Shtyrja për të hënën e mbledhjes së komisioni i Apelit, ku do të shqyrtohet ankimimi i klubit të Tiranës, nuk përbën ndonjë lajm për trajnerin e Partizanit Shpëtim Duro, i cili u shpreh në konferencën për shtyp të radhës se ishte e pamundur që derbi të luhej me tifozë. Sipas tij, ky derbi nuk do të jetë si të tjerët, pavarësisht se futbollistët e kuq do të bëjnë maksimumin në fushë për të marrë fitoren.
“Unë në fakt nuk prisja që derbi të luhej me tifozë, sepse edhe nëse komisioni i Apelit do të mblidhje, nga 15 ndeshje që është dënuar Tirana nuk mund të kishte një ulje të tillë të masësh ndëshkimore që sfida e radhës të luhej me tifozë. Sigurisht që pa tifozë nuk është e njëjta gjë, sepse prania e tyre i motivon vetvetiu futbollistët. Ne do të futemi në fushë me synimin për të marrë maksimumin”, tha Duro.
Fakti që Partizani vjen pas tri fitoreve radhazi ndërsa Tirana pas humbjes në Laç, sipas ish-trajnerit të Shkëndijës së Tetovës nuk i bën të kuqtë favoritë. “Nuk mund ta them kurrsesi se jemi favoritë, sepse derbi i anashkalon problemet që mund të kenë skuadrat. Ky derbi i ka të tre rezultatet brenda”, u shpreh tekniku. Duro e pranoi se ndaj bardhebluve mund të ketë ndryshime në formacion, ndërsa mungesa e Shabanit është ajo që e shqetëson më shumë 54-vjeçarin. “Ndryshimet mund të jenë të vogla, por ajo që më shqetëson më shumë mua është mungesa e Shabanit, i cili ka vuajtur disa dëmtime në fillim të sezonit.
Është një lojtar që unë e preferoj shumë”, theksoi trajneri i të kuqve. Në fund trajneri i 15-herë kampionëve të Shqipërisë gjeti momentin për të ironizuar ish-mesfushorin e Partizanit, Ertan Demiri, i cili në një prononcim për Panorama Sport është shprehur se Duro nuk po e menaxhon si duhet kapitenin Nexhipi.
“Nëse Demiri na ka nisur punën e trajnerit, jepini numrin tim të telefonit që të më japë këshilla, nëse vazhdon të luajë akoma, nuk ia vlen ta ul nivelin e bisedës dhe të komentoj ato që ai ka thënë”, përfundoi Duro.

forca PARTIZANI!!!