Deklaratat e bëra nga drejtuesit e dikastereve shëndetësore se janë shtuar fondet për sigurimin e barnave e trajtimeve janë vetëm fjalë. Spitalet kanë mungesa të theksuara barnash, pacientët duhet t’i blejnë vetë në çdo rast.
Vështirësitë dhe problemet me të cilat përballen pacientët e prekur nga HIV- AIDS në vendin tonë janