Dy burgime të përjetshme kërkoi në pretencën e djeshme Prokuroria e Matit, ndaj dy të pandehurve dhe 25 vite të tjera burg për bashkëpunëtorin e tyre, për varrosjen e gjallë me pasojë vdekjen të kamerierit Fatjon Barmeta, një krim me motive pasioni e xhelozie. Ndërsa Gjykata e Rrethit i ka lënë kohë avokatëve të përgatisin konkluzionet e tyre për të pandehurit para se të jepet verdikti final. Përparim Boja dhe Fatjon Cani akuzohen se pasi kanë marrë në lokal ish-kamerierin 23-vjeçar, e kanë qëlluar me sende të forta në kokë dhe më pas e groposën poshtë një ure në zhavorr. Barmeta u gjet vetëm pak orë pasi kishte ndërruar jetë, sepse sipas ekspertëve, autorët e kishin groposur të gjallë. Kurse Luis (Astrit) Boja, vëllai i Përparimit, akuzohet si bashkëpunëtor në krim dhe për të u kërkua një çerek shekulli burgim. Gjatë proceseve gjyqësore të zhvilluara prej më shumë se një viti, tre të pandehurit janë mbrojtur për ngjarjen, duke mohuar autorësinë. Por sipas organit të akuzës, ka prova të mjaftueshme, mesazhe telefonike, thirrje, kërcënime të kryera nga të dyshuarit dhe gjurmë të gjetura në lokal. Seanca e radhës u la më 4 qershor, ku do të paraqesë konkluzionet pala mbrojtëse.
Krimi makabër
Ngjarja ndodhi më 22 nëntor të vitit 2012, në Klos të rrethit Mat. Fatjon Barmeta kishte punuar si kamerier në lokalin e vëllezërve Boja për pak muaj. Pas konflikteve që kishte pasur, ku përparim Boja pretendon se 23-vjeçari i ngacmonte bashkëshorten dhe i bënte shantazhe për lekë, Fatjoni largohet dhe shkon në Tiranë. Gjatë një udhëtimi nga kryeqyteti për në Burrel, merret peng dhe më pas nuk kthehet në shtëpi. Babai i të riut denoncoi zhdukjen dhe hodhi dyshime tek vëllezërit Boja. Derisa tre ditë më pas policia zbuloi trupin të groposur në zhavorr poshtë urës së Klosit. Nga hetimet rezultoi se tre të pandehurit e kishin keqtrajtuar derisa Barmeta humbi ndjenjat. Duke kujtuar se kishte vdekur, e kanë dërguar me makinë buzë lumit dhe aty kanë hapur me skrepin e Canit një gropë dhe e kanë varrosur gjysmë të gjallë. Në mungesë të oksigjenit dhe i asfiksuar, 23-vjeçari ka dhënë shpirt sepse nuk mund të dilte nga gropa ku ishte futur. Sipas ekspertëve, nëse trupi do të gjendej 4 orë më parë, Barmeta mund të gjendej i gjallë, e me mundësi shpëtimi në varësi të dëmtimeve që kishte. Gjithashtu u konstatua se kamerieri kishte mbijetuar i groposur për 48 orë.

Ekzekutimi do ishte nje zgjidhje me e pranueshme…..arsyeja se burgosja perjete u kushton taksa pagueseve shqipetare.
Te njejten mendim dhe une se mendoj se ne vitet e ardheshme do t”u jepet ndonje amnisi e ku i dihet dhe fitojne lirine e pamerituar !!!
Më vjen keq që është hequr dënimi me vrasje :'( se këta kështu e meritojnë.