62 persona janë shoqëruar në policinë e Durrësit për vrasjen e kambistit Fatmir Koltarja. Policia thotë se shoqërimi i këtyre personave është bërë për të hedhur dritë mbi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë para banesës së 46-vjeçarit Koltarja, i cili u vra dhe u grabit nga persona të maskuar. Ndërkohë, sipas policisë së Durrësit, vijojnë kontrollet nëpër banesat e të dyshuarve dhe personave me precedentë penalë. Por deri tani, nuk ka asnjë emër konkret në lidhje me autorësinë e krimit të kryer dje në mes të ditës.
Vritet kambisti, policia: 10 000 euro kush tregon autorët
Pasditen e djeshme, policia e Durrësit deklaroi se ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jep informacion lidhur me autorët e vrasjes së Fatmir Kotarjas, ndërsa është vënë në dispozicion edhe numri i telefonit 0694118890.
Ngjarja ndodhi të dielën në qytetin e Durrësit, në afërsi të stacionit të hekurudhës, pranë zonës së plazhit, kur persona të maskuar dhe të armatosur kanë sulmuar kambistin Fatmir Koltarja, gjatë kohës që ky i fundit po kthehej në shtëpi.
Mësohet se kambisti Fatmir Kotarja, 46 vjeç, ka bërë rezistencë ndaj grabitësve, të cilët e kanë qëlluar me armë zjarri, duke i marrë 25 milionë lekë. Për pasojë, 46-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë pak minuta më pas, gjatë kohës që po transportohej për në spital nga të afërmit. Dyshohet se grabitja ka qenë e planifikuar dhe e studiuar mirë, pasi grabitësit kishin vëzhguar orarin kur kthehej në shtëpi kambisti Kotarja, i cili kishte në pronësi një pikë këmbimi valutor.