Kishte humbur prej muajit mars dhe familja pas denoncimit priste kërkimet e policisë, gjendet në qytetin e Durrësit duke ushtruar prostitucion me tutor të dashurin e saj. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, policia vendore ndaloi të dyshuarin E.B, 27 vjeç, banues në qytetin bregdetar, i cili akuzohet se në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 2014, një muaj e gjysmë me radhë, ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni të dashurën e tij 27-vjeçare, banuese në rrethin e Fierit, e cila ishte e shpallur në kërkim për largim nga banesa, që prej datës 10 mars 2014. Bazuar në të dhënat e dala përgjatë hetimit rezulton se vajza, identiteti i të cilës nuk u publikua, është shfrytëzuar për qëllime prostitucioni nga ky person në hotele të ndryshme në lagjet nr. 13 Plazh dhe nr. 1 Currila në Durrës, kundrejt shumave që varionin nga 1000-3000 lekë për çdo klient. Zyra Antitrafik po heton nëse 27-vjeçarja është shfrytëzuar nëpërmjet kanosjes për jetën apo ka shkuar me dëshirë. Materialet iu kaluan Prokurorisë Durrës për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni”.