar në detyra të ndryshme e veprimtari qytetare. Të gjithë u bënë antifashistë e prej tyre gjashtë flijuan jetën si dëshmorë, se ashtu ishte dhe mësuesi i tyre, antifashtist, patriot e luftëtar për progres në çështje madhore.

Mësuesi i Kudhësit ishte anëtar I shoqërisë “Bashkimi”dhe kishte letërkëmbim e kontakte të shpeshta me Halim Xhelon e Avni Rustemin. Mësuesi antifashist luftoi me armë në dorë. Ishte komandant i Batalionit territorial,  ku  u arrestua dhe u burgos tre muaj në Delvinë.

Si mësues ishte perfekt, por jo më pak si veprimtar social. Fëmijëve u nxiti bashkëpunimin, solidaritetin dhe nxënës e prindër rregulluan rrugët, mbollën pemë e lule. I mësoi fëmijët të hynin e të dilnin te njëri- tjetri dhe të punonin në grup. I nxiti prindërit të shkollonin brezat, se të shkolluar do të dinin më shumë e do të punonin më mirë.

Panajoti ishte burrë me personalitet të fortë. Fliste i matur në mjedise të hapura, por i qëndronte fjalës deri në fund. Është tipar i burrave himariotë, që shprehen të sigurt për ato që thonë. Qëndrimi ndaj Konventës Ekonomike të nënshkruar midis Shqipërië e Jugosllavisë për bashkëpunim doganor, barazimin e monedhave, krijimin e shoqërive të përbashkëta  e bëri refraktar. Ishte inteligjent dhe i shikonte gjërat larg. E quante të nxituar vendimin për ta shndërruar ekonominë e Shqipërisë në një shtojcë të ekonomisë jugosllave.

Ndonëse mendonte ndryshe pranoi të takohej me minatorët e Selenicës e t’u shpjegojë parimet e Konventës. Në mbarim të diskutimit njëri nga punëtorët pjesëmarrës e pyeti: ”Ne luftuam kundër gjermanëve e italianëve, pse duhet të vazhdojmë edhe kundër këtyre?” Panajoti iu përgjigj: “Edhe unë i këtij mendimi jam.“  Fjala e tij cënoi misionin dhe e arrestuan. Gjykata e dënoi me tre muaj burg dhe pa u kryer dënimi u përpoqën ta lirojnë nga burgu, por ai nuk pranoi. “Më thoni pse më dënuat”,- u tha dhe nuk doli. E vuajti dënimin tetë muaj. I dhanë pafajësinë, i dhanë dëmshpërblim dhe i thanë: “Të dënuam, se nuk  ke mbjellë tokën e bukës në Vumlo!” Panajoti pafajësinë e mori, por paratë e dëmshpërblimit nuk i pranoi.

Lidhjet me Kudhësin nuk i shkëputi asnjëherë. Kur takohej me drejtues të kohës u kërkonte që vajzave e djemve të mos u mohohej e drejta për t’u shkolluar. Nuk ka nxënës e studentë, që shkonin në Tiranë të mos e kenë takuar. Kur dëgjonte që ishte cilësor energjizohej dhe nuk ndalej. U sillte ne vëmendje historinë e brezave, se kudhësiotët janë arsimdashës. Nëse të rinjtë e Kudhësit bënin emër, ai ndjehej shumë mirë. Vinte në fshat dhe prindërit i vinte në “garë” për shkollimin e fëmijëve. Ishte kënaqësi ta dëgjoje tek fliste: “Kudhësi ka gjithë ato diploma të larta”.

Më shumë se qytetari kërkoi dhe traditën, të cilën e çmoi gjithë kohën. Hallet e shërbimet i çonin kudhësiotët në Tiranë, por nuk iknin pa e takuar. Nëse kishin kohë i merrte në shtëpi e kuvendonte me ta. I mbante për drekë, se Talo Nikja, zonja e shtëpisë , ishte grua fisnike dhe nuk u mërzit kurrë. Ishin familja që mbështeti fuqishëm Luftën Antifashiste (6 partizanë e tre dëshmorë), por pas luftës nuk dha asnjë opinion negativ për të penguar të tjerët. Nëse ndodhi kështu, kjo zë fill te humanizmi dhe vlerat e këtij burri të veçantë nga Kudhësi.

