Moikom Zeqo
Nuk di a ekziston një emblemë e poezisë totale e përafërt me “Anijen e Dehur” të Artur Rembosë.
Remboja, ky Shekspir fëmijë, siç e quajti Hygoi, është një kryemjeshtër i pashoq.
Poezia e tij përherë më ka tronditur, më ka dlirësuar deri në gen.
Ai është sa homerik në shtegëtimin e tij, aq dhe faustian në kërkimin e enigmave të shpirtit, sa pitagorian i muzikës së fjalës, aq dhe ajnshtajnian i relativitetit të kohës dhe hapësirës.
Ai është madje më tepër, është Rembo, pa asnjë homolog, pa asnjë sozie.
Lundrimi i tij metaforik me një Argo të metaforës, në një oqean të metaforës synon një Itakë të metaforës.
Tërë simbolet e tij janë të metaforta, magjike.
Poezia e Rembosë është kod universal i njerëzimit, i vetë planetit mes makthit ekzistencial të pamatë.
Shën Jeronimi ka thënë se “poezia është ringjallje”.
Po të qe bashkëkohës i Rembosë, Jeronimi i mahnitur s’do të shkruante më, sepse do të kuptonte cakun e paarritur nga askush të krijimit.
Ndoshta ky është shkaku që Remboja nuk shkroi më.
Është i vetmi gjeni që e ka bërë këtë sfidë, pa i ardhur keq për veten dhe të tjerët.
Artur Remboja është agimi apokaliptik i poezisë moderne. Salvador Dali dhe Sen Xhon Persi janë frytet e pemës së tij të parajsës.
Remboja është si një dritare fantastike në një piramidë tërësisht të mbyllur.
Autoriteti i tij faraonik është më njerëzor se sa ai i një foshnjeje të ylltë, siç do të thoshte Oskar Wailldi.
Ne i besojmë kësaj foshnjeje të shenjtë, e cila dikton testamentin e vet të shekujve.
Të përkthesh Rembonë është një guxim i çmendur, madje dhe paturpësi.
“Le të më lejohet ky mëkat i durueshëm e gati i justifikuar sepse gëzimi që ndihet megjithatë është një akt katarsi i ndritur, një respekt i pazakontë.
Duke përkthyer “Anijen e dehur” unë realizova diçka jashtë mundësive të mia modeste.
Kjo ishte si ndjesia e pabesueshme e pavdekësisë, që i ofrohet një të vdekshmi.
Post mortum, mbas një shekulli, ne shqiptarët përshëndesim me nderim këtë kryemjeshtër të poezisë, i cili pres më në fund t’i konvertohen vlerat e tij të jashtëzakonshme edhe në gjuhën shqipe.(Tiranë, 30 qershor 1991)
PAVARËSIA SFIDUESE E ARTUR REMBOSË
100 vjet më parë vdiq në Marsejë të Francës në spital një poet nga më të çuditshmit dhe më të papërsëritshëm në kohëra, Artur Rembo.
Mbas një shekulli ai përjeton ringjallje, sui generis.
Është kjo një përparësi dhe e drejtë, honoris causa, vetëm për talentet e mëdhenj, për gjenitë e kulturës.
Kush ishte (është) Artur Remboja?
Për fat të keq një pyetje e tillë do të qe paradoksale në çdo shtyp tjetër të Europës, por në Shqipëri ky paradoksalitet ka kuptim të veçantë.
Me sa dimë për gati gjysëm shekulli në shtypin tonë nuk është folur dhe nuk është përkujtuar Remboja, një nga “Les maistres” e poezisë dhe letërsisë botërore.
Në të vërtetë për të dihet diçka, por poezitë e tij nuk janë përkthyer.
Të nisur nga një optikë ideologjizuese pa asnjë kuptim për Rembonë është pëshpëritur në formën e një paragjykimi që sot duket më absurd se kurrë.
Artur Remboja lindi më 1854 në Sherlevi të Francës.
Këtu ai mori mësimet e para dhe të mesme dhe në kolegj mësoi artin e madh të revoltës.
Që herët admiroi Gerard De Nerval, shkrimtar i dashur për të, por formimi i tij i parakohshëm me një fuqi krijuese të pazakontë bëri që të kërkonte shumë më tepër nga vetja dhe nga paraardhësit.
Askush nuk ka shkruar si ai në një moshë fare të re kryevepra që koha nuk i ka zbehur dot.
Shpërthimi i talentit të Rembosë është një dëshmi madhështore e fuqisë së intelektit të njeriut, një krenari e mendjes njerëzore.
Jo rastësisht Viktor Hygoi e quajti atë “Shekspiri Fëmijë” (Shekspeare Enfant).
Në rini Remboja u deh, siç e thotë dhe vetë nga vera e shenjtë e utopive shoqërore që poetizonin lirinë, barazinë dhe drejtësinë e njerëzve.
Ai është një nga përshëndetësit entuziastë të Komunës së Parisit dhe një armik i rreptë i arkaizmit religjioz.
Talenti i tij poetik është sintezë e një kohe emocionale, që pasqyron tërë epokën që ai jetoi, një epokë me shpërthime revolucionare të pashembullta në historinë e njerëzimit, ku shpresa, si Andromeda e lashtë, priste me ankth e besim kthimin e Perseut fitimtar, me kokën e prerë të Meduzës së tiranisë.
Remboja e ndjeu thellë ndryshimin, por ai pësoi edhe zhgënjime të mëdha sidomos mbas kthesave të ngjarjeve, mbas degradimeve të shumë idealeve, që ai himnizoi në rini.
Jeta e tij është një bohemë e habitshme, plot aventura vetiake, me udhëtime në vende të ndryshme të botës.
Ai qe njeriu faustian që gjithmonë kërkonte dhe ishte i pakënaqur se nuk gjente dot atë që kërkonte me ngulm.
Ai përjetoi një eksod të brendshëm shpirtëror.
Udhëton në Angli, Holandë, Gjermani, Belgjikë.
Në Bruksel bën skandalin e famshëm me mikun e tij poet Pol Verlenin duke e qëlluar për ta vrarë.
Punon si kryepunëtor në minierat e gurit në ishullin e Qipros.
Pastaj në mënyrë cinike përfundon si tregtar armësh në Abisini.
Shkatërron shëndetin, qetësinë.
Në tërë odiseadën e tij ai në momente të përkohshme pushimi, ose lodhjeje të jashtëzakonshme shkruan vargje të mahnitshme.
Le për pasardhësit tekste të një fuqie të madhe artistike, duke krijuar një vepër në poezi dhe në prozë krejt unike dhe me një origjinalitet të papërsëritshëm më.
Çfarë solli në poezinë botërore gjenia e Artur Rembosë?
Remboja synoi të bënte një revolucion permanent të artit, të krijonte një sintezë të tingujve, ngjyrave dhe vizioneve.
Këtë qëllim kishte “Soneti i ngjyrave” që ai shkroi në formën e një manifesti të simbolizmit poetik.
Ai kërkoi të shumëfishonte kuptimin semantik të fjalës, t’i jepte njeriut plotfuqishmërinë e tij si një qenie natyrore, e lirë larg tërë pengesave të paragjykimeve dhe të prangave të shpirtit, të farkëtuara nga injoranca dhe mjerimi, nga tirania, brutaliteti dhe sofistikimi i saj.
Për të njeriu ishte “Bir i Diellit”.
Ai kërkonte gjithashtu që ndërgjegjja vetiake të shndërrohej në një un kozmik, që poeti të identifikohej me gjithçka.
Revolta e tij shpirtërore është shprehje e një revolte poetike të përhershme, të shqetësuar, por edhe plot kriza të brendshme, të dhimbshme.
Poezia e Rembosë, ka të fekonduar një metaforikë, jo vetëm të fjalëve, po dhe të ideve.
Ndryshimi i metodave konceptuale të poezisë është një meritë e madhe e pallogaritshme e Rembosë për poezinë evropiane që u bë mbas tij.
Nuk është e rastit që Migjeni ynë i madh në një nga shkrimet e tij dhe në ditarin (ende të papublikuar) e ngre lart gjeninë e Rembosë dhe shprehet se mbas kërkimeve të tija sfilitëse (të Rembosë) duhet kuptuar kërkesa për një art të ri.
Kryevepra e Rembosë është padyshim poezia e tij “Anija e dehur” (Le Bateau ivre), një alegori superbe, që mund të krahasohet me një tjetër kryevepër të poezisë franceze “Varreza detare” të Pol Valerisë.
Në këtë poezi Remboja simbolikisht shpreh vetveten në raport jo vetëm me kohën e tij, por dhe me tërë dimensionet e tjera të kohës.
Ai është njeriu që lundron, njëlloj Kolombi me shpirt tragjik për të zbuluar të ardhmen.
Lëviz midis imazheve dhe figurave të tokës dhe të kozmosit midis moçaleve (ku kalbet Leviatani i vjetërsisë, biblik), ndërsa ai lundron i shoqëruar nga hipokampët e Shpresës dhe përpara i shfaqen një milion zogj të artë që i ka thërritur në apel Fuqia e Ardhmërisë.
Kjo poezi është me një fuqi testamentale.
Ai arriti kulmet e artit poetik.
Është e njohur klithma e tij njerëzore “nuk qenkam një perëndi?”, sepse ishte njeri plotësisht.
Vepra poetike e Rembos ka ndikuar shumë në poezinë moderne të shekullit të 20-të.
Ai zë një vend kaq të veçantë në historinë e literaturave sa që shprehja e Hygoit që përmendëm që në fillim fiton përherë një semantikë të re.
Remboja, për paradoks, është megjithatë, shumë pak i njohur në Shqipëri.
I pari shqiptar njohës i Rembosë është Faik Konica një erudit i pashembullt mik intim dhe i Apolinerit.
Më 1936 në revistën “Illyria” është botuar një shkrim për Rembonë nga një autor anonim.
Heshtja për të është gati si një vetmi eremitësh të artit.
Emrin e Rembosë e përmend në një nga letrat e paravdekjes Migjeni i madh (1911-1938).
Dhimiter Shuteriqi , poet i ri ne 1937, i kushton nje poezi pikerisht Artur Rembose.
Nuk di ndonje deshmi tjeter !
Vetëm në vitin 1991 nga autori i këtyre rreshtave u shkrua një ese e veçantë për Artur Rembonë, e vetmja në krejt shtypin shqiptar në përvjetorin e famshëm të 100 të Rembosë që e festoi tërë bota.
Ndoshta ky shkrim kishte kuptimin e një apeli.
Remboja nuk është botuar ende në Shqipëri.
Le të shpresojmë në një botim të ardhshëm serioz që do të shlyente një peng gati të shenjtë kulturor.
Me këtë zbulesë do të jepej mundësia e një deshifrimi magjik dhe njëkohësisht të thjeshtë.
Jam i bindur që gjenia e Rembosë është e kuptueshme dhe familjare për shqiptarët, popull i prirë nga imagjinata metaforike nga simbolet e Shpresës dhe nga ndjesia e rinovimeve të paskajshme.
Gjuha shqipe me tinguj dhe mundësi germash më shumë nga çdo gjuhë tjetër e Europës është e denjë për të përkthyer mjeshtërisht poezinë e papërsëritshme të Artur Rembosë.
Lum kush e shfrytëzon këtë mundësi të mrekullueshme.(Tiranë, më 21.8.1992 )
Lettre du vojant(letra e fallxhorit), ku Rimbaud 16 vjec shpreh nje nocion te vecante, UNE eshte nje tjeter… Njeriu, qe eshte bote e shumefishte dhe s’eshte ai qe do te donte te ishte.