Dy aksidente të rënda u regjistruan mëngjesin e sotëm në aksin Elbasan–Tiranë. Aksidenti i parë ndodhi në vendin e “Ara e Sollakut” në Kthesat e Qafë Krrabës, ku një autoveturë tip Benz me targa EL 18 59 B, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë, duke shkaktuar plagosjen rëndë të drejtuesit, Spiro Geleci. Mjeti është konstatuar nga policia rrugore, gjatë një inspektimi rutinë. Efektivët e policisë e kanë nxjerrë shoferin nga mjeti dhe e kanë dërguar në spital, ku mësohet se gjendja e tij është e rëndë.
Ndërkohë, një tjetër aksident ka ndodhur në vendin e quajtur Çezma e Kasinies. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar plagosjen e lehtë të dy personave. Policia tha se shkak i aksidenteve është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe lagështira në rrugë.