Akademik i Asociuar Kosta Barjaba, në një analizë mbi reformat qeverisëse, si “diga” mbrojtëse të interesave të qytetarëve
Profesor, këto ditë edhe qeveria, por edhe media dhe opinioni publik, janë fokusuar në analizën e 300 ditëve të qeverisjes. Megjithatë, ne dëshirojmë ta rimarrim këtë temë. Si do ta vlerësonit punën e qeverisë gjatë 300 ditëve të para?
Unë mendoj se qeveria ka qenë korrekte në kontratën që nënshkroi me qytetarët shqiptarë para një viti. Dhe këtë vlerësim e bëj nga pikëpamja profesionale, politike dhe njerëzore. Nënvizoj së pari vlerësimin profesional sepse ku dhemb dhëmbi shkon gjuha. Unë konstatoj se aspektet e zhvillimit social dhe njerëzor kanë qenë realisht prioritete të qeverisë gjatë këtyre 300 ditëve. Në jetërsimin e këtyre prioriteteve qeveria u ka qëndruar besnike premtimeve ndaj qytetarëve. Tashmë, jo vetëm profesionistët e këtyre fushave, por edhe publiku i gjerë kanë një ide të qartë mbi kalendarin e normalizimit të aspekteve themelore të sistemit të mirëqenies. Duke folur politikisht, do të thoshja se gjatë kësaj periudhe qeveria u dorëzoi shqiptarëve paketat kryesore të reformave në sistemin e mirëqenies, duke qëndruar në shinat e një qeverisjeje të qendrës së majtë. Duke folur nga pikëpamja njerëzore, qeveria ka provuar se po u shërben shumicës së qytetarëve, duke prioritarizuar shtresat e varfëra dhe duke veçuar në mënyrë të dukshme qëndrueshmërinë dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes së grupeve të mëdha dhe shtresave nevojtare të popullsisë.
Cilat janë, sipas mendimit tuaj, disa nga arritjet më të dukshme të qeverisë gjatë treqind ditëshit të parë?
Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të zgjeruar. Por unë dëshiroj të adresoj një pjesë të realizimeve të programit qeverisës që lidhet me portofolin e zhvillimit njerëzor, sidomos me mbrojtjen e disa interesave dhe treguesve jetikë të popullsisë. Prandaj edhe punën e qeverisë do të preferoja ta vlerësoja nga këndvështrimi social dhe njerezor, pra sa ka arritur qeveria të mbrojë nevojat bazike të qytetarëve, në rradhë të parë për mbijetesë, e pastaj edhe për shërbime plotësuese që përmirësojnë cilësinë e jetesës. Krijimi i rrjeteve mbrojtëse për qytetarët është një detyre parësore e qeverisjeve. Por në kushtet e rreziqeve të krijuara nga qeverisjet e pakujdesshme të deritanishme, 300 ditët e para provuan se qytetarët shqiptarë kanë nevojë jo për rrjete, por për “diga” mbrojtëse.
Cili është konteksti nga e nxirrni këtë përfundim?
Konteksti është fakti se shumica e qytetarëve janë krejtësisht “të zbuluar” përballë rreziqeve të sistemit tonë të mirëqenies. Duke qenë se mjaft shërbime publike kanë munguar, qytetarët kanë qenë të detyruar të paguanin nën dorë për t’i pasur ato. Studimet e Bankës Botërore tregojnë se, për të përfituar disa shërbime publike bazë, shqiptarët kryejnë pagesa informale shumë më të larta se në të gjitha vendet e rajonit. Nuk e kuptoj pse duhet të ndodhë kjo! Pagesat informale janë një ndër thelbet e shoqërive të korruptuara. Për më tepër, ato veprojnë edhe si një gërryes konstant i performamcës së shërbimeve publike. Këtej buron edhe vlerësimi im për aksionet e qeverisë për mbrojtjen e qytetarëve, sidomos atyre të dobët e të varfër. Në këtë kontekst dëshiroj të përmend dy aspekte: mbrojtjen nga ushqimet e pasigurta dhe mbrojtjen nga dijet e gabuara. Për të arritur këtë, në mënyrë të figurshme do të shprehesha se qeveria ka filluar ndërtimin e dy “digave” të fuqishme mbrojtëse nga ushqimet e gabuara, biologjike dhe shpirtërore.
Çfarë kini parasysh kur përdorni fjalën “diga”?
Me këtë fjalë kam parasysh ato veprime qeverisëse që ndërtojnë kuadrin ligjor dhe sistemik për të mbrojtur popullsinë nga dy rreziqet e mësipërme, që unë do t’i vlerësoja si të barabarta: ushqimet e pasigurta dhe dijet e gabuara, me fjalë të tjera reformën në fushën e sigurisë së ushqimit dhe reformën arsimore. Të dyja kanë të njëjtën rrezikshmëri, dhe për rrjedhim, të njëjtën rëndësi për qytetarët. Mbrojta nga ushqimet garanton jetën e tyre, pra shëndetin fizik, ndërsa mbrojtja nga dijet e gabuara garanton shëndetin arsimor dhe intelektual të shoqërisë. Siç ka thënë Xheferson, asgjë nuk mund ta pengojë një njeri me dije dhe sjellje të shëndosha të arrijë qëllimet e tij; asgjë mbi tokë nuk mund ta ndihmojë një njeri me dije dhe sjellje të gabuara të arrijë këto qëllime.
A ka qeveria një bilanc konkret në ndërtimin e këtyre “digave”, një term që ju parapëlqeni ta përdorni?
Natyrisht që ka. Themelet e këtyre “digave” u hodhën gjatë programit qeverisës kur qeveria mori angazhime të drejtpërdrejta për mbrojtjen e popullsisë nga pasojat që vijnë prej këtyre rreziqeve. Por më lejoni të fokusohem më shumë në nevojën e mbrojtjes prej dijeve të gabuara dhe reformën arsimore si digën kryesore për këtë mbrojtje. Reforma arsimore, e cila është tashmë në pikun e vet, është e nevojshme dhe e dobishme edhe për faktin se arsimimi i fëmijëve shqiptarë në të gjitha nivelet, është aktualisht mjaft i rrezikuar. Madje më shumë për këtë. Një ndër rreziqet më të mëdha unë konsideroj dijet e gabuara që u jepen nxënësve dhe studentëve shqiptarë nga një pjesë e mësuesve e pedagogëve mediokër, si edhe nga tekstet me njohuri të përcipta e të cunguara. Çështjet e tjera si menaxhimi i universiteteve, demokracia, autonomia apo fuqia e tregut e diplomave edhe mund të presin, por emergjenca nga shpëtimi prej dijeve të gabuara jo. Si liberalizimi i arsimit universitar, ashtu edhe cungimi i arsimit parauniversitar, kanë ecur paralel me dëmtimin e cilësisë dhe saktësisë së dijeve. Një rrezik të tillë prej gabimit shkolla shqiptare nuk e ka njohur asnjëherë. Në diktaturë arsimi ishte vërtet i politizuar, mësuesit konsideroheshin edukatorë dhe misionarë komunistë dhe tekstet e programet ishin gjithashtu të politizuara. Por këto tipare të shkollës komuniste nuk kishin prekur thelbin e dijes dhe vërtetësinë e saj. Mund të kishim dije të paplota, por jo dije të gabuara. Ndërsa sot, në këto aspekte, për mua situata është shqetësuese.
Sipas jush, çfarë i rrezikon më shumë dijet shkollore?
Dijet që jepen në shkolla po sfidohen prej dy rrethanave ose dy variableve: territorit dhe pasurisë. Aktualisht vërtetësia e dijes, rrjedhimisht edhe cilësia e shkollimit, janë në korrelacion të drejtë me urbanizimin. Pra, sa më shumë që largohemi nga qendra drejt periferive, nga qytetat drejt zonave fshatare, aq më të rrezikuara janë dijet. Unë kam kryer shkollën e mesme në Konispol, rreh 35 vjet më parë. Nga pikëpamja territoriale, ishte shkolla fundore e vendit, më skajin më jugor. Por nga pikëpamja e cilësisë së dijes, ishte ndër shkollat më të mira të republikës. Për të mos folur pastaj për gjimnazin e Sarandës, i cili ishte ndoshta shkolla më e mirë e vendit në fushën e matematikës dhe shkencave natyrore. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë, që nxënësit e këtyre dy shkollave, për shkak të mësuesve pasionantë e të superpërgatitur dhe të një proçesi mësimdhënës të thellë dhe cilësor, ishin ndër studentët më konkurrues të vendit në fushën e dijeve të shkencave natyrore. A mund të gjendet sot një shkollë periferike që të konkurrojë shkollat e Tiranës? Jo për nga notat, por thellësia, vëllimi dhe saktësia e dijeve? Unë them se kjo është e vështirë. Kjo ka ndodhur, përveç të tjerash, edhe nga rënia e vëmendjes shtetërore për cilësinë arsimore në zonat periferike. Madje, jo vetëm arsimore, por edhe cilësinë e shërbimeve të tjera. Shqipëria karakterizohet nga një pabarazi e theksuar territoriale, të cilës gjatë dy dekadave të funbdit i janë shtuar edhe dallimet e mëdha midis qendrës dhe periferive. Pasuria është gjithashtu një rrethanë sfiduese. Kjo rrethanë vepron kryesisht në vlerësimin e dijes dhe në mënyrë të tërthortë edhe në përmbajtjen dhe saktësinë e saj. Tashmë nuk përbën lajm që jo vetëm diplomat, por edhe notat blihen. Dhe nëpërmjet këtyre blerjeve, depërton e keqja tjetër: paplotëria dhe pasaktësia e dijeve, pra u hapet rruga dijeve të gabuara. Në këtë kontekst, pabarazia territoriale, ekonomike dhe sociale që po thellohet në shoqërinë shqiptare, po vepron edhe si një helmatisës i saktësisë së dijeve. Prandaj mbrojtja prej dijeve të gabuara, sipas parimit xhefersonian, kërkon një “digë” të lartë dhe të fuqishme, të cilën qeveria ka filluar ta ndërtojë nëpërmjet reformës arsimore.

Ne ‘Pikun’ e vapes se Qershorit nje udhetar kthehej ne shtepin e vet. Ne mesin e rruges u ul te shlodhej nen hijen e nje qershie. I pelqyen frutat e saje dhe keputi nje sasi dhe filloi t’i hante. Passi u ngop, pjesen qe mbeti e pshurri dhe morri nje sy gjume. Pas ndonje ore i doli gjumi dhe kokrat e qershise ‘i a benin me sy’. Filloi t’i haje duke thene:-“Kete nuk e kam pshurrur, edhe kete’..deri sa i hengri te gjitha!!!
Thelbesore dy rreziqet qe ju keni identifikuar profesor Kosta, mbrojtja nga ushqimet e pasigurta dhe nga dijet e gabuara. Sa te pangjashme ne dukje per nga rendesia aq jetike per shendetin fizik dhe mendor te nje kombi. Urojme te kete seriozitet ne “diga” sepse mendoj eshte sfida me e madhe e kesaj qeverie.