Panajoti mori shumë njerëz në mbrojtje edhe duke u përballur. Për fëmijët e Kostandos, vajzës së tij, që kunati i saj u largua në kohën e Luftës patjetër, po. Aleksandra dhe Loni kryen arsimin e lartë dhe dhanë kontribut si mësimdhënës. Në vitin 1971, Loni mbaroi mbaroi gjimnazin dhe Panajoti e dinte ç’i kishin shkruar. Erdhi në Vlorë e vajti në Komitet të Partisë. Kërkoi takim me Sekretarin e Parë. E dëgjoi zëvendësi i tij, por Panajoti nuk foli. Pasi ai këmbënguli, Panajoti i tha: “Kam ardhur të flas me një hanxhar!” Zëvendësi, e pa me habi dhe e pyeti: “Po ne ç’jemi?” Panajoti nuk e kurseu: “Jini  dhe ju, patjetër, por jini cojak (thikë e vogël).” E takoi Sekretarin e Parë të rrethit dhe Loni vajti në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Plaku i mençur jetoi gjatë, por rasti i tij ishte unik. Ishte i kudondodhur dhe atje ku duhej mendimi i tij,  kudhësiotët trokisnin te Barba Panoja, se ishte një enciklopedi pranë të gjithëve.

Në vitin 1970 e thirrën për të bërë platformën e historikut të Kudhësit. Erdhi në fshat dhe u dha mendime e ide të çmuara. Kaluan shtatë vjet e puna e Komisionit kishte mbetur në vend a  mbase e kishin të pamundur. Më 1977 Panajoti u dërgoi në Kudhës dy punime: ”Përmbledhje e shkurtër historike mbi të tejmen e fshatit Kudhës” dhe “Të dhëna mbi arsimin e shkollën e Kudhësit në shekujt e kaluar deri në Ҫlirim.” Materiali u kopjua nga Komisioni i përbërë nga pesë persona dhe sot origjinali gjendet në arkivin familjar.  Komisioni ishte zyrtar, por fshatit dhe historisë së tij nuk i shërbeu për gjysmë shekulli.

Në vitet e fundit ia trajtuam këtë temë Barba Panajotit. Ai nuk foli. Nuk dha asnjë opinion. Por, vërejtëm se u ligështua dhe diçka e lëndoi…

Pasioni i tij i pandalur për të kërkur informacion historik e gjuhësor zgjati shumë, mbase një jetë. Ndonëse ishte autoritar si mësimdhënës, la pas një det me dashuri për shkollën e njerëzit e mësuar, për nxënësit dhe fshatin. Brenda vetes nuk e pranoi asnjëherë mungesën e vullnetit për t’u arsimuar. Kështu i mësoi gjeneratat e këtë ëndërroi edhe për brezat në Kudhës. Ata, që mësuan me Panajotin, u bënë të ditur, të zotë e punëtorë.

Panajoti Gjiknuri ishte studiues në nivel të lartë. Kontriboi për historinë e fshatit, gjuhën, kulturën, ritet dhe filosofinë. Ai hodhi dritë mbi të drejtën zakonore, etnografinë dhe  marrëdhëniet e banorëve në shekuj. Ishte i pari, që foli me përgjegjësi për etnologjinë e fiseve të Kudhësit dhe gjeti deri në detaje  prejardhjen e fisit të tij.

Panajot Gjiknuri ishte model i intelektualit krijues dhe i njeriut të thjeshtë. Te ai gërshetohet burrëria tipike himariote, pesha e fjalës në publik dhe sjellja njerëzore. Ishte e pamundur të flisje me të dhe të kishe mendim tjetër. Ai e kishte “magjinë” e logjikës së ftohtë. Bisedat me kudhësiotët e arsimuar ishin një dialog i këndshëm. Kishte vërejtje për ndonjë emër, që ia sillnin në bisedë persona të ndryshëm. Qetë-qetë ju drejtua dikujt: ”Më vjen keq me ju intelektualët e Kudhësit, se shumë merreni me filanin, por duke ia  përsëritur emrin, pa dashur, i ngrini vlerat.” Bashkëfolësi u zu ngushtë, por shtoi dhe diçka tjetër. Këtu Panajoti, i tha: “More, djalë, nëse gabon edhe ai do të ndëshkohet. Kjo parti nuk bën be҅ për kokë të asnjërit, por vetëm për kokë të saj!”. Plaku i mençur kish folur qartë, por me nëntekst, se diktatura nuk lejonte dualitet…

Patriotizmi në kohë dhe kontributi në Luftën Antifashiste nuk e bënë konformist, përkundrazi. Ai e kishte me tepëri genin himariot, se ishte modeli i burrërisë, i shpirtit të lirë, që takohet rrallë. Në vitet e pas Luftës u përball shumë herë me udhëheqës të lartë të kohës dhe me kurajo u shfaq vetvetja. E qortoi varfërinë në rrugën e zhvillimit dhe në shumë raste nuk u pajtua. Nëse lufta e bëri antifashist, paqja pesëdhjetë vjeçare nuk e vuri në radhë.

Në vitin 1985, kur vdiq udhëheqësi kryesor i kohës, nuk e ngriti grushtin lart, por edhe modeli i ndryshimit e pezmatoi. “Turp për shqiptarët, që puthën llamarinat e makinës së Bejkerit”,- tha më 1991. Jo se ishte kundër Mikut të madh, por burri i shquar i donte bashkatdhetarët me dinjitet e kryelartë.

Madhështinë e tij e prek kryeministri Rama në pasthënien e librit  “Kurban”, ku shkruan: “S’ka më bukur se e ka thënë në fundin e muzgut të thellë të jetës së tij një burrë i moçëm, themelues shkollash shqipe në bregun e ashpër të Jonit, të cilit fati i dha mundësinë të jetojë Shqipërinë e një shekulli të plotë, nga vitet e fundit ‘800 nën Turqinë, në vitet ‘990 të postkomumizmit shqiptar, Panajot Gjiknuri e kish emrin, kur nipi i tij e pyeti ”Si të duket kjo kohë, o gjysh?” dhe plaku u përgjigj “Shqipërinë më të varfër e kam parë, po më të çoroditur se sot asnjëherë!”

(Edi Rama, “Kurban”, botimet Dudaj, Tiranë 2011)

Krenar e hijerëndë e gjeje me grupe patriotësh, nga Vlora, në vitet ’50, në sheshin “Skënderbej” në biseda miqësore, Ҫdokush shprehej siç e mendonte, por në një rast Panajoti nuk e pranoi arsyetimin  dhe e kundërshtoi. Folësi ishte oficer dhe u shpreh i nxituar. Je borgjez,-i tha, dukesh nga kapelja republikë! Panajoti vuri buzën në gaz e shtoi: ” Dakord, po kjo imja sheh nga të gjitha anët, ndërsa jotja sheh vetëm përpara!”

Vërtet, mendja e tij ishte e një eruditi, që eksploroi në shumë fusha të dijes. Ai u nda nga jeta më 19 shtator 1999, por lidhja me Kudhësin do të jetë e përjetshme!

…Shkolla, që hapi Panajot Gjiknuri, feston sot 100-vjetorin. Natyrisht, ajo është mbyllur 14 vjet më parë. Ai i gjeti nëpër botë mjetet, por brezat i braktisën dhe ato që gjetën! Ai mësoi në Athinë e investoi në Kudhës, ndërsa brezat mësuan në Kudhës e investimin s’dihet ku e bëjnë! Ai , Panajoti, në rracën e mësuesve, të idealistëve e patriotëve, ishte dhe mbeti tjetër! Është ikona, që mban shenjtërinë  e dijes në këtë 100-vjetor! I shpallur, apo i pashpallur, Ai, do të mbetet përjetësisht “Nderi i shkollës së Kudhës Perivolit” apo dhe më tej “Shenjtori dhe lavdia e saj!”

 

 

Share This Article
1 Comment
  • I Nderuari Panajot Gjiknuri, ka qene ashtu sic e pershkruani ju z.Leka, kam patur rastin ta njoh, nje bregdetas i vertete! Respekt per emrin qe ka lene!
    Aman, mos na e permendeni ‘kurbanin’ e Rames se nuk shkon me pershkrimin qe i keni bere z.Gjiknuri, ai e ka pare se ku po shkonte ai vend, me syrin e nje patrioti, dhe, me te drejte e ka quajtur ‘te coroditur’, te pa shprese, nipi i tij Damiani(qe nuk i ben nder), bashke me Ramen, ne vend qe ti kthenin shpresen pas baterdise Saliste, mbushen xhepat e tyre si kusare! Tanime ai vend i vuajtur ka marre fund perfundimisht!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *