Një 32-vjeçar nga Durrësi është arrestuar për llogari të drejtësisë italiane pasi akuzohet për “Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të drogës”.
Policia e Durrësit sqaron se për Aldor Pjeterin Gjykata e Milanos ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe maksimumi i dënimit parashikohet 20 vjet burg.
“Specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, më datë 27.04.2016, kanë bërë të mundur arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit Aldor Pjeteri, 32 vjeç, banues në Manëz, Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi Autoritetet Gjyqësore Italiane, Gjykata e Milanos me Vendimin 5000/2014 R.G.N.R.–N 1104/2014 R.G GIP, datë 01.04.2016, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të drogës” e parashikuar nga Kodi Penal Italian. Maksimumi i dënimit parashikohet 20 vjet burg”, informon policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
