Gjermania është sot “timonieri” i Bashkimit Evropian dhe me shumë gjasë do të jetë po ky shtet ai që do të shkatërrojë këtë Union.
Këtë e thotë hiç më pak se këshilltari ekonomik i Presidentit të Francës, Francois Hollande. Gjatë një interviste, ekonomisti Gael Giraud tha se brenda pak vitesh, unioni mund të mos e ketë më monedhën e përbashkët Euro.
“Di që vendet e Evropës veriore po programojnë daljen e një monedhe të re. Euro do të bjerë shumë shpejt, dhe do ta nisë nga Gjermania”, thotë Giraud.
Giraud i cili drejtojn “Agence Francaise de Development”, thotë se Berlini zyrtar ka një detyrim ndaj qytetarëve gjermanë.
“Qeveria gjermane i ka premtuar qytetarëve se nuk do të paguajë borxhet e Greqisë, Italisë, Spanjës apo Francës. Por për sa kohë Greqia të jetë në Eurozonë, do të jetë e pamundur mbajtja e këtij premtimi”, thotë Giraud.
45-vjeçari deklaron se kjo “është një çështje mbijetese” dhe Gjermaninë mund ta ndjekë Austria, Holanda dhe ndonjë vend tjetër.
Madje, ai shkon më tej kur thotë se presidenti francez është në dijeni të gjithë kësaj, duke shtuar se plani ka kohë që diskutohet. /Dita/
