Sipari ra. Deri këtu ishte kulmi i kureshtjes popullore i inskenimit (siç e quajti Prokuroria) të ngjarjes “Doshi”. Pas kësaj procesi do ndjekë rrjedhën si gjithë proceset e tjerë gjyqësorë që kanë bërë “bujë” në opinionin brenda dhe jashtë vendit.
Po për llogari të kujt u bë arrestimi i dy deputetëve nga Veriu?!… Për llogari të çlirimit nga akuza si vrasës për Kryetarin e Kuvendit? Për llogari të dekriminalizimit të politikës shqiptare? Apo për të çjerrë maskën e këtij Kuvendi të zgjedhur nga kryetarët e Partive?
Nëqoftëse do të ishte për të çdëmtuar kryetarin e Kuvendit, do të kujtoja se, në vendin tonë ka pasur dëme tragjike me ekzekutime mafioze, dosjet e të cilëve po myken në raftet e prokurorisë. Por veç kësaj, kjo ngjarje mund të zhvillohej e qartësohej edhe pa derdhjen e gjithë këtij “arsenali armësh” institucionesh, mediash, individësh, ndërhyrjesh e protestash, gjë që s’ndodhi për krimet e vitit 1997, tragjedinë e Gërdecit, 21janarit, vrasjet mafioze etj. Unë mendoj se ajo ishte një çështje që mund të zgjidhej edhe midis protagonistëve, Ilir Metës e Tom Doshit, qoftë në mënyrë shoqërore, qoftë në rrugë gjyqësore. Besoj se do të ishte një zgjidhje paqësore, burrash e politikanësh të urtë. Por kjo do të ndodhte nëqoftëse brenda nuk do të kishte pabesi, djallëzi dhe keqdashje jo vetëm mes tyre, por edhe të tjerëve që u interesonte ky konflikt. Dhe se ishin këto, ndaj edhe u bënë gati “trekëmbëshat”, “skuadra e pushkatarëve”, “karrigia elektrike”, puçet e kurthet e më në fund të gjitha këto mbetën ca dëshira e parashikime cinike, të menduara keq. Përfundimisht, para gjithë atyre ngjarjeve të mëdha e të rënda që kanë ndodhur në politikën shqiptare dhe në tranzicionin dramatik te ne, çështjen “Doshi”, duhej ta trajtonin si një çështje individësh, siç kanë pasur edhe në raste të tjera të dy palët e jo si një problem politik, shtetëror e shoqëror. Ndofta nuk i lanë dhe as i ndihmuan që të mos ndodhte kjo që ndodhi.
Do të ishte mirë që arrestimi i këtyre deputetëve të bëhej për dekriminalizimin e politikës shqiptare. Por a mund të mendojmë kështu, kur në Kuvendin shqiptar e në institucionet politike ne shohim të krekosen e të ulërijnë ata që e kanë rrjepur këtë popull, që i shitën vatanin, që kanë vrarë e kanë plaçkitur, që e kanë qeverisur këtë popull jo si të zgjedhur të tij, por si shfrytëzues e gjakësorë. Nëse do të fillonte nga këta goditja, atëhere do të besonim se politika shqiptare po dekriminalizohet, se padronët tanë ndërkombëtarë janë humanë e të drejtë.
Si dhe herë të tjera, kur Ambasada e SHBA dhe BE në Tiranë dolën me deklarata inkurajuese për Partitë politike dhe Organet e Drejtësisë, në popull ato krijuan një atmosferë entuziaste. Ishin edhe ca veprime të tjera, që na lanë përshtypje se këtë herë lufta për dekriminalizimin e politikës shqiptare po fillonte nga Kuvendi duke goditur të korruptuarit, kusarët, trafikantët, urdhëruesit e vrasjeve, etj. Një ndër to ishte edhe lista e grupit parlamentar të miqësisë me SHBA dhe me Australinë. Pas kësaj, edhe prokuroria filloi menjëherë dhe me shpejtësi veprimet procedurale për çështjen “Doshi”. Por në krahun tjetër, PD nuk linte të humbiste kohë duke organizuar protesta kundër Kryetarit të Kuvendit, të cilat janë katandisur si ato grumbullimet e tifozëve para portave të stadiumit që shtyhen të hyjnë për të parë ndeshjen e radhës. Krerët e saj çdo ditë hedhin nga një shashkë tjetër, por të gjitha për urrejtje ndaj Ilir Metës që u iku nga ngrehina e tyre që po rrëzohej dhe u kthye atje nga ku u nis.
Kur u gatua kjo ngjarje, mund të jenë bërë shumë llogari, por kur më pas rrodhën pasoja të paparashikuara, të gjithë morën prodhimin e farës që hodhën. Në ballafaqimin me prokurorët, Tom Doshi u drejtonte gishtin atyre duke i akuzuar për pandershmëri. Mark Frroku paralajmëronte, se kjo që po i ndodhte atij, do t’u ndodhte edhe të tjerëve. Në Parlament opozita me në krye Sali Berishën reagonte sikur t’i kish plasur bomba në dorë. Në atë moment, kur Edi Rama për shkak të të tjerëve përplasej me Sali Berishën, do të dëshiroja të mendonte, se çfarë parlamentarë ka përzgjedhur për të realizuar pikësynimet e Qeverisë së tij. Vetë shpresoj se duart e lidhura të dy deputetëve t’u ketë prishur qetësinë edhe të tjerëve që janë më fajtorë se ata.