Durrësi i Shekspirit dhe Migjenit

redaktor

Skica dhe reflektime. Nga ditët e fundit të Migjenit, tek Pol Eyari në Shqipëri dhe shpella e Haxhi Aliut. Udhëtim me sytë e trupit dhe të mendjes

DITEN E FUNDIT TE MIGJENIT

Sipas një zakoni të stërlashtë shqiptar, kur një malësor e ndiente se po i afronte vdekja i thoshte një britmëtari që të ngjitej në shkëmbin më të lartë dhe të thërriste. “Ej, etj! Filani, i biri i filanit po vdes!”

Gjithë të njohurit në fshatrat e viset përreth, ngriheshin e vinin tek ai që po vdiste për ta përshëndetur për herë të fundit.

Vdekja e Migjenit nisi me udhëtimin e tij të fundit nëpër atdhe.

Ai u nis nga Shkodra më 20 nëntor 1937 drejt Durrësit.

Malet, lugina, lumenj. S’kishte nevojë për britmëtar.

Ai po e realizonte zakonin e vjetër shqiptar të paravdekjes, sepse po përshëndetej vetë me të gjithë, me viset dhe peizazhet e atdheut.

Udhëtonte dhe në retinat e syve të tij fiksohej gjithçka përjetësisht. S’kishte nevojë për vigmën e majëkrahut.

S’kishte ndërmend të shpallte kumtin e vdekjes së tij, sepse ai do të mbijetonte.

Kalonte nëpër relievin e ashpër si në dekorin mesjetar shekspirian.

Migjeni arriti në Durrës më 21 nëntor.

Lëvizi nëpër rrugët e kalldrëmta. Shkelte mbi fragmentet e kohërave të masakruara dhe parandiente një masakër të ardhshme.

Pothuaj i dëgjonte qartë klithmat që vinin nga thellësitë. Gurët e pazë po i ulërinin për patkonjtë e kuajve në shekuj të ndryshëm.

Migjeni e ndiente se ndërlidhej me rapsoditë. Duke ndijuar me të tëra shqisat e tij mjedisin, i ngarkuar me zërat e thellësive me tërë kronikën e qytetit bregdetar, ai lëvizi drejt bregut.

Disa re në horizont ngjanin si butafori e një skene, mbrapa të cilës fshihej një spektakël kanibalësh modernë të shekullit XX. Kanibalët tani provonin nëpër fytyra maskat perandorake të romakëve, ndërsa Gabriel d’Anuncio thurte himne, duke pretenduar rolin e një Virgjili të ri për një “Eneidë” të fashizmit.

Migjeni shihte mbi skenën e errët të politikës ndërkombëtare alarmin e përflakur të Spanjës, që i jepte sinjale përmes kontinentit.

Deti.

Migjenit iu kujtua se para ca kohe kishte lexuar në “Hyllin e Dritës” skicën alegorike të një prifti letrar. Në skicë thuhej: “… mora kah deti dhe brita me të madhe, pale a do të më ndiente ndokush. Zanit t’em iu përgjigj një jehonë e gëzueshme…” Pra, aluzion për pushtimin ushtarak të brigjeve përballë, i “dialogut” me Eneun e mitit virgjilian, që tani Musolini e kishte bërë “shef shpirtëror” të propagandës në shtatmadhorinë e tij të agresioneve ndaj Ballkanit.

Migjeni shkroi në breg të Durrësit këto rreshta: “Madhështia e detit më bani të mendoj subeternitas! E humba ndjenjën e kohës në të cilën jetoj dhe më shkoi mendja te stërgjyshërit tanë husarë që m’u ket ujë, ndër këto dallga husarojshin dhe plaçkitshin anijet e pasura të romakëve. Kush mund ta parashifte se dikur, mbas mija vjetë, stërnipat e këtyre husarëve ilirë me stërnipat e romakëve të pasun, kush e mendonte se do bahen miq, dhe miq kaq të sinqertë?!… “Kjo është një apologji e sarkazmës migjeniane, një kundërparathënie ironike, asgjësuese, për agresionin e ardhshëm fashist në Shqipëri.

Migjeni nuk e pa këtë agresion, por parandjenja e tij qe në logjikën e momentit historik.

Në vijëdet është kulla e rrumbullakët.

Migjeni ka kaluar pranë saj.

Te kulla rrinte ai që do të bëhej heroi i parë i qëndresës popullore në tragjedinë e prillit të dy viteve më vonë, Mujo Ulqinaku.

Ata s’e kanë njohur njëri-tjetrin, por emrat e tyre i ka bashkuar në një kuptim të vetëm historia.

Durrësi është qyteti i fundit i Shqipërisë prej nga ku Migjeni u nis drejt vdekjes së vet, drejt pavdekësisë.

Migjeni pa nga bordi i anijes, midis dallgëve, kështjellën e qytetit dhe ndjeu dhimbje në gjoks.

Nuk qe vetëm tuberkulozi i mushkërive. Tuberkulozi i epokës, ku bacilet ishin plumba, luftanije, avionë, bajoneta, helmeta, zjarre trikëmbëdha.

Ai mund të kollitej gjëmshëm e të nxirrte gjak të paparë për tërë horizontet, tokën dhe detin. Migjeni…

 

 

SHPIKJET E MEDHA

Naim Frashëri ka shkruar për njerëzit e thjeshtë të punës, për bujkun e bariun. Kjo gjë duket te kryevepra e tij “Bagëti e Bujqësi”. Në një libër të tij të shkruar turqisht, botuar në vitin 1881, me titull “Shpikjet dhe zbulimet”, Naim Frashëri trajton nga ana filozofike dhe historike çështjen e shpikjeve të mëdha e të zbulimeve që kanë bërë epokë. Naimi shkruan: “E para nga të gjitha shpikjet është të ndezurit e zjarrit, kurse zbulimi i parë është nxjerrja e metaleve, bërja e veglave të ndryshme të punës, pastaj zbutja e edukimi i kafshëve… Emrat e këtyre zbuluesve dhe mënyrat e zbulimit kanë mbetur të panjohura… Ata që kanë zbuluar gjilpërën, gërshërët, harkun, kazmën e gjërat e tjera, i kanë bërë njerëzimit shërbime shumë më të mëdha sesa pushtuesit e mëdhenj apo filozofët që i kanë mbushur librat e tyre me mendime të kota. Po njerëzimi emrat e tyre nuk i di, duke treguar kështu një mosmirënjohje të së mirës. Kjo ka ndodhur edhe se shumë filozofë të lashtë, gjërave materiale nuk u kanë dhënë rëndësi, por i kanë parë me përçmim. Kështu, filozofi Seneka ka thënë: detyra e filozofëve është të udhëzojnë shpirtin, filozofia nuk duhet të përlyhet me gjërat materiale. Ky mendim i përgjithshëm ishte i padrejtë d.m.th. sipas tij, gjërat materiale shikoheshin me sy përçmimi e nga ana tjetër u jepet rëndësi gjërave të kota, që të shpien në sofizëm, kurse përparimin e vërtetë të shëndoshë e lë në vend. Në 1497 të erës sonë filozofi i vërtetë Dekarti ka shkruar: “Nuk duhet të merremi me gjëra të padobishme, ne duhet të merremi me gjërat që na sjellin dobi, duhet të studiojmë ujin, ajrin, tokën, zjarrin, yjet dhe në këtë mënyrë të bëhemi zotër të natyrës”. Sikur të merreshin fjalët e tij për bazë shumë shpejt do të kishim përparuar.

Pra, Naimi e kupton qartë se filozofia e shkenca duhet të mbështeten te bota materiale, te puna e vazhdueshme e njerëzve të njohur, për të shndërruar natyrën. Kjo është kryesore. Pa punën e njerëzve të thjeshtë, të njerëzve të prodhimit material, të lidhur me shkencën e vërtetë nuk mund të ketë zhvillim dhe përparim. Naimi vë në dukje se “ne nuk presim as si filozofi i vjetër Platoni, as si të rinjtë siç është p.sh. Kondorse (Zhan Antuan Kondorse 1743-1794, sociolog iluminist, i cili qe i krahut të zhirondistëve), se njeriu do të shndërrohet në engjëll ose do të arrihet një botë e begatshmërisë dhe e lumturisë së imagjinuar jashtë mendjes dhe mundësive të njerëzve. Naimi ngul këmbë në punën, në shfrytëzimin e të gjitha mundësive të njeriut për të arritur lumturinë. Në librin e tij “Shpikjet dhe zbulimet” ai do të shpallte se “ati i qytetërimit është liria”.

 

 

POL ELYARI PER SHQIPERINE

Në vitin 1949 erdhi në Shqipëri Pol Elyari. Dhjetë vjet më parë në një letër të tij Elyari i shkruante të bijës së tij Sesilies, më 17 prill 1939, këto rreshta:

“Ma belle Cecile,

Ce matin, vendredi, nouvelle guerre annoncée en Albanie).

Les gens d’ici commencent á avoir des raisons d’avoir peur.”

 

në shqip:

– “Sesilia ime e dashur,

Këtë mëngjes e premte, u lajmërua një luftë e re (në Shqipëri).

Njerëzit këtu kanë filluar të shqetësohen”.

Pikërisht, në ditën e së Premtes së Zezë, kur Elyari shkruante letrën e tij drejtuar së bijës, Mujo Ulqinaku, Hero i Popullit, vritet heroikisht.

Ky shënim i Elyarit është mesazhi i parë i tij për Shqipërinë.

Pol Elyari gjatë vizitës së tij erdhi edhe në Durrës. E shoqëronte Dh.S.Shuteriqi.

Nga Tirana në Durrës udhëtuan me automobil.

Në Durrës Elyari qëndroi vetëm një ditë. Dh.S.Shuteriqi tregon se panë kullën e rrumbullakët, ku luftoi Mujo Ulqinaku me shokë, dhe përkujtoi një fakt kuptimplotë. Ishte Gabriel Peria që shkroi në gazetën “L’Humanite”, në vitin 1939, disa artikuj të shkëlqyer në mbrojtje të Shqipërisë, kundër pushtimit fashist.

Pol Elyari ka shkruar një poezi për Gabriel Perinë. Edhe Peria u vra si hero i kauzës çlirimtare të popujve.

Pol Elyari bëri vizitë edhe në jug të Shqipërisë.

Pa Gjirokastrën si dhe malin Gramoz (për të ka shkruar një poezi). Elyarit i bëri përshtypje të madhe peizazhi shqiptar dhe njerëzit.

Shuteriqi dëshmon se poeti francez u shpreh kështu:

 

“Est-ce possible!

Je n’ai jamais vu de ciel aussi serein

et des coeurs aussi sereins.

Et pourtant,

la tempête fait, rage autor de votre roc.

le ciel ressemble aux coeurs,

En France, il est tout aussi beau.

mais: plaie du coeur – plaie du ciel!

 

në shqip:

 

Si është e mundur?

Unë s’kam parë kurrë qiell kaq të qetë

e zemra kaq të qeta,

E megjithatë,

furtuna po ç’mëndet rreth shkëmbit tuaj

Qielli u ngjet zemrave

Në Francë ai është po kaq i bukur,

por plagë e zemrës – plagë e qiellit!

 

Fragmente poetike. Metafora. Asgjë e plotë, as emblematike. Gjithçka në lëvizje, kalimtare.

Një poet. Një vetëdije plot ndjesi të shumëfishta.

Perceptime të shpejta. E megjithatë në këtë mungesë të plotërisë duket sikur janë gjithë shekujt, mitet e Shqipërisë, tragjeditë e saj proverbiale, shpresa. Tendenca për tek e pamundura. Pra tek poetikja.

 

 

SHPELLA E HAXHI ALIUT

Mëngjes. Me motofllugën e vogël, të quajtur “Peshkatari”, nisemi drejt Kepit të Karaburunit. Gadishulli shkëlqen nën rrezet e diellit. Më tej ishulli i Sazanit. Një dekor i mrekullueshëm guri dhe uji, ajri dhe drite. Në këtë dekor ka mbijetuar një legjendë poetike shekullore, legjenda detare e Haxhi Aliut dhe e trimave të tij. Në Karaburun, pranë Kepit të tij, është shpella ku Haxhi Aliu fuste anijen e tij, tartanën me vela.

Është varrosur në Sazan bashkë me të birin, kur u vra. Jetën dhe vdekjen e tij heroike i ka bashkuar e i ka bërë sintezë kënga e shekujve. I afrohemi shpellës, emri i së cilës shkëlqen në gjeografinë poetike të folklorit të detit. Fryn një fllad i lehtë dhe i freskët.

Pulëbardhat klithin duke u rrotulluar sipër. Mbi dallgët kërcen me shpejtësi një delfin.

 

Haxhi Aliu me të birin

Porsi mbreti me vezirin.

 

Këto dy vargje të mbledhura në shekullin e kaluar nga folkloristi i nderuar rilindas, Thimi Mitko, tregojnë se “mbretëria” e këtij detari dhe të birit të tij qe deti dhe brigjet.

Në kreshtën e valëvitur shkëmbore shfaqet hyrja e shpellës “Suzami” i saj i hapur. Në çastin që futemi brenda të emocionuar ndiem një fërfëllimë. Një tufë pëllumbash të egër dolën nga thellësia e shpellës.

Shpella është e jashtëzakonshme, nga më të mëdhatë e më të bukurat e Shqipërisë, një mrekulli e vërtetë e natyrës. Karaburuni ka një numër të madh shpellash detare, të quajtura karstike, por shpella e Haxhi Aliu është e pakrahasueshme.

Në kanalin e hyrjes ka thellësi. Në krahun e majtë disa shkëmbinj janë shembur, kanë rënë në det.

Futemi brenda, duke vështruar.

Shpella me kulm në lartësi afro 60 metra, të kujton një katedrale gotike. Faqet e brendshme janë plot fole pëllumbash të egër. Një vezullim i çuditshëm e pak i mugët mbush gjithçka.

Fundi i shpellës është në formën e një liqeni të vogël, me ngjyrë blu.

Veshim pajisjet e zhytjes dhe futemi. Xhami i maskës vishet shpejt si me avull të bardhë. Kjo ndodh nga ndryshimi i papritur i temperaturës. Në trup i ndiejmë një rrymë uji tepër të ftohtë: burimi i nënshpellës. Burimi është me ujë të ëmbël.

Në një thellësi afro 20 metra gjejmë një grykë amfore të lashtë të shekullit II para erës sonë. Më tej, një spirancë e vogël e shekullit tonë.

Qëndrojmë pak mbi ujë, në një sop të vogël shkëmbor, në krahun e djathtë. Na vjen të thërrasim: O Haxhi Ali, o Haxhi Ali! Detari trim u vra në gjysmën e parë të shekullit XVII. Detarët e vjetër shqiptarë sa herë kalonin pranë shpellës, hidhnin në det një shishe me vaj ulliri e një copë bukë për shpirtin e Haxhi Aliut.

Një pjesë e shpellës ka gjurmë bloze, gjurmë të zjarreve të ndezur dikur. Haxhi Aliu futej me gjithë tartanën në shpellë, prej nga u dilte me shpejtësi anijeve të huaja që donin të sulmonin dhe i fundoste.

Sipër, duket një tunel që humbet në thellësi të shkëmbit. Ku të çon vallë ky tunel? Mos ka lidhje me pjesën tjetër të Karaburunit? Ky është një motiv për spelologët.

Brenda kësaj shpelle është përherë e gjallë kënga popullore:

 

Haxhi Aliu – Hyri e detit!…

 

Reflekset lëvizin nëpër paretet e shpellës në formën e një kaleidoskopi. Para se të ikim skalitim emrat tanë në shkëmb. Ky është zakon i detarëve shqiptarë.

Në imagjinatën tonë shfaqet tartana me vela të bardha.

Pastaj, rithemi vargjet e këngës.

Përsëri fluturojnë pëllumbat.

 

ISHULLI I ZOGJVE

Bregdeti nga Kepi i Portës në Bishtin e Pallës është i mrekullueshëm. Një peizazh ku toka dhe deti formojnë një unitet artistik.

Një herë, duke ndjekur vijën e bregut me disa djem të rinj zhytës, amatorë të arkeologjisë nënujore, kalova drejt Bishtit të Pallës.

Deti përplasej ngadalë në shkëmbinj.

Disa shkëmbinj dukeshin mbi det, jo shumë larg nga bregu.

Më larg nga të tjerët ishte një shkëmb i madh. Në të vërtetë, dukej si një ishull mes valëve, një ishull në miniaturë.

Mbi të vumë re një tufë zogjsh që fluturonin, uleshin, ngriheshin, cicëronin.

Kjo tufë fluturakësh nuk qe e rastësishme, aq më tepër se ata nuk qenë zogj të detit, por të tokës.

Vendosa të shkoja me not te shkëmbi.

Zogjtë u çuan lart, nisën të vërtitshin mbi kokat tona. Zogjtë kishin foletë në zgavrat e vogla në majë të shkëmbit, ku nuk i kapnin shkulmat e fuqishme të dallgëve.

Ishte hera e parë që po shikoja një ishull zogjsh të tillë.

U ktheva me not në breg. Zogjtë që nga shkëmbi i tyre cicëronin papushim.

Ishulli i zogjve më zhurmëronte (këngëzonte) në kujtesë. Gjatë viteve.

Sepse unë nuk u riktheva më aty.

Një dilemë më përvëlonte.

Isha i sigurtë që kisha shkuar dhe e kisha parë ishullin e zogjve mes detit.

Me këtë vërtetë të përjetuar kishte një kundërvënie: qe gati e pabesueshme që zogjtë e tokës të braktisnin pemët për hir të shkëmbit të vetmuar. Mbase instinkti i zogjve qe një inteligjencë e çuditshme. Për të përzgjedhur diçka të re. S’e di. Mbase.

Fakti m’u bë fantazmagorik, irreal, por jo përrallor.

Arsyeja që s’u ktheva sërish tek ishulli i zogjve qe diçka e kundërt me përjetësimin. Sepse nuk doja të saktësoja më asgjë, as të verifikoja as të zhgënjehesha.

E dija që ishull i zogjve është diku, por nuk dija nëse ishte a do të ishte përsëri, sepse ka ishuj shumë më të mëdhenj dhe më të famshëm që jo vetëm ngrihen befas mbi det por edhe zhduken përfundimisht. Ky status i lëvizjes nuk mund të shmanget, as të ironizohet.

Sidoqoftë ishulli zogjve qe i paharrueshëm.

Si substanca e artit.

 

SPIRANCA

Në lagjen e vjetër të Kodrës së Durrësit jetojnë disa familje detarësh që janë të lidhura me detin me shumë breza. Tregojnë për një detar të quajtur Cen Truma, i cili vdiq gati 120 vjeç. Tërë jetën në det.

Para se të vdiste ndërtoi një shtëpi të re.

Në themelet e shtëpisë vuri një spirancë prej hekuri: simbol i jetës së detit.

Spiranca është ende e murosur në themele. Nipërit e tij sot janë detarë. Ata lundrojnë me vaporë të mëdhenj, por nuk e harrojnë anijen me vela të stërgjyshit të tyre si dhe spirancën në themelet e shtëpisë.

Shtëpia është mbështetur me murin e kështjellës bizantine. Ka një oborr të vogël me plloça guri, ku rriten drurë shegësh dhe lule.

Ka edhe një pus me strukturën prej mermeri të skalitur, tipike e puseve mesjetarë veneciane. Kur hapet porta prej druri tingëllin një këmbanë e vogël bronzi që ka vitin 1793. Këmbana ka qenë e anijes me vela.

Bronzi i këmbanës ringjall gjithçka. Hekuri i spirancës hesht në thellësi.

Po kujtesa auditive e këmbanës është edhe kujtesa e heshtjes së amshuar. Kur nderin rrobat e lara për t’i tharë në disa tela mbi oborr përtërihet papritur vizioni i anijes me velat e valëvitura nga era.

Kështu shtëpia-anije lundron pa lëvizur asgjëkund.

A s’është kjo një mrekulli?

Apo fisnikërim, humanizim i sendeve detare?

A nuk janë eshtrat e njerëzve spirancat e tyre të përjetshme?

 

DURRESI I SHEKSPIRIT

Uiliam Shekspiri në vitin 1593, në moshën 25-vjeçare shkroi veprën “Komedia e keqkuptimeve”. Kjo komedi është mbështetur te komedia antike “Mehnemët” e Plautit e shekullit II para erës sonë, subjekti i së cilës zhvillohej në Epidamn të Ilirisë.

Shekspiri e përmend qytetin Epidamn si një qytet të rëndësishëm detar të pellgut adriatiko-mesdhetar. Kjo komedi gazmore me humor të shëndetshëm e gaz rilindas, me të drejtë është krahasuar me tablonë “Pranvera” të piktorit Botiçeli.

Pra nga Plauti, Shekspiri ka mësuar disa të dhëna për Epidamnin (Durrësin).

Disa vjet më vonë, në vitin 1599, Shekspiri shkruan komedinë “Nata e dymbëdhjetë”. Në hyrje të komedisë Shekspiri shkruan: “Skena zhvillohet në një qytet të Ilirisë dhe në bregdetin që është aty pranë”. Personazh kryesor i komedisë është Orsini, që cilësohet “duka i Ilirisë”. Po për cilin qytet të Ilirisë e ka fjalën Shekspiri?

Ai nuk e përmend asnjëherë emrin e qytetit, ndonëse na jep disa karakteristika të tij.

Në aktin I, skena II, kapiteni që shpëtoi Violan i flet për Ilirinë. Viola e pyet kapitenin: “E njeh këtë vend?” Kapiteni përgjigjet: “E njoh shumë mirë zonjë, tri orë larg më këmbë / është vendi ku linda dhe u rrita unë”. Pra, kapiteni ishte një detar ilir.

Në aktin III, skena III, zhvillohet një dialog midis Sebastianit e Antonios për qytetin që shohin përpara. Sebastiani: “Ç’të bëjmë? Gërmadhat e qytetit do t’i shohim?” Antonio: “Nesër. Më parë do të shohim një dhomë”. Sebastiani: “Unë s’jam i lodhur, akoma nuk është ngrysur/ të lutem shkojmë që të kullosim sytë/ me monumentet e sendet e lashta/ të famshme të qytetit”. Pastaj, më poshtë, Antonio që ka qenë edhe më parë në këtë qytet përmend hotelin me emrin “Elefanti”.

Po cili është ky qytet?

Dy kanë qenë qytetet më të mëdha të Ilirisë. Durrësi dhe Apolonia. Ka disa arsyetime që na lejojnë të mendojmë se qyteti ilir ku zhvillohet fabula e komedisë “Nata e dymbëdhjetë” është Epidamni, dmth Durrësi. Së pari, Epidamnin Shekspiri e ka ditur edhe më parë e madje ka shkruar te “Komedia e keqkuptimeve”. Së dyti, Epidamni është tamam në breg të detit, një qytet port, kurse Apolonia lidhej me detin me anë të lumit, pra ishte një port lumor. Së treti, Plauti te “Mehnemët” përmend një hotel (bujtinë) të qytetit Epidamn. Po një hotel zë në gojë edhe Shekspiri, si të thuash një reminishencë nga Plauti. Së katërti, të tërheq vëmendjen cilësimi i qytetit si një vend me monumente e gërmadha të lashta e të çmuara.

Në kohën e Rilindjes Evropiane antikat ishin bërë objekt admirimi.

Dihet se një përshkrim të monumenteve të Epidamnit e ka bërë edhe Marin Barleti në librin e tij për Skënderbeun, i cili u përkthye edhe në Angli më 1596 nga Zahari Xhons. Këtë libër duhet ta ketë lexuar Shekspiri, sepse ai tre vjet më pas shkruan komedinë.

Përshkrimi i monumenteve i ka bërë shumë përshtypje Shekspirit. Si përfundim mund të themi se qyteti i Ilirisë, në skenën e të cilit kryhet komedia “Nata e dymbëdhjetë” është Epidamni. Durrësi ynë.

Por kjo megjithatë është virtuale, ndonëse miti i saktësisë nuk ekziston dhe as përfillet.

Kemi mase dy qytete: Durrësin historik dhe Durrësin e Shekspirit. Ky dyzim është i hatashëm, një situatë mendore dhe vizuale kapricioze dhe hutuese.

Durrësi i Shekspirit (i cili nuk qe dhe nuk e pa kurrë me sytë e tij këtë qytet) për përparësi shpirtërore e ka një përmasë me universale dhe shëtit në gjuhët dhe popujt e planetit. Durrësi real është aty ku ka qenë në mijëvjeçarë. Shekspiri si me duar magjistari e ka ngritur në ajër dhe e lëviz si planetet dhe kometat.

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Ishulli i suzan u kthy nga turqit ne sazan e detit adria ne adriatik!,,
    Po thuaj troc or mojkom zeqo epidaria e boll na genjyet me ilirine qe mesohet ne shkollat kroate!

  • Respekte I nderuar Moikom Zeqo.Po e ushqeni brezin e ri me perla te kultures shqiptare.Sherbimi I juaj ndaj kombit eshte mbreselenes.Te tille potenciale I duhen kombit.Do te deshiroja te shprehesha edhe per komentin e Benit:Sazani eshte nje emer qe nuk ka te beje me pershtatjet gjuhesore turkea.Pa dashur te deformoj thelbin etimologjik,nje pjese e emrave dhe e toponimeve jane sllave,ku ne kete mes nuk ben perjashtim edhe Sazani.

  • Urime dhe falenderime Prof. Moikom Zeqo’s qe sjelle vertet dije per te nxene mileti-por uroj qe te lexoje sa me shume ky milet se pak lexon…

    nderkohe.me kujtohet nje thenie nga ato qe te mbeten ne mendje nga Condorse: ” Do te vij dita kur dielli do te ndricoje njerez te barabarte, ata do te dallohen midis tyre vetem nga forca e arsyes..” a thua do te vij kjo dite ndonjehere ?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *