Jovan Bizhyti
Patriotët dhe atdhetarët janë gjithnjë të pranishëm në jetën dhe historinë e një kombi, por datat e lindjes dhe të ndarjes nga jeta, janë pika referimi për t’i kujtuar e për të shprehur kontributin e tyre në shërbim të atdheut e të kombit. Njeri ndër ta ka qenë dhe Gjeneral Spiro Moisiu, gjenerali i parë i ushtrisë Nac.Çl. shqiptare, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm që udhëhoqi atë ushtri dhe gjithë luftën partizane, që çliroi vendin nga pushtuesit nazi-fashist.Në rrugëtimin e tij, ai jo vetëm organizoi dhe drejtoi formacionet luftarake partizane në luftimet ndaj armikut, por diti të mobilizonte dhe të bënte për vete dhe masat e popullit të thjeshtë puntorë e fshatarë, kolegët dhe masën e ushtarëve, me të cilët e lidhi lufta dhe puna e gjatë në ushtri.
Ishte ky Gjeneral ushtarak i niveleve të larta dhe shumë nacionalistë e atdhetarë të tjerë si: Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja, Omer Nishani, e të tjerë, që mbajtën peshën e luftës së madhe Antifashiste Nac.Çl., jo vetëm si komandant dhe udhëheqës të luftës, por dhe si frymëzues të masave, që me autoritetin e atdhetarizmin e tyre, tërhoqën pas vetes qindra e mijëra luftëtarë nga radhët e popullit të thjeshtë, që i respektuan e u besuan këtyre burrave të Kombit, duke i ndjekur pas besa-besë.
Spiro Moisiu, sado detyra të larta që mori si në ushtri, në politikë, e në organizmat e tjera shtetërore, mbeti i respektuar, i thjeshtë e i dashur me njerëzit, ai mbeti përgjithmonë një figurë shpirtërore i nderuar për popullin dhe ushtrinë shqiptare, si një udhëheqës i shquar historik. Spiro Moisiu mbetet si njeriu e udhëheqësi më popullorë, i cili me gojën e ëmbël, me thjeshtësinë e komunikimit që e karakterizonte, pa bujë dhe pa premtime, si dhe me humorin e tij tipik për çdo kategori e moshë njerëzore, bënte për vete njerëzit, duke qenë pranë tyre dhe në zgjidhjen e halleve që kishin. Ai njihte mirë realitetin e jetës, njihte mirë njerëzit në shtresat e ndryshme të shoqërisë, i donte ata dhe përpiqej t’i ndihmonte sa mundte me dashamirësinë e bujarinë e tij.
Sa i thjeshtë e i dashur me popullin e me ushtarakët, çuditërisht po aq kryelartë ka qenë dhe me qeveritarët e rangjeve të larta. Ai s’u përkul njëherë nga intrigat e padrejtësitë që iu bënë, veçanërisht në vitet e para të pasçlirimit, kur jo vetëm e liruan nga detyra e Shefit të Shtatmadhorisë, në 48 vitet e jetës së tij, duke i thënë, “Dil në pension pleqërie”! Spirua, sigurisht nuk u ndje mirë, edhe u trishtua e u ligështua në vetvete, por në opinion nuk shprehu dobësi, pakënaqësi, nuk iu ankua kurrkujt! Midis udhëheqësve të vendit ishte çdo ditë, por askujt nuk i ra në sy, ai dhe Enver Hoxhës si bashkëluftëtar dhe shokë që kishin luftuar e drejtuar së bashku, nuk iu ankua asnjëherë, nuk i tha asnjë fjalë!
Kështu ishte Spiro Moisiu, kryelartë, me karakter burrëror, me dinjitet, i duruar e krenar ndaj atyre që ishin në majat e politikës e të pushtetit dhe po aq i dashur e popullorë me njerëzit e thjeshtë, tek të cilët gjeti mbështetje në ditët e vështira të luftës. Nuk e harroi Spiro Moisiu Kavajën, ku lindi e u rritë, nuk e harroi Lushnjen e gjithë Myzeqenë, ku njohu partizanët e parë, kur u bashkua me ta dhe u priu në hapat e para të luftës çlirimtare. Dhe myzeqarët kur e njohën kush ishte Spiro Moisiu, hapën konakët dhe e vunë në krye të qoshes, i dhanë besën dhe shkuan pas tij në frontin e luftës e në betejat luftarake për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Në Lushnje, në fshatrat Kolonjë, Libofshë, Bubullimë e Ngurrëz, në Krutje e Divjakë, e kudo në Myzeqe, Spiro Moisiu kishte bazat e strehimit kur doli në ilegalitet, se përndiqej nga pushtuesit fashistë e bashkëpuntorët e tyre. Dhe ai s’i harroi miqtë e shokët e luftës, se harroi Llazar Bozon, Xhorxhi Robon, Kolin, Mitin dhe Kiu Bozon, Rrahman Uruçin, Hasan Ginën, Lili Shtrepin, Llaqi Janon e të tjerë, s’i harroi familjet dëshmorëve, bazat që u strehua e atdhetarët patriotë që e mbështetën e i dhanë krahë në rrugëtimin e tij të vështirë të luftës.
Mbas çlirimit, Spiro Moisiu nuk mungonte të ishte prezent në çdo jubile e përvjetor të luftës, në çdo gëzim e ngjarje përkujtimore që populli festonte në Myzeqe. Kur rreshtoheshin veteranët e luftës me shallin e kuq partizan rreth qafës, pyesnin njeri-tjetrin, a ka ardhur Gjenerali? Dhe Gjeneral Spirua ishte gjithnjë midis tyre. Në çdo përvjetor lufte e çlirimi që festonin partizanët e Myzeqesë, Gjenerali ishte prezent, dilte në ballë të turmës dhe këndonte me ta këngët partizane:
Bashkohuni o shokë me ne në çetë,
malit të lartë i shkojmë përpjetë,
se atje o shokë kemi foletë
ne shqiponjat partizane….
Si një ushtarak i lartë karriere, ai ishte dhe një dëshmitar i gjallë i pushtimit të vendit dhe i rezistencës popullore kundër pushtuesve nazi-fashistë. Populli shqiptar, pushtimin fashist italian e priti kudo me rezistencë, që në portet kryesore ku armiku zbarkoi me ushtrinë e tij. Dhe kjo rezisrencë u duk në Durrës, ku ushtria shqiptare me Major Abaz Kupin pati përballjen e parë, në Shëngjinë, në Lezhë e në hyrje të Shkodrës, ku luftuan ushtarët e batalionit të drejtuar nga Major Spiro Moisiu, rezistencë u bë dhe në portin e Vlorës, në Sarandë, e në disa nga qytetet kryesore të vendit.
Një ndër shokët e luftës, Gjeneral Rrahman Përllaku, në kujtimet e tij, ka lënë vlerësime dhe për Spiro Moisiun: ”Ne shokët dhe bashkëluftëtarët e Spiro Moisiut, e kujtojmë me respekt e dashuri komandantin tonë të luftës, sepse dallohej për kërkesën e rreptë dhe sjelljen tepër korrekte e njerëzore me vartësit e bashkëpunëtorët e tij. Ne, më të rinjtë, fillimisht ishim të ndrojtur në marrëdhënie me të, por që në kontaktet e para, Spiroja me qendrimin e tij dashamirës e shoqëror, të bënte t’a ndjeje veten të lirë në komunikim. Këtë sjellje e qendrim me njerëzit, ai e ruajti gjithë jetën. Edhe kur u moshua e doli në pension, ai ruante një korektesë e përpikmëri për t’u patur zili. Këto cilësi thelbësore, ishin bërë pjesë e natyrës së tij nga shërbimi i gjatë në ushtri. Jashtë detyrës, në shoqëri, Spiroja pa marr parasysh diferencat në moshë, me ne sillej si i barabartë. Ai me humorin që e karakterizonte dhe ritmin e qetë e të sigurt të të folurit, me aftësinë e dallueshme për t’iu përshtatur njerëzve që e rrethonin, e bënte tepër të këndëshme bisedën. Në shoqërinë e Spiros, gjithnjë mësoje diçka të re, nga një tregim, këshillë, fabul a fjalë e urtë. Secili nga ne e kërkonte me kënaqësi pjesëmarrjen në rrethin shoqëror ku gjendej ai”.
Spiro Moisiu priste e përcillte dhe shumë miq, shokë e njerëz të thjeshtë si në zyrë dhe në shtëpi. Veçanërisht i vinin shumë qytetarë e fshatarë nga Kavaja, Myzeqeja, nga malësitë e Elbasanit, Gramshit, Skraparit, nga fshatrat e Çermenikës, apo Orenjës ku ishte strehuar me Shtabin e Përgjithshëm në Operacionin e Dimrit 1943-44. Fshatarët patriotë, jo vetëm i strehuan, i ushqyen dhe i mbrojtën nga armiku, por dhe luftuan dhëmb për dhëmb me armikun e bashkëpuntorët e tyre, për të mbrojtur shokët e Shtabit të Ushtrisë që të mos binin në duart e nazistave e bashkëpuntorëve të tyre. Gjenerali i priste këta si miq të veçantë, mundohej t’u zgjidhte dhe ndonjë hall e problem që kishin.
Krahas vlerave në rrafshin ushtarak e shoqëror, Spiro Moisiu ka dhënë kontribut të madh dhe si deputet i Kuvendit Popullor dhe jo pak, por 36 vjet pashkëputje, duke qenë dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullorë, njëkohësisht dhe Nën/kryetar i Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nac.Çl. Spiro Moisiu kudo ku shërbeu, vendosi nga një gur në themelet e ardhmërisë së këtij vendi, duke mos përvetësuar asgjë nga pasuria kombëtare, veç rrogës që merrte. Ai qortonte shpesh të korruptuarit, duke përdorur shprehjen: ”Atdheu nuk është lopë, që duhet mjelë”.
Kontributi i tij si ushtarak madhor, është një thesar dhe në organizimin e modernizimin e ushtrisë sonë, jo vetëm gjatë luftës partizane, por edhe pas çlirimit, për faktin se mendimi teorik i tij, u konkretizua me rregullore, urdhëra e udhëzime dhe në vepra të shkruara, veçanërisht përvoja e periudhës 1942-47 dhe pjesërisht 1949-65, që janë kontribute të organizimit e reformimit të ushtrisë sonë, nga ajo partizane, në një ushtri moderne e niveleve europiane. Sidomos dokumentacioni i Luftës Antifashiste Nac.Çl. i viteve 1943-45, përbëjnë një vëllim të rëndësishëm pasuror me autorësi e bashkëautorësi të Gjeneral-Leitnant Spiro Moisiut. Dy vëllimet me dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., vëllimi i I-rë dhe i II-të, botime të vitit 1970 dhe materiale të tjera në arkiva, janë trashëgimni e madhe që Gjeneral Spiro Moisiu i ka lënë Atdheut, Kombit dhe Ushtrisë Shqiptare.
Vlerësimi i kontributit të tij dhe nxjerrja në dritë e këtij dokumentacioni vëllimor, do i shërbejë historisë sonë kombëtare, duke realizuar një përmbledhje të posaçme të kësaj krijimtarie me vlera të veçanta, sidomios për ushtrinë dhe mbrojtjen jo vetëm nga periudha e luftës partizane, por dhe e viteve të para të pasçlirimit. Për gjithë këtë përvojë me vlera ushtarake, politike e shoqërore, Spiro Moisiu u vlerësua veçanërisht në jubileun e 80 vjetorit të lindjes në maj të vitit 1980. Ceremonia zyrtare u organizua në selinë e Presidiumit të Kuvendit Popullorë, ku morën pjesë një rreth i gjerë udhëheqësish kryesor të vendit, deputetë, ushtarakë dhe veteranë shokë e miq të Spiro Moisiut, si dhe njerëzit e familjes. Kur hyri Spirua në derë, Enver Hoxha i doli përpara:
-Spiro, si të ka lala, si e ndjen veten?
-Mirë, gjallë jam, por nuk jam mirë me shëndet,- u përgjigj Spiroja i urtë e i zgjuar. Pastaj Enveri pyeti Aspasinë, bashkëshorten e Spiros, për shëndetin e saj dhe për fëmijët, ku në veçanti, Enveri veçoi djalin e madh të Spiros, Alfredin, ku u tha të pranishmëve:
-Alfredin e kemi një nga oficerat më të mirë. Punon shumë mirë, ndjek rrugën e të atit, dhe i drejtohet Spiros,- është traditë or Babë!
Pasi u këmbyen disa replika të shkurtëra me humor, e mori fjalën Haxhi Lleshi, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullorë të Shqipërisë:
-“I dashur shoku Spiro!
Të dashur shokë e shoqe!
Jemi shumë të gëzuar që marim pjesë në këtë ceremoni për të festuar 80 vjetorin e lindjes së shokut tonë të shtrenjtë, Spiro Moisiu. Me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën tuaj, duke çmuar meritat dhe shërbimet e shquara që i keni bërë Atdheut e popullit në Luftën e Përgjithëshme të Armatosur për çlirimin e vendit, dhe për forcimin e ushtrisë Nac.Çl. si Komandant dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm, gjithashtu dhe për ndërtimin e mbrojtjen e Atdheut dhe modernizimin e ushtrisë popullore, Presidiumi i Kuvendit Popullorë, iu dekoron me, “Urdhërin e Lirisë të Klasit të I-rë”.
Mandej Enver Hoxha i dorëzoi Spiro Moisiut dekoratën e lartë dhe pastaj i drejtohet:-“Më lejoni të them nja dy fjalë i dashur shoku Spiro. Si gjithë shokët edhe unë shoku yt i vjetër i luftës dhe i punës, jam jashtëzakonisht i gëzuar sot në vigjiljen e 80 vjetorit të lindjes tënde. Partia e populli kanë parë tek ju një nga luftëtarët më të shquar, e një nga bijtë më besnik. Patriotizmin e dashurinë për popullin, ti e ke treguar gjatë gjithë jetës tënde, jetë që e vure të tërën në shërbim të çlirimit të Atdheut. Në fillim nuk të njihja personalisht, por unë isha i njohur me patriotizmin tënd, me gjestin tënd burrëror dhe antifashist, ti u bëre pengesë që bijtë e Shqipërisë në kohën më të errët që jetonte njerëzimi, të shkonin e të vriteshin për pushtuesit italianë. Duke u udhëhequr nga ky qëllim fisnik, u the ushtarëve që komandoje në frontin e luftës italo-greke, “Kthehuni mbrapsht”! Ti nuk more parasysh me këtë akt që ndërmore, se mund të të burgosnin, mund të të varnin. Që në atë kohë, ti ndoqe rrugën e popullit.
Kur do të formonim Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl., me të drejtë udhëheqja e Partisë dhe e Frontit Nac.Çl., vendosën që si Komandant i këtij Shtabi të caktoheshe ti, i dashur shoku Spiro. Unë isha në dijeni të veprimtarisë tënde në rrethin e Kavajës e të Lushnjes. Partia dhe populli, në momentet më të vështira, të ngarkoi me një detyrë të madhe, të rëndë e të vështirë, që e kreve me sukses të madh. Ne bashkëpunuam, së toku kaluam si gjithë populli i ynë momente të rënda. Por pikërisht në ato momente, unë kam parë tek ti një luftëtar të guximshëm, trim dhe që e doje popullin. Në kohët e vështira njerëzit njihen më mirë, në kohët e vështira dallohet karakteri i njerëzve. Ti së toku me gjithë shokët e tjerë, jetuat vitet e luftës dhe vitet e lavdishme të pasçlirimit. Në të gjitha këto etapa i dashur shoku Spiro, ti ke kontribuar fuqishëm me zemër, me shpirt të kulluar, me atë drejtësinë tënde për çdo gjë. Me rigorozitetin tend, ke qëndruar, ke punuar, ke luftuar dhe si të gjithë ne, ke vënë gurin në këto themele të çelikta të Shqipërisë. Prandaj Partia dhe populli kanë për ty një dashuri e respekt të madh dhe këtë do t’a ruajnë dhe do t’ua transmetojnë brezave të ardhëshëm, që ata të ndjekin shëmbullin tënd. Me këtë rast të gëzuar, unë personalisht marr fuqi të reja kur të shoh ty të ri. Të uroj i dashur Spiro, shoku im i vjetër i luftës dhe i ndërtimit, të na rrosh edhe 100 vjet. Le ta ngremë këtë dolli për shëndetin e shokut tonë të dashur, Spiro Moisiu. Hajde Babë, të pimë dhe për shëndetin e shokëve”. Më tej Enveri vazhdon:
-“Por në këto ditë nuk mund të mos na kujtohen edhe momentet që kemi kaluar së bashku. Kemi qarë hallet dhe kemi qenë në unitet dhe në dashuri të madhe me njeri-tjetrin. Më kujtohet njiherë kur ishim nga Shpati i Elbasanit gjatë operacionit luftarak të Dimrit, vajtëm e qendruam te ullinjtë e një fshatari. Ai doli nga shtëpia e pyeti:
-O shoku Komisar, kush është nga këta Spiro Kavaja?
-Ja ku është, – i thashë, duke i treguar Spiron.
-Hajde more këtu,- i tha ai, të të puth njiherë. Ku je more shoku Major!- iu drejtua Spiros fshatari. Ai kish qenë ushtar i Spiros gjatë luftës italo-greke, ishte nga ata të mobilizuar me forcë nga fashizmi dhe kishte dezertuar nga radhët e ushtrisë italiane me batalionin “Tomorri” në kufirin grek”.
Këto vlerësime të larta, i kanë shprehur dhe shumë nga shokët e afërt dhe bashkëpunëtorë të luftës, që vërtetojnë se, ky ishte Spiro Moisiu, i thjeshti dhe i urti, i ndershmi dhe i duruari, besniku dhe trimi, që s’mbajti asgjë për vete, por gjithçka ia dha Atdheut, luftës e popullit.
Spiro Moisiu në karrierën e tij është vlerësuar me 11 urdhëra të lartë dhe 5 medalje trimërie Pra, këto 16 urdhëra dhe medalje, ishin dekorata në gjoksin e Gjeneral Spiro Moisiut, që dëshmojnë për aftësitë e seriozitetin me të cilin ai kryente detyrat ushtarake. Ato ishin beteja e fitore të njëpasnjëshme në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë. Dhe këto dekorata ai i ka fituar me punë, me trimëri e me meritë, jo në kushte paqe, por në frontin e një lufte të përgjakshme, siç ishte Lufta Antifashiste Nac.Çl., që solli çlirimin e Shqipërisë.
Fosilet e PPSH -ese . akoma ju.
Sot gazeta jone e dashur “Dita” duhet te kishte botuar nje shkrim per Heroin Qemal Stafa, me rasrin e 80-vjetorit te renies se tij.
Shpetoi shyqyr!
Gjeneral Spiro Mojsiu ishte paterjot atdhedashes.Politika e tij ishte liria e Shqiperise dhe per ate punoi nen mbreteri e ne diktaturen e proletariatit.Puna me ndershmeri e shpetoj prej intrigave te diktatures.Edhe sot kontributi i tij ne sherbim te atdheut e lirise duhet respektuar .
I PAVDEKSHEM-Gjanerali pare shqiptar-Spiro Mojsiu!
Si nje 86 vjecar *Bir i Dangellise Naimjane*,nje jete sa nxenes dhe Mesues ne Tirane,8 vjecar kaluar ate Luften N Cl, mes asaj Dangellie,nder te parat krah Luftes Partizane.me te parin Usheheqes te asaj lufte Partizane,njohur,Komandantin,Spiro Mojsiu,qe prinderit tane e thirnin qe ato vete,*Kapedan*,(si na thoshte-*Luftetari Shekullit*-Vaso Dama Micani,Luftetar qe me 1913,ne mbrojtiete Pavarsise,fqinjet jugiore sulmuar),sa Partizan e oreve te para,njohur,Spiro Mojsiun nga afes ,ne ditet e*Kongresit te Permetit*,krah udheheqesve te tjere,ai do emerohes- Komandant i Ushterise N.Cl.
Ato mbresat e luftes per Komandatin Spiro Mojsi,nga te Paret Gjenerale,qe nga luta N.Cl..,pas lufte ne Tirane ,une nxenes i shkolles*10 Koriku* Ai shtepine aty prane shkolles,femijte e tij,kolege ne shkolle, SHKELQENIN .(*Komandant CETE*djalin e vogel, Arqile S. Mojsiun e kishim, krenaria e shkolles.(1949-1951).
Gjeneralin Spiro Mojsiu e kishim-Nderin e shkolles sone*ato vite,Drejtor Andon Pano e Antoneta Koci..nuk me harroen,deri ne Shtabin e cete na vinte-Gjenerali..
Si mesue nje jete,me ato kujtime jetuar me,kete figure te nderuar nga Partizan,idhull patur,sa PASUESIT e tij, bere deri kuadro qendrore,me te nderuarin djale, Gjeneral Alfred Mojsiu,i pari femijve te Tij te nderuar pasardhes,sa i madhi Alfred Mojsiu,deri ne Krye te PRESIDIUMIT te Kuvendit Popullor.ne vitet pas 90tes,kryer me DINJITET sa ATDHETARIZEM.
Faleminderit i nderuar Jovan Bizhuti, kete KRYE shkrim sjelle dhe,me lejoni t’iu sjell persjndertie,nga tej Oqeani mes Torontos-Kanadas,ne emer te Emigranteve aktuale,mes tyre mbi 100 *Pasues Veteran*,lexuar kete shkrim sot sa fetuar 5 Majin me nostalgji atdhetare. PRRJTESI-EMRI dhe VEPRA e Gjeneral Spiro Mojsiut!
Mirenjohei dhe sukses-PASUESVE Tij- te ndeuar.,
Toronto 06-Maj -2022 Pasuesi vteran- Guri Naimit D.