Një javë më parë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit hapi dyert, pasi kishte vënë drynin që në vitin 2011, për efekt rikonstruksioni. Një qytet, për të cilin thuhet se një nga potencialet kryesore të zhvillimit ka turizmin; pa një muze duket absurd. Por tashmë, prej 7 ditësh, muzeu hapi dyert për vizitorët, duke shpalosur hapësira dhe një strukturë të re.
Për rreth 65 vjet histori, ky muze ka qenë një hapësirë e rëndësishme e historisë së qytetit ndër vite. Gjithçka e zbuluar në nëntokën e qytetit që u ndërtua në shekullin XII-XI para Krishtit, u ruajt në këtë ndërtesë, si shenja e një kujtese që nuk duhet humbur.
Janë të shumtë arkeologët, të cilët, me punën e tyre, mundën të nxirrnin në pah thesare, që tregojnë individualitetin e një prej qyteteve më të mëdha të Mesdheut të lashtë dhe mesjetar. Një nga pikat më të vizituara nga turistët që mbërrijnë çdo ditë në këtë qytet, muzeu nuk i përkiste më vetëm qytetit, por ishte si një stacion nga ku mund të shihje historinë e vendit. Pesë vitet e fundit, ai u mbyll për t’iu nënshtruar një rikonstruksioni. Qenë të shumta kritikat e kësaj zgjatjeje në kohë të një procesi që ishte paralajmëruar të përfundonte herët.
Më shumë se 2400 objekte janë të ekspozuara tashmë me një ndriçim më modern. Për të folur më shumë për këtë objekt të rëndësishëm të kulturës të Shqipërisë së mesme, ne kemi ftuar në një bisedë me Ditën drejtorin i tij, Ledion Lako, i cili na tregon se si është konceptuar linja e re muzeore dhe si e sheh nëntokën e Durrësit në sfidën e përditshme me ndërtimet e reja.
Z.Lako, ju prej sa kohësh mbani postin e drejtorit të Muzeut Arkeologjik në Durrës dhe si ka qenë për ju kjo kohë?
Prej një viti jam në krye të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, institucion ky që varet nga Ministria e Kulturës dhe ka si funksion administrimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale në një rajon mjaft të gjerë. Ky rajon përfshin territorin e katër qarqeve: Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Muzeu Arkeologjik i Durrësit është në varësi të kësaj drejtorie dhe administrohet nga një sektor i veçantë i saj.
Vetëm një javë më parë, Muzeu Arkeologjik u rihap. Pse zgjati kaq shumë rikonstruktimi i tij?
Muzeu iu nënshtrua një projekti rikonstruksioni dhe përforcimi të godinës, projekt që nisi në vitin 2011 dhe në të cilin u investuan rreth 1 milion dollarë. Nuk është mbushur ende një vit nga koha kur u ngrit grupi i punës nga Ministria e Kulturës, i cili evidentoi se objektet arkeologjike ishin të shpërndara në mënyrë kaotike dhe të patrajtuara, gjithashtu dhe në ambientet e jashtme u konstatuan probleme të shumta. Objektet arkeologjike që tashmëe janë koleksione muzeale dinjitoze, na u desh t’i pastronim një për një, t’i trajtonim për t’i konservuar dhe për t’i prezantuar denjësisht, të bënim katalogimin dhe inventarizimin e plotë të tyre dhe më pas t’i ekspozonim. Në ambientet e jashtme na u desh të bënim drenazhimin për të sistemuar ujërat që mblidheshin nga reshjet e shiut, të hiqnim rreth 100 kamionë me mbetje dhe ta mbillnim me bar dekorativ. Për të bërë të mundur sistemimin e ambienteve të jashtme, ndihmë të madhe na dha Bashkia Durrës dhe Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës.
Tanimë që muzeu është rikonstruktuar, çfarë ka ndryshuar në të?
Në katin e parë të muzeut janë të ekspozuara 2412 objekte arkeologjike, që fillojnë me periudhën prehistorike, arkaike, klasike, helene dhe romake. Ajo që ka ndryshuar është një ekspozim më cilësor dhe i kuruar në detaj. Gjithashtu, objektet iu nënshtruan një për një, trajtimit konservues mjaft të imët dhe të plotë, duke evidentuar vlerën e tyre shumë më mirë se më parë dhe duke marrë këtë pamje dinjitoze që kanë sot. Tashmë është i hapur për publikun dhe turistët vetëm kati i parë i këtij muzeu, ndërkohë që jemi në proces pune për hapjen e katit të dytë, që parashikon ekspozimin e fondit të periudhës bizantine dhe osmane, si dhe kati i tretë, ku do të prezantohen objektet e zbuluara nga arkeologjia nënujore. Ekspozimi ruan linjën kronologjike, nga e majta në të djathtë, sipas periudhave të qytetërimeve antike që kanë shënuar të shkuarën e largët të qytetit.
A ka qenë i vështirë ky proces dhe a janë kthyer të gjitha objektet në muze?
Objektet janë trajtuar në mënyrë që të konservohen dhe të marrin pamjen e denjë për ekspozim. Objektet që iu nënshtruan restaurimit në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës u rikthyen në muze, pjesa tjetër e procesit të pastrimit dhe konservimit të të gjitha objekteve të katit të parë u krye brenda ndërtesës së muzeut, nga një grup pune prej ekspertësh restauratorë të IMK dhe DRKK Durrës.
Çfarë u ofron ky muze turistëve shqiptarë, por sidomos të huajve?
Koleksione muzeore të çmuara dhe të ekspozuara denjësisht, interes historik, kulturor, artistik dhe një hapësirë që tregon seriozitet, respekt dhe bashkëpunim në shërbim të trashëgimisë kulturore. Të gjitha objektet që ndodhen në Muzeun Arkeologjik janë autentike dhe janë gjetur në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij.
Shpesh herë flitet që Durrësi është “masakruar” nga ana e objekteve kulturore, ndërtimet pa kriter e kanë zhvlerësuar atë… Si e shihni ju këtë gjendje?
Këto janë fenomene që kanë ndodhur si rrjedhim i një tranzicioni të gjatë, i një shoqërie të papërgatitur, të ndodhur nën presionin e një hapjeje të papritur. Në këto kushte, trashëgimia kulturore nuk përbënte vëmendjen kryesore të shtetit dhe shoqërisë dhe ndërgjegjësimi nuk ishte në nivelin e tanishëm. Dëmtime ka patur shumë dhe shumë herë edhe të pariparueshme. Ne po punojmë për të ruajtur, mbrojtur, mirëmbajtur dhe promovuar të gjitha monumentet dhe objektet arkeologjike dhe të zbatojmë ligjin për trashëgiminë kulturore.
Sa e ka dëmtuar urbanizimi qytetin?
Duke qenë se Durrësi ka një specifikë të veçantë, që shtrihet i gjithi mbi qytetin e vjetër, çdo ndërtim paraqet rrezik arkeologjik për qytetin. Gjithashtu, kjo është një çështje me ndjeshmëri të madhe, pasi përmban konflikt të madh interesash midis arkeologëve dhe studiuesve dhe ndërtuesve apo pronarëve të trojeve përkatëse. Mund të parashtrohet si konflikt midis interesit publik dhe atij privat. Komenti im personal është padyshim pro interesit publik, të cilin kam detyrë institucionale ta mbroj, pra në përputhje të plotë me ligjin për trashëgiminë kulturore.
Cili është objekti më i veçantë apo më i rrallë që gjejmë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit?
Ka mjaft objekte me vlera të mëdha, si shtatorja e perandorit romak me mburojë, që mendohet se mund të jetë e perandorit Neron, Perëndesha e pjellorisë, koleksionet e qeramikave të pikturuara, koleksioni i statujave të vogla të Artemisës, prodhimet e qelqit, zbukurimet e grave prej ari, etj etj.
A ka ky qytet ende për të zbuluar për sa i përket arkeologjisë?
Natyrisht që ka shumë, por, për fat të keq, zona arkeologjike ndodhet nën qytetin ekzistues dhe ne mendojmë se shumë thesare fshihen nën këmbët tona. Shumë zbulime të këtyre pasurive do t’u takojnë brezave të ardhshëm.
Një muze është shumë i rëndësishëm për një qytet që frekuentohet nga turistët, prisni fluks vizitash në këtë vend dhe çfarë mund të bëni për t’i joshur më shumë ata?
Mendojmë se hapja e Muzeut do ta rrisë ndjeshëm ofertën turistike të qytetit të Durrësit, për vetë vlerën që përfaqëson. Por nëse nuk punohet për ta gjallëruar dhe për të tërhequr interesin ndaj tij, duke përmirësuar komunikimin me audiencën, muzeu rrezikon të mos arrijë të plotësojë as nevojat e tij për mirëmbajtje.
Hyrja në muze është me biletë apo falas?
Ne po vazhdojmë të operojmë me biletën ekzistuese prej 300 lekësh, që ofron vizitë në muze dhe amfiteatër. I kemi kërkuar ministrisë që bileta e muzeut të ndahet më vete dhe jemi në pritje të një urdhri të ri.
Keni menduar që t’i shtoni objekte të tjera këtij Muzeu?
Objektet që do të zbulohen në vazhdimësi, pasi t’i nënshtrohen ekspertizës shkencore, do t’i shtohen fondit të muzeut, nëse plotësojnë parametrat e tij. Muzeu i rinovuar do të funksionojë me një vizion të ri, Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të jetë një destinacion i rëndësishëm arkeologjik dhe kulturor, me program dhe aktivitete që do t’i shërbejnë një audience të gjerë dhe të larmishme. Ne do të punojmë për t’u shërbyer nevojave dhe pritshmërive të një komuniteti dinamik, si dhe për të pasur një ndikim afatgjatë mbi miqtë e muzeut.
E VERTET