Xhevdet Shehu
Kur më 29 qershor 1909 në Mborje i lindi fëmija i parë, Dr. Haki Mborja ndodhej maleve me çetën e tij që e udhëhiqte bashkë me Vangjel Gjikën. Kishte rrokur pushkën e nisur me shokë luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Një muaj më pas, në fund të korrikut 1909, pra kur Sali Mborja ende nuk i kish mbushur 40 ditët që ish lindur, xhonturqit hakmerren e i vënë zjarrin shtëpisë në Mborje dhe, mes flakëve, nëna e tij bashkë me foshnjën në gji shpërngulet për tek njerëzit e saj që atë kohë jetonin në Perlep.
Në këtë shkrim nuk do të ndalemi gjatë për të treguar për Dr. Haki Mborjen (1881 – 1931). Madje do të mundohemi të flasim sa më përmbledhtas edhe për aktivitetin e djalit të madh të tij Sali Mborja në vitet e LANÇ-it dhe kontributin e shquar më pas si një ndër pionierët e parë të arsimit e universitetit shqiptar. Duke folur për një figurë të spikatur si e Sali Mborjes, rolin e tij gjatë LANÇ-it e në vitet pas Çlirimit, do të përpiqemi të sjellim dokumente dhe të kundërshtojmë dy teza të pavërteta, të keqinterpretuara me qëllim rëndom nga ndonjë “historian” i kohëve të fundit.
Qysh më 1994 Prof. Xhemil Frashëri ishte i pari që kundërshtoi me prova tezën e gabuar që filloi të artikulohej atëherë se: “Nacionalistët, kontribuesit e pavarësisë, pasardhësit e tyre u lidhën të gjithë e u rreshtuan pa përjashtim me Ballin Kombëtar.”. Në listën e gjatë të nacionalistëve që u lidhën ngushtësisht dhe luftuan trimërisht në radhët e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar, mes Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, Omer Nishanit, Qiriako Haritos, Sulë Bahollit, etj, etj, ai përmend edhe Sali Mborjen, djalin e Dr.Haki Mborjes.

Në shërbim të ndriçimit të saktë të së vërtetës për historinë e LANÇ-it, lidhur me këtë çështje, duke u ndalur tek figura e Sali Mborjes, nuk mund të mos përmendet që bëhet fjalë për të birin e Dr. Haki Mborjes, komandantit të çetave më të para për liri e pavarësi qysh më 1909. Sipas një dokumenti që konsulli i përgjithshëm i Mbretërisë së Serbisë në Selanik i dërgon më 12 nëntor 1911 (Nr. 5603) bëhet fjalë për lëvizjen e korrespondentit special të “Times” të Londrës zotit Vuds, i cili “nga Mali i Zi shkoi në Jug të Shqipërisë dhe u takua me udhëheqësit më me autoritet të lëvizjes, në krye të së cilës qëndronte Dr. Haki Mborja me të cilin ishin bashkuar edhe prijësat e disa fiseve të tjerë.” Historia dhe shtypi i kohës brenda e jashtë Shqipërisë dëshmojnë për Dr. Haki Mborjen, si komitin me arsim të plotë universitar që zuri i pari malet me pushkë në dorë, që bashkëpunoi ngushtësisht me Bajo Topullin, Mihal Gramenon, Spiro Ballkamenin, Qiriazët, etj. për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur që çoi më 1912 në pavarësinë e Shqipërisë. Mik i çmuar i Sali Butkës dhe më pas, në 1916, në themelimin e shpalljen e Republikës së Vetëqeverimit të Korçës ai duke qëndruar në krah të djathtë të Themistokli Gërmenjit dha një kontribut të pamohueshëm të asaj ngjarje historike. Janë të shumta gazetat e kohës që e cilësonin Dr. Haki Mborjen si humanistin, atdhetarin që luftoi me armë maleve, demokratin e republikanin e vendosur. Po mjaftohemi duke cituar dy tre fjali nga fjala e lamtumirës që Noli shkroi për të te “Republika” (Boston, 16 prill të 1931 nr.25): “Pas Mihal Gramenos na la shëndet edhe një tjatër veteran i çështjes, doktor Haki Mborja. Edhe ky lëftoi për indipendencën kombëtare me armë maleve e me propogandë fushave tërë jetën…” dhe në fund, duke folur për bindjet republikane të Dr. Haki Mborjes, shkrimi i Nolit mbyllet kështu: “…Kur Ahmeti u prokllamua sulltan doktor Haki Mborja nuk i dha votën. Hoqi dorë nga asemblea dhe nuk shkeli më në Tiranë. Ish i vetmi nga asemblistët që guxoi e bëri një trimëri të atillë nën terrorizmën e malokëve mercenarë”. Besoj se është e tepërt të sillen dëshmi të tjera se i biri i Dr. Haki Mborjes – Sali Mborja, kryetari i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të qarkut të Korçës (asnjë ditë anëtar i PKSH apo PPSH) rridhte drejtpërdrejt nga një familje e shquar atdhetare e me kontribute në periudhën e Rilindjes Kombëtare e të luftës për pavarësinë.
Pasi mbaroi Liceun Francez të Korçës, Sali Mborja studion e diplomohet në Fakultetin e Shkencave në Toulouse (Francë), për t’u kthyer tashmë (‘40) si profesor po në liceun që kishte studiuar vetë në rini.
Pra siç e shpjeguam më sipër Sali Mborja i takon krahut të intelektualëve nacionalistë që u lidhën ngushtë me Luftën. Gjatë pushtimit, me gjithë përkëdheljet e fashizmit, ai u hodh tërësisht në lëvizjen antifashiste. Në vitin 1942 që me krijimin e Këshillit të parë Antifashist Nacional Çlirimtar të Korçës zgjidhet sekretar i tij, detyrë që e kreu me përkushtim deri në janarin e vitit 1944, kur zgjidhet kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të qarkut. Prej vitit 1944 deri në 1946, ka qenë kryetar i këshillit Nacional Çlirimtar të qarkut të Korçës.
Gjatë Operacionit të Dimrit më 1943 bashkë me Haxhi Lleshin, Medar Shtyllën e Manol Konomin inkuadrohet në shtabin e Brigadës IV. Me mbarimin e Operacionit u vendos në Lavdar të Oparit ku u ngrit selia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Sali Mborja ishte delegat i qarkut të Korçës në Konferencën II në Labinot (4 -9 shtator ’43), në Kongresin e Përmetit (24 maj ’44) ku u zgjodh edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar, si edhe në Berat, (22 tetor ’44) ku u zgjodh anëtar i Kryesisë së Frontit Nacional Çlirimtar .
Në Konferencën e Mësuesve Antifashistë të qarkut që u zhvillua në Lozhan në pranverë të 1944, Sali Mborja ishte një nga organizatorët e saj, mbajti referatin kryesor dhe u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Mësuesve Antifashistë të Qarkut Korçë.
Në dhjetor 1945 zgjidhet deputet i Asamblesë Kushtetuese dhe sekretar i kryesisë së saj. Nga viti 1946, për 6 legjislatura radhë ka qenë deputet i Kuvendit Popullor dhe sekretar i Kryesisë së tij.
Besojmë se është me interes publikimi i dy letrave falënderuese që “Prof. Sali Mborja, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit N – Ç të Prefekturës së Korçës” ka marrë më 21 qershor të 1945 nga Kryetari i Misionit Amerikan J. E. Jacobs. Një letër të tillë, madje në një stil edhe më konfidencial, më parë, më 13 maj 1945, Sali Mborja kishte marrë edhe nga Kryetari i Misionit Ushtarak Anglez. Në letrat e tyre, të dy krerët e misioneve: angleze dhe amerikane veç e veç, duke u shprehur plot entuziazëm falënderues për pritjen që i ishte rezervuar (në maj Kryetarit të Misionit Ushtarak Anglez dhe më 12 -13 qershor amerikanit J.E. Jacobs) kanë lënë një dëshmi të qartë për të gjithë ata që shprehen kuturu për preferencat e raportet kinse “armiqësore”(!!!) apo “të ftohta”(!!!) mes aleatëve perëndimorë dhe udhëheqësve të LANÇ-it.
Dy letrat që Sali Mborja merrte në cilësinë e postit që mbante si kryetar i zgjedhur nga mbledhja e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe që u zyrtarizua më tej në Qeverinë Provizore Demokratike të Beratit më 22 tetor 1944, dëshmojnë plotësisht për njohjen, përkrahjen dhe respektin e ndërsjelltë pa rezerva mes krerëve të Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe aleatëve perëndimorë të Luftës së Dytë Botërore.
Kështu i shpjegohet edhe qartësia e Sali Mborjes për shmangien e qëndrimeve formale (për një dorëheqje formale) që do t’u duhej të mbanin anëtarët e Asamblesë Kushtetuese të mbajtur në Tiranë më 11 Janar 1946. Ja ç’thotë kronika:
“… Kryetari i asamblesë ia dha fjalën përfaqësuesit të Korçës, Prof. Sali Mborja, përfaqësues i cili midis të tjerash u shpreh: “Qeveria Demokratike e sotme është një qeveri e popullit shqiptar që u emërua në Kongresin e Përmetit nga Këshilli Antifashist. Është qeveria që lindi nga gjiri i popullit shqiptar në zjarrin e luftës më të egër”. Më pas, me fjalën e deputetit Mborja, u solidarizuan edhe deputeti i Tiranës Abdyl Këllezi, Thoma Papapano deputet i Gjirokastrës, Rrahman Parrllaku deputet i Kukësit, Gjeneral-major Spiro Moisiu deputet i Durrësit, Kahreman Ylli përfaqësues i Beratit, Dr. Sezai Agalliu deputet i Vlorës, Kol Prela deputet i Shkodrës, Andrea Sahatçi përfaqësues i Beratit, Haki Stërmilli deputet i Dibrës dhe Xhemal Rusi përfaqësues i Korçës. Pas kësaj, kryetari i Asamblesë e hodhi në votë propozimin e deputetit Sali Mborja, nëse Asambleja nuk do ta pranonte dorëheqjen e qeverisë. Në këtë moment të gjithë deputetët u ngritën në këmbë dhe me ovacione të gjata që zgjatën disa minuta, pranuan unanimisht që qeveria nuk duhet të jepte dorëheqjen.”
***
Pas çlirimit të vendit në vitin 1946, Sali Mborja është emëruar në Tiranë në Ministrinë e Arsimit si drejtor i arsimit për të rritur dhe profesional. Një vit më pas, emërohet nëndrejtor në Institutin Pedagogjik dyvjeçar. Me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik, fillon po ashtu punën si pedagog në këtë institut duke dhënë mësim njëkohësisht në të dy institutet (dy-vjeçar dhe katër-vjeçar) në lëndë të ndryshme: botanikë, anatomi, fiziologji e njeriut, darvinizëm, higjienë shkollore, gjeologji. Me hapjen e Universitetit Sali Mborja punon si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku ka dhënë mësim në lëndën e botanikës së përgjithshme në degën Biologji-Kimi. Sali Mborja është një nga pionierët e arsimit tonë të lartë. Falë kualifikimit dhe kulturës së tij të thellë shkencore ai dha leksione për vite e vite me radhë në disiplina që i kërkuan një punë shumë të madhe për të cilën nuk u kursye asnjëherë. Ai drejtoi me kompetencë shkencore e metodike për herë të parë lëndën e botanikës së përgjithshme, një disiplinë e rëndësishme për formimin e biologëve dhe mësuesve të biologjisë. Rezultat i punës së tij janë disa tekste mësimore për shkolla të ndryshme si dhe teksti i botanikës për universitetin.
Për kontributin e tij të gjithanshëm, për luftën e devocionin e tij Sali Mborja është dekoruar me: “Urdhërin e Flamurit”, “Medaljen e Kujtimit”, “Medaljen e Trimërisë”, “Urdhërin e Punës” dhe “Urdhërin Naim Frashëri”.
Profesor Sali Mborja vdiq në Tiranë, plot 30 vjet më parë, më 19 nëntor 1990. Ky 29 Nëntor, ky jubile i 75 vjetorit të Çlirimit që po afron është edhe një rast për ta kujtuar me nderim atdhetarin antifashist të orëve të para e pionierin e universitetit tonë Sali Mborja.

Nderim per keto patriot te medhej.
Tradhetare quheshin dhe quhen nga xhihadistet komuniste vetem ato qe ishin kundra sllaveve, jugosllaveve, ruseve, lindoreve. Tradhetare nuk ishte PKSH, kopilja e serbeve, jugosllaveve, ruseve, sllaveve.
Respekt per veprimtarine patriotike te familjes Mborja.
Familja Mborja vetem i dha Shqiperise e nuk mori asgje. Nderim pa fund.
Nderime per kete gjigand te shqiptarizmes.