Duro: Mendojmë për Europa League

Dita

Rruga e Partizanit për një vend në Europa League sezonin e ardhshëm kalon nga Durrësi. Në stadiumin “Niko Dovana” të kuqtë i pret një transfertë shumë e vështirë me Teutën, skuadër që kërkon me çdo kusht kërkon pikë për të mos e rrezikuar më tej mbijetesën.

Parashikon një sfidë mjaft të luftuar edhe trajneri Shpëtim Duro, i cili kujton se pavarësisht se me objektiva të kundërt me të kuqtë, “djemtë e detit” luajnë një futboll cilësor dhe janë të vështirë për t’u mundur. “Teuta është një kundërshtar i vështirë, me elementë të mirë në përbërje. Nuk do të jetë e lehtë për ne, por synimi ynë është vetëm fitorja pasi dëshirojmë të luajmë në Europa League sezonin e ardhshëm”, thekson tekniku i të kuqve.

Vetëm një kombinim i çmendur rezultatesh mund ta mbajë në lojë Partizanit për titullin kampion, objektiv që Duro e sheh praktikisht të pamundur për t’u arritur. “E shoh të pamundur që ne të fitojmë kampionatin, prandaj duhet të mendojmë për Europa League, që do të jetë një lloj parapërgatitjeje për sezonin e ardhshëm. Partizani e ka grupin dhe me 2-3 përforcime cilësore do të jetë pretendent për titullin”.

Mbrojtësi Ardian Cuculi do të jetë mungesa e vetme e Partizanit ndaj Teutës, për shkak të kartonit të kuq që mori në takimin me Kukësin, ndërsa formacionit titullar i rikthehet Emiljano Vila, i cili mungoi për arsye pezullimi ndaj verilindorëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *