Tre vjet më parë qeveria shqiptare deklaroi me bujë privatizimin e sektorit të shpërndarjes dhe shitjes së energjise elektrike në Shqipëri te konsumatorët. Kompania private çeke e bleu këtë pronë publike për 120 milionë euro. I dha paratë menjëherë dhe deri në euron e fundit. Pas tre vitesh, sot kompania CEZ deklaron se kompanitë publike të shtetit shqiptar i kanë borxh afro 120 milionë euro energji të dhënë dhe të papaguar, ndërkohë që kompania shtetërore KESH e prodhimit të energjisë ankohet se CEZ Shqipëri i ka 100 milionë dollarë energji të dhënë dhe të papaguar.
Askush këtu tek ne nuk e përdori fjalën dështim, por këtë e tha me forcë në një deklarim publik përfaqësuesja e Bankës Botërore për Evropën Qëndrore dhe Juglindore, Xhejn Armitazh. Ajo u shpreh: ”Jemi thellësisht të zhgënjyer për sa i përket ecurisë së privatizimit. Grupi CEZ ka eksperienca të suksesshme në shumë vende të tjera, por ekipi këtu në Shqipëri me sa duket nuk ka mundur ti zgjidhë problemet. Ndajmë të njëjtin zhgënjim me qytetarët”. Nuk mendoj se mund të gjenden fjalë më të duhura për të përcaktuar një privatizim të dështuar.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare është shndërruar prej kohësh në një kompani “mëmë” që mban me para strukturwn e privatizuar tw shpwrndarjes sw energjisw tek ne. KESH hedh 18.2 milionë euro në muaj që kompania private qw furnizon shqiptarwt me energji, ndërkohë që kjo e fundit nuk i kthen asnjë qindarkë për faturat, qoftë dhe nga paratë e gjysmë-arkëtimeve qe realizon.
Qeveria shqiptare po mendon procedurat për heqjen e licensës së CEZ nw Shqiperi, ndërkohë që kërkon dhe një avokat të huaj për zgjidhjen e konfliktit me sa më pak pasoja. Në fakt, kompania çeke është gati të largohet nga Shqipëria, mjafton që të marrë garancinë 60 milionë euro, të bllokuar nga Banka Botërore.
E gjithë kjo situatë gjithcka mund të quhet, por kurrsesi jo sukses në privatizim. I kujt është faji ? Askush nuk ngre gishtin për askënd. E megjithatë përgjegjësia duhet të dalë, madje deri në detaje, që kjo gjendje të mos përsëritet më me pasoja të pallogaritshme për qytetarët e këtij vendi dhe financat publike.
Dështimi i dytë është më i vështirë për t’u quajtur i tillë, megjithatë të gjitha gjasat deri tani nuk jane të mira për ta quajtur sukses epokal-shitja e Albpetrol. Oferta e cilësuar e “çmenduar” prej 1 miliardë USD i befasoi të gjithë. U deklarua se është një konsorcium amerikan. Shumë mirë deri këtu. Pastaj doli një pronar shqiptar i shumicës së aksioneve. Akoma dhe më mirë. Por e keqja qëndron në realizimin e kontratës së privatizimit, të shitjes. Albpetroli u përgatit për privatizim njëlloj si një gjeli deti që i jepet ushqim me shuka për ta fryrë, për ta shitur. Iu dhanë të drejta për kërkim nafte, licencë për shpërndarjen dhe tregtimin e gazit që do të vijë nga gazsjellësi, të drejtën për shitje dhe shpërndarje energjie.
Sipas ligjit të privatizimit, nënshkrimi i kontratës bëhet brenda 30 ditëve pas shpalljes së fituesit nga Këshilli i Ministrave. Fituesi është shpallur. Ndërkohë, sipas procedurave ligjore, kandidati fitues duhet të nënshkruajë kontratën me Ministrinë e Ekonomisë dhe të dorëzojë garancinë e kontratës, 20 për qind, në rastin konkret rreth 170 milionë euro. Por këto para nuk po duken në horizont. Dhe ndoshta do të jetë e vështirë të vijnë për një periudhë edhe më të gjatë kohore. Për të mos folur për 80 përqindëshin që ngelet për t’u paguar.
Edhe pse mund të mos quhet dështim i plotë, Albpetrol ngelet një patate e përvëluar në duar si të atyre që e dhanë, edhe të atyre që e morën. Privatizimi i Albpetrolit pritej nga të gjithë aktorët e tregut si pika e kthesës, nga ku do të fillohej modernizimi real i këtij sektori strategjik.
Por pritshmëritë shumë të mëdha u shuan menjëherë që në fillim të procesit, ku kompania ruse lider në botë “Gazprom” ofroi vetëm 52 milion dollarë. Gjithashtu investitorët e tjerë strategjikë munguan plotësisht nga procesi, me përjashtim të kompanisë Bankers Petroleum – me prezencë operacionale vetëm në Shqipëri – duke e lënë procesin në dorë vetëm të fondeve të investimeve. Këto fonde janë sipërmarrje aspak të sigurta, grupime investuesish të twrhequr nga një investim i momentit, që po aq lehtë mund të shpërbëhen në vështirësinë e parë. Dhe kjo vështirësi duket se ka ardhur.
Ajo që kishim frikë ndodhi. Tashmë është pothuajse e sigurtë që në sektorin e shpimit të naftës në Shqipëri do të mungojë ekspertiza e huaj, aq e nevojshme për modernizmin e këtij sektori shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.
Leave a comment