Policia e Durrësit goditi paraditen e djeshme një grup kriminal që merrej me trafikimin e femrave. Si rezultat i operacionit në pranga kanë përfunduar 2 persona, njëri prej tyre shtetas bullgar ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Burime nga policia bëjnë me dije se organizata rekrutonte femra nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht nga zonat rurale, dhe më pas i detyronte të ushtronin prostitucion brenda vendit. Ndërkaq një pjesë tjetër i trafikonte edhe drejt shtetit fqinj, Italisë. Të arrestuarit janë bullgari Tomcho Tomov, 55 vjeç dhe Alesio Çullhaj, 25 vjeç, nga Elbasani, të cilët u kapën në flagrancë teksa po tentonin të trafikonin vajzën me inicialet V. T., në drejtim të Italisë. Operacioni u kodua “ndalesa e fundit” dhe vajzat janë të moshës 16-20 vjeçe, që mashtroheshin për fejesa dhe martesa. Policia hetonte grupin prej disa muajsh, duke i përgjuar me metoda speciale, ndërsa i dyshuari bullgar ka shfrytëzuar një 20-vjeçare nëpër hotele.
Durrës, një bullgar e dy shqiptarë në trafikun e femrave për prostitucion
