Dy dëshmorë të Luftës Antifashiste, Meriman Braha dhe Ibish Milaimi

Ornela

 Sali Onuzi

(nga kujtimet e Rasim Gurit dhe te Shaban Brahës)

Me 10 e 11 korrik 1944, në Bicaj e në gjithë Lumën do të përhapej gjëma e rënies së Meriman Brahës dhe Ibish Milaimit (dëshmorë të Atdheut), të dy pjesëtarë të batalionit partizan të Lumës. Të dy të rinj, njëri zëvendëskomisar i batalionit dhe komisar kompanie, tjetri partizan, mitralier, do të ndjente dhimbje e do të përmblidhte forcat e saj drejt çlirimit. Jeta dhe lufta tyre do të behej simbol i qëndresës kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Meriman Jakupi ( Braha) ishte yll i rinisë bicjane dhe lumjane. Familja dhe fisi Brahajve nuk shquhej as për pasuri e as për të varfër, por ishin të pasur në tradita atdhetarie e luftarake. Merimani kish mbaruar shkollën në Bicaj shkëlqyer dhe kishte fituar të drejtën të vijonte studimet në shkollën e mesme në Shkodër. Aty ish bërë anëtar i grupit komunist, për shkak të veprimtarisë së të cilit më 1937 do të arrestohej.

Pas mbarimit të shkollës caktohet sekretar i Odës së tregtisë në Prizren, si dhe shoku i tij Emin Duraku që u caktua në të njëjtin pozicion në Gjakovë. Prizreni, qendër e lëvizjes patriotike e kulturore, kishte qenë gjithnjë (deri më 1912)dhe ishte bërë përsëri qendra e Lumës. Aty ishin punësuar shumë bicjanë dhe lumjanë, komunistë, intelektualë e patriotë, si Merimani, Abaz e Hysni Shehu, Beqir Spahiu (Dëshmor i Atdheut), Xhevdet Doda ( Dëshmor i Atdheut) etj. Ata agjitonin e vepronin hapur kundër pushtuesit fashist italian, edhe në Bicaj e në Lumë. Si komunist i grupit te Shkodrës, Merimani që në maj 1941 kishte aderuar në organizatën e partisë së Prizrenit, madje ishte zgjedhur sekretar i një celule dhe anëtar i forumit të partisë së këtij qyteti.

Me 28 nëntor 194, Prizreni si shumë qytete të tjerë të Shqipërisë do të gjëmonte nga demonstrata e fuqishme. Meriman Jakupi ishte një nga organizatorët kryesorë të saj. Fashistët pasi e arrestuan, për mungesë provash e liruan, por në shkurt 1942 e arrestuan përsëri dhe të bindur se ishte një nga figurat e rëndësishme të lëvizjes antifashiste, e dënuan dhe dërguan në burgun politik të Tiranës. Në një skëterrë të vërtetë, ku hetuesia bëhej nëpërmjet torturave psikologjike dhe fizike nga më të rëndat dhe ish gati e pamundur të dilje gjallë prej andej. Merimanit i kërkojnë emrat e aktivistëve ilegalë të Prizrenit, të Gjakovës dhe te Kukësit. Një natë të errët e nxjerrin ne bregun e lumit të Tiranës, mu përballë Babrrusë dhe i kërkojnë : o emrat o vdekje. Merimani nuk flet.

Meriman Braha

Meriman Braha do të zgjidhej zv/sekretar i organizatës së partisë së burgut politik të Tiranës dhe bashkë me Ali Demin ( sekretar) do të organizonin gjithë veprimtarinë antifashiste brenda burgut. Në lidhje të ngushtë me qarkorin e partisë komuniste të Tiranës, të burgosurit hapën tunelin ( që tanimë e njohin të gjithë nga filmi artistik “ Njësiti gueril”) dhe prej andej arratisen 27 të dënuar politik, të cilët matanë rrugës i siguronte dhe i priste njësiti gueril i Tiranës, Myslym Keta ( Hero i Popullit) dhe Adnan Qatipi, të dërguar më urdhër të Gogo Nushit, sekretar politik i Partisë komuniste për Tiranën. Arratisja nëpërmjet tunelit pati bërë bujë të madhe atëherë.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, Merimani kthehet në Bicaj.Për shkak të burgut të rëndë shëndeti i tij ishte shkatërruar. Ai djalë i bukur ishte dobësuar e zverdhur dhe aty te dera e oborrit të shtëpisë vuri dorën mbi trungun e një peme që të mbahej.

I deleguari i Komitetit Qendror të Partisë për Lumën, Abedin Shehu i dërgon në shtëpi një pushkë dhe një pistoletë. Dy ditë më parë ( me 9 shtator ) ishte organizuar çeta partizane e Lumës, dhe Merimani inkuadrohet menjëherë. Ashtu siç rivendosi lidhjet me udhëheqjen e partisë e të Lëvizjes ANÇ të Lumës , i rivendosi shpejt edhe me atë të Prizrenit ( Xhavit Nimani etj). E gjithë familja e tij nga i ati, Jemini e deri te vëllai i vogël Shabani, e motra Lihja ( Dëshmore e Atdheut), ishin përfshirë në Lëvizje dhe në Luftë.

Me  Çetën e me pas me Batalionin në Lumës, Meriman Jakupi është kudo, fshat më fshat, shtëpi në shtëpi, dimër e verë, edhe në Sasatin e Nangëve në Gjallicë, edhe te stani i Bratit, edhe në ahishten e Kolesjanit , edhe në Prizren e në Bicaj. Bashkëbisedon me njerëzit dhe mban gjallë shpresat e çlirimit. Çeta kish pritur, strehuar e siguruar nëpër fshatrat e Lumës pjesë të forcave partizane të Dibrës, të Tropojës, të Shkodrës e të Kosovës që kaluan këtu gjatë e pas operacionit të dimrit. Meriman Jakupi dhe shokët e tij, Abedin Shehu, Njazi Hoxha, Rasim Guri,Ramadan Halili, Hysni Shehu , Imer Domi, etj ishin në krye të kësaj veprimtarie të madhe strehuese, sigurimi dhe përgatitjeje për luftime të reja.

Më 14 maj Merimani do të ishte bashkë me Ibish Milaimin etj në aksionin që kreu Çeta e Lumës në bashkëveprim me batalionin “Bajram Curri” të Tropojës dhe batalionin “Perlat Rexhepi” të Shkodrës te Kulla e Lumës kundër garnizonit gjerman, që siguronte rrugën Kukës – Prizren. Thyhet kështu miti i paprekshmërisë së forcave gjermane në këtë rrugë. Populli shikon qartë se kush lufton pushtuesit dhe kush bën sehir e bashkëpunon me të.

Në verë 1944 forca të shumta të Ushtrisë NÇ kanë kaluar në Veri dhe në Dibër zhvillohen beteja të ashpra. Brigadat e Divizionit I dhe forca partizane të Dibrës dalin fitimtarë. Në fillim të korrikut, Meriman Jakupi (Braha )me një pjesë të batalionit të Lumës është përreth Peshkopisë, e cila kalon sa në një dorë në tjetrën, deri sa çlirohet përfundimisht. Më 8 korrik 300 forca partizane te batalionit te Dibrës, të batalionit II të Brigadës IS dhe të batalionit të Lumës sulmojnë kundër forcave të H. Alisë. Kur diskutohej plani operativ me 7 korrik, Meriman Braha, zv/komisar i batalionit të Lumes pyet, diskuton dhe bën vërejtje, sepse i duket jo aq i mbështetur vendimi , i pasiguruar nga krahët e i nxituar. Po shtabi operativ vendos. Me 8 korrik sulmi fillon dhe dështon. Me datë 8 dhe 9 bien disa drejtues të batalioneve të Dibrës dhe të Brigadës I S. Me datë 10 korrik bie edhe zv/komisari i batalionit të Lumës, Meriman Jakupi ( Braha).

Ibish Milaimi

Pas dështimit të sulmit mbi Fushe-Alije forcat partizane tërhiqen në Gramë të Korabit. Andej ka shkuar edhe kompania e batalionit te Lumës, por mitralieri Ibish Milaimi e ndonjë tjetër, që tërhiqet i fundit në mbrojtje të shokëve ,humbasin lidhjet me kompaninë e tyre. Nisen dhe vendosen në Bicaj, në pritje të informacioneve. Po forcat xhandare kuislinge e kane diktuar. Ibishi rrëmben mitralozin e tij dhe zë pozicion në fund të një are në breg të përroit në perëndim të Bicajve. Xhandarët e rrethojnë. Janë një dyzinë. I bëjnë thirrje të dorëzohet. Mitraliozi i tij hap zjarr. Nuk e njeh dorëzimin. Është i ri, vetëm 18 vjec, por është një partizan me përvojë, anëtar i njësitit partian dhe i Cetës së Lumës që në krijimin e saj. Është i ri komunist. Nuk ka një pozicion të fortifikuar, lufton në fushë të hapur. Është plagosur rëndë që në pushkët e para, po xhandarët nuk i afrohen dot. Mitralozi i tij jehon luginave të Drinit, shpatit të Gjallicës e Rrafshit të Lumës, si thirrje për qëndresë. Kur po e linin fuqitë gropos diku  dokumentet që kish. Mbaroi, për tu mbuluar me lavdi.

Pak ditë më vonë në vend të tij rreshtohet i ati, Milaimi. I vëllai Rushiti ishte po ashtu i ri komunist dhe veprimtar i  Çetës. Shtëpia e Milaimit, Ibishit dhe Rushitit ishte një bazë e sigurtë e Luftës NCl. Edhe familje të tjera të Fejzollarëve si ajo e Asllan Nebisë, Bajram Avdisë qenë lidhur ngushtë me Lëvizjen dhe Luftën NÇ. Bicaj në tërësi ishte qendra e Lëevizjes antifashiste dhe Luftës NÇ të Lumës. Aty do të krijohej shpejt edhe Brigata e 24 S.dhe djemtë e Lumës do të luftonin e do të derdhnin gjak për Çlirimin e Tiranës dhe të Shkodrës.

Emrin e Meriman Brahës e mban Spitali Rajonal i Kukësit.

Lavdi veprës dhe emrit te tyre !

 

Share This Article
4 Comments
  • Meriman Braha dhe Ibish Milaimi dy nga 28 mije yjet qe jane nderi dhe lavdia e popullit tone. Ata kane jo vetem Lumen, por nje atdhe te tere ku prehen. Faleminderit Sali qe nuk te rresht pena dhe e ke mission te jetes tende si historian freskimin e kujteses tone per epopen e Luftes Antifashiste. Urime

  • Sali Onuzi ,
    Të falënderoj për shkrimin , vetë unë jam nga Jugu dhe di për shumë luftëtarë të shquar antifashistë të krahinës sime , por , më bëhet zëmra mal kur lexoj për këta djem idealistë lumjanë !

    Bëmat dhe gjëmat e mercenarit Halil Alia dhe të Selim Kaloshit unë i kam përjetuar fëmijë , kur këta , bashkë me forcat fashiste italiane erdhën të na shtypnin .

    Demokracia fashiste shqipëtare e ka hero Halil Alinë , si Mit’hat Frashërin etj.

    Sali ,
    Shqipëria ka rënë në dorë të një bande neofashiste, ne të gjithë kemi tradhëtuar gjakun e deshmoreve , ne jemi të turpëruar , sa kohë që jetojmë në paqe me plehërat fashiste !

  • Teshkruhet eper clirimtaret dhe deshmoret e atdheut, qe mos te lejohet enia e mjeg ulles se harreses,sepse kete nuk na i fal as liria e as populli qe ende jeton brez pas brezi ne kete atdhe te bukur,te lire dhe te pasur.Atdheu mbi te gjitha!Shqiperia e shqiptareve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *