Shpëtim Duro konfirmon 5 mungesa sigurta në transfertë me Flamurtarin këtë të shtunë, megjithatë u shfaq i pashqetësuar për këtë fakt, duke patur besim të plotë te të gjithë futbollistët që ka në dispozicion.
Nderim Nexhipi, Idriz Batha dhe Astrit Fazliu janë të pezulluar për arsye kartonësh, ndërsa nga stafi mjekësor ka ardhur konfirmimi se portieri Alban Hoxha dhe Emiljano Vila nuk mund të jenë të gatshëm për ndeshjen e radhës për arsye dëmtimi. Në dyshim mbetet aktivizimi i Lorenc Trashit. “Kemi 5 mungesa të sigurta, 3 janë për arsye pezullimi, ndërsa dy lojtarë të tjerë janë të dëmtuar. Megjithatë unë kam besim te të gjithë lojtarët. Tani e kemi në dorë fatin tonë, me tre fitore në ndeshjet e fundit sigurojmë vendin e dytë ose të tretë”, tha tekniku i “demave”.
Për Duron janë edhe tri finale për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League, me të kuqtë që mbeten favoritë për faktin se kundërshtarët nuk kanë më objektiva për të arritur: “Ndoshta kjo situatë është në favorin tonë, por të mos harrojmë se Flamurtari, gjithmonë ka nxjerrë talente sikurse është Bregu. Me kujton Gjondedën në miniaturë”
Partizani pasi i rrëmbeu Tiranës një pikë në derbi tashmë synon ta parakalojë kundërshtaren e përjetshme në renditjen e përgjithshme, ndaj Duro nuk e fsheh dëshirën që në “Qemal Stafa” të triumfojë Skënderbeu: “Unë s’kam pse ta fsheh, dua që të fitojë Skënderbeu, sepse kështu i leverdis Partizanit por edhe për faktin se jam shpallur kampion me korçarët”.
Deklaratën e kapitenit të korçarëve, Bledi Shkëmbi, se Partizani do ta përfundojë kampionatin në vendin e dytë, Duro e komentoi shkurtimisht me një batutë: “Unë i kam thënë më parë Shkëmbit se do të shpallet kampion”.
