Duro rrezikon, por ka mbështetjen e tifozëve

redaktor

Partizani është praktikisht jashtë luftës për titullin. Një ëndërr që zgjat që nga viti 1993, kur të kuqtë fitonin titullin e fundit kampion, duket e destinuar të shtyhet për sezonin e ardhshëm, por pavarësisht pritjes 22-vjeçare tifozët e kuq këtë herë janë me trajnerin.

Barazimi me Kukësin ka patur shijen e një disfate, të rëndë madje, por “Ultras Guerrils”, tifogrupi i organizuar i Partizanit, nëpërmjet një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, rreshtohen përkrah trajnerit dhe skuadrës.

Guerrils garantojnë mbështetjen e tyre ndaj skuadrës në javët e mbetura, pavarësisht zhgënjimit ndërkohë që kërkojnë me çdo kusht arritjen e objektivit të ridimensionuar për të siguruar pjesëmarrjen në kompeticionet Europiane.

“Ultras Guerrils” e mbyllin komunikatën e tyre me një mesazh të qartë për drejtuesit e klubit ku shkruhet, “As të mos guxojnë dhe të mendojnë të vënë në diskutim trajnerin, përndryshe do të viheni të gjithë ju në diskutim! Duro qëndron”.

Mesazhi i fortë i “Ultras Guerrils”, vjen pas një jave të trazuar në të cilën u fol se drejtuesit e Partizanit i kishin vënë një ultimatum trajnerit i cili duhej të fitonte ndaj Kukësit për të qëndruar në stol.

Diçka e tillë nuk ndodhi, por tifozët këtë herë janë me Duron, të gatshëm që për të ti kundërvihen madje drejtuesve të klubit. Një shprehje e lashtë në latinisht thotë “Vox Populi, Vox Dei”, Zëri i popullit është Zëri i Zotit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *