Duke kujtuar futbollin si sportdashës…

redaktor

Rrëfim nga koha e shkuar

Kur isha i vogël më merrte vëllai i madh të shihnim Naftëtarin në shkallët e stadiumit. Aty mësova shpejt se fajin për të gjitha barazimet dhe humbjet e kishte arbitri e se lojtarët e skuadrës sonë modeste nuk i merrte Kombëtarja – ashtu në bllok – se n’a kishin zili. Zakonisht Naftëtari luante me të bardha dhe iluzioni optik krijonte në sytë tanë imazhin e lojtarëve shtatlartë, që dukeshin më të gjatë sesa kundërshtari. Qëndronim përpara kontrollorit të biletave sikur para një provimi, që ai fshehtas të hapte krahun e si babaxhan të n’a lejonte të kalonim pa biletë. Pastaj vraponim shkallëve, më të lumturit e botës, mbi atë kupë të blertë me vija të bardha që në fjalorin shqip quhet fushë futbolli.

Maksimumin që ka dhënë Naftëtari tifozët e mbajnë në memorje si legjendë homerike; qe ndeshja me Partizanin në Tiranë ku fituam 3 – 0 me nëntë lojtarë dhe pa portier. E kush nuk ka gërvishtur në bankat e shkollës tërë formacionin e skuadrës së zemrës me gjithë rezervat, trajnerin, mjekun e deri emrin e shoferit te autobusit?! Gradualisht pastaj u mësova të bëj tifo pikërisht për Partizanin, e kështu me rradhë të shoh se edhe Tirana, Dinamo, Vllaznia, Flamurtari, etj, kishin individualitete që skuadra e zgjedhur nuk i posedonte në nivelin e dëshiruar. Megjithatë, ç’ka logjika e pranon pa debat, tifozllëku e flak tutje me zjarrmi subjektive.

Ditën e ndeshjes uronim që lojtari kundërshtar të kishte thyer gjurin ose t’ia thyente mbrojtësi ynë, që arbitri të mbante me hatër nga ne dhe absolutisht nga ata, e në fakt, ç’ka ishte më kryesorja, të fitonim jo thjesht për rezultatin në kampionat, por sesi të ndiheshim më superiorë ndaj tifozëve kundërshtarë me të gjitha mënyrat. Kësisoj, humbja ishte e vështirë për t’u përballuar, për të njëjtin motiv rivaliteti. Ndërkaq, futbolli ishte kthyer në sportin më masiv, në krye të listës së sporteve që s’kishin të mbaruar. Gati çdo pasdite në fushat e improvizuara dhe sheshe, në rrugët e lagjeve dhe shkolla ndeshjet e futbollit kishin krijuar traditën dhe publikun e tyre. Ishin gjëra pa lekë. Kafenetë nuk ishin në modë si sot dhe TV-ja i vetëm nuk kishte luksin ta mbushte ditën me Sulejmanin e madhërishëm dhe haremin e sulltanatit.

Aty afroheshin teknikët dhe përzgjidhnin talente, madje më mirë shihej në kampionate mes shkollash, spartakiada e organizime të shpeshta, ku pothuaj pa shpenzuar asnjë fond ishte bërë e mundur të rritej interesi për sportin përtej formës së argëtimit dhe organizimit kolektiv.

– “No marketing – no futboll”.

“Po s’ka Campari s’ka festë”-thoshte një slogan publicitar i pijes italiane me protagonist George Clooney. Sot thuhet se pa marketing nuk bën dot sport. Të shesësh është më e vështirë sesa të prodhosh; këtë t’a thotë edhe një shitës çfarëdo domatesh që edhe sikur t’i ketë blerë me 5 lekë e t’i shesë me 500 përsëri do ankohet se tregtia të lë pa gjumë. A thua se të prodhosh domate gjumi është i siguruar.

Të kishe dikur një bluzë të skuadrës së zemrës ishte sikur të kapje qiellin me dorë. Pa le të kishe edhe numrin 1 me mbiemrin Musta, apo bluzat respektive të të ndjerëve Hametaj, Minga e plot të tjerëve. S’arrij dot t’a imagjinoj euforinë e diçkaje të tillë në ato kohë. E kam të qartë se rregjimi nuk kishte haber nga marketingu e aq më tepër sesi bëhet paraja, por mendoj se mjaft tifozë ishin të gatshëm të shpenzonin një rrogë të tërë mujore për të pasur në dorë një trofe të tillë. Sot ka më bollëk, falë rritjes konstante me dy shifra të ekonomisë kineze.

Veçse ka një problem, të krijuar gjithashtu nga marketingu frenetik. Ti porosit sot 1 milion bluza të Balotellit me Milanin; sa të stampohen ato në Kinë dhe të vijnë pas një muaji në Itali Balotelli është transferuar tek Interi, sa ia stampon me Interin ai transferohet në Angli…Xhanëm, as ai nuk e di se ku do shkojë, se marketingu e ka vrapin më të shpejtë se lojtari vetë. Dikur lojtari dhe skuadra formonin një unitet, saqë s’e ndaje dot njërin nga tjetri. Kur thua Demollari e ke fjalën për Dinamon, thua Zmijani dhe fjala është për Vllazninë, Perlat Musta dhe Ilir Lame të kujtojnë Partizanin apo Jani Kaçi Skënderbeun; sot thuajse është e pamundur që një lojtar të mbetet imazh i një skuadre.

Në fundvitet ’80 kisha mësues fizkulture Lin Shllakun, me Kombëtaren në vitet ’60 -’70 e n’a thoshte me atë shkodrançen e nxituar se brezi aktual (ai i fundviteve ’80) e kishte mendjen tek konditat dhe përfitimet e kësisoj u kish humbur nervi i sakrificës, pa të cilin një sportist nuk e superon dot vetveten. Kjo vihej re tek brezi i dytë i familjeve të njohura të futbollit, ku si për dreq i biri nuk arrinte dot nivelin e të atit; ndofta jo ngaqë i mungonte talenti, por ngaqë rrugën e kishte të hapur dhe autodisiplina nuk kultivohej më. Rëndom dëgjoje tifozët e vjetër kur dikujt i kujtonin aftësitë e të atit, që me bukë dhe djathë i bënte ballë denjësisht Gjermanisë së Bekenbauer, kampionë bote në ’74, kurse ne mezi barazonim me Maltën..

Rënia e cilësisë vijoi e s’vonoi shumë që futbolli domosdo të kthehej në pazar. Mbaj mend që një vit Naftëtari rrezikohej të binte nga kategoria dhe ndesheshim me Apoloninë. Tërë stadiumi e dinte se ndeshja do mbaronte 3-2 për ne, do shënonte 2 gola Majaci dhe do shpallej golashënuesi më i mirë i kampionatit. Gati dy minuta para fundit Majaci gjuajti kot nga larg e për dreq topi hyri në rrjetë dhe barazimi n’a çonte në kategorinë e dytë. Me të shpejtë u vu topi në qendër, hynë të tërë në zonën e fierakëve dhe golin s’u morr vesh kush e bëri, unë pashë portierin fierak që e shtyu topin vetë e kështu i shpëtuam rënies nga kategoria. Në një tjetër rast patëm me Dinamon të njëjtin problem, po të fitonim ne binte Dinamo nga kategoria. Me shumë gjasa qe dhënë urdhër nga ministria e Brendshme, “pronare” e skuadrës blu, që patjetër Dinamo të kursehej e kështu zuri lapsi Naftëtarin, megjithë përleshjet me policinë.

Po mbush pothuaj mbi dy dekada që nuk e shoh kampionatin tonë kombëtar, por, siç thotë Gëtja (“që të kuptosh se qielli është kudo blu nuk është nevoja të bredhësh tërë botën”) – opsss, me paqen e doktor Berishës -, tanimë e kam të qartë pse futbolli në vendin tonë s’është më ai sporti masiv dhe argëtues e aq më tepër, nuk ka sesi t’i afrohet atyre niveleve. Kjo bie në sy qëkur dallon larminë e dyqaneve të basteve, skedinat e pothuaj inekzistencën totale të organizimeve sportive mes shkollash. Shihet shumë më qartë në mungesën e fushave sportive, të shesheve të lira për atë futbollin e bekuar të rrugës, që nxirrte me aq thjeshtësi talente. Po të shtosh edhe emigrimin masiv të familjeve shqiptare, e ke të qartë se futbollit i mungojnë fëmijët, dmth futbollistët. Tjetër gje se futbolli ka kaluar në plan të dytë, sepse në plan të parë janë skedinat dhe kontratat me sponsorët, televizionet e njëqind marifetet e tjera që mëson cirkuiti i parave dhe i modës për të bërë para prej gjithshkaje.

– Futbolli në shitje.

Meqë guxova si dashamirës i thjeshtë të nënvizoj raportin e shoqërisë me sportin dhe të këtij të fundit me botën e parasë, desha të shtoj se vetë futbolli ka pësuar metamorfozë. Nga sentiment është kthyer në instrument dhe produkt biznesi. E kur flitet për biznes domosdo ka korrupsion, evazion fiskal, shit-blerje ndeshjesh dhe aksionesh në Bursë dhe padyshim manovrime për pastrim parash nga aktivitetet e paligjshme.

Dikur Maradona merrte shuma përrallore qe të mos shënonte me Napolin, sepse në llotosport mafia napoletane vinte miliarda per rezultatin e pamundur. Po kështu vetë skuadrat i linin ndeshje njëra-tjetrës sipas një kodi të heshtur. Ka ndodhur edhe me kombëtaret më në zë që favorizojnë skuadra të caktuara. Këto ditë dy drejtuesit kryesorë të organizmave ndërkombëtarë të futbollit janë pezulluar përkohësisht, pasi dyshohen për korrupsion e dallavare favorizimesh në shorte dhe përcaktime vendesh organizatore; bëhet fjalë për qindra milionë euro nën dorë.

Mendja të shkon në ato superkontratat dhe megashpërblimet, të drejtat televizive, të drejtat e imazhit, reklamat, ortakët, organizatorët, avokatët dhe federatat. Kur sheh një vogëlush në rrugë duke lozur shpenguar, qoftë edhe vetëm, duke tentuar të mbajë në ajër topin po aq herë sa Pele-ja vogëlush provonte të mbante portokallet, të shkon në mend se rreth tij me siguri do afrohet e do vijë përqark   ndonjë peshkaqen i kësaj bote kaq të komplikuar interesash dhe përfitimesh, e cila në fund të fundit ushqehet nga pasioni ynë fillestar për futbollin, si një sport thjesht për argëtim.

Share This Article
3 Comments
  • Po edhe futbolli si gjithçka ne kete periudhe ka lidhje me marketingun, psh: pazienti sa i ka kushtuar shendetsise dhe jo a eshte sheruar, politikani me cilen parti ben me shume leke e jo me ate qe ka filluar apo idealet( nese i ka), e sa e sa te tjera .

  • Askush e ka kuptuar se pse Pele eshte i pasur,ndersa Garinxha vdiq i vobekte.Dy kampjonatet e pare boterore Brazilit ia dha kolektiviteti i udhehequr nga Didi-Vava- Garinxha.Ne 1958 Pele ishte nje adoleshent debutues,;ne 1962 ne Kili nuk luajti fare.Por ama namin e mori Pele.Ja,cfare deformimesh sjell marketingu.Marketingu po te doje te bej nje personazh publik e ben.Ka bere Ciljeten,Enisin,Endritin,Greten,Florin,Gaxhebn kengetare.Per ne qe e kemi degjuar ne skene se cfare zeri te fuqishem emozionues kishte Ema Qazimi,por i mungoi marketingu Vaces.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *