Kequshqyerja është një ndër shkaktaret që po ngarkon shëndetin e shqiptarëve me komplikacione të shumta, e së fundmi po manifestohet në mënyrë problematike edhe tek moshat shkollore. Strukturat shëndetësore tregojnë praninë e çrregullimeve edhe në të ngrënë, të cilat nëse nuk marrin kujdesin e specializuar në kohë, mund të mbartin pasoja të rënda.
Sipas ekspertëve të shëndetit, çrregullimet e të ngrënit fillojnë në moshën e adoleshencës, dhe janë më të shpeshta tek vajzat se tek djemtë. Numri i të rinjve me çrregullime të ngrënit është i vogël, por personat me këto çrregullime mund të kenë pasoja serioze në shëndet, dhe në rastet kur nuk trajtohen, pasojat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Personat me çrregullimet e të ngrënit, e shohin peshën e trupit si qendrën e identitetit dhe lumturisë së tyre.
Dy çrregullimet më të shpeshta të të ngrënit janë: “Anoreksia nervore, çrregullim ky që shfaqet tek personat që kanë frikë intensive të shtimit në peshë dhe refuzojnë të ushqehen, si dhe Bulimia nervore, e cila shfaqet tek personat që ushqehen në mënyrë të tepruar dhe këtë sasi të madhe ushqimi e eliminojnë duke e vjellë”.
Bulimikët kanë peshë normale, ndërsa anoreksikët janë ekstremisht të dobët. Mjekët bëjnë me dije se të dyja këto forma të çrregullimit të ngrënies nuk duhen neglizhuar pasi në të kundërt pacienti mund të përballet me pasoja fatale.
Është mjeku specialist ai që vendos në lidhje me kujdesin dhe terapinë që duhet të ndjekë fëmija, për të shpëtuar nga ndërlikimet e shumta që mund të vijnë pre j tyre, të cilat vonojnë zhvillimin e rritjes së fëmijës, si dhe kufizimin e intelektit të tyre.
Dita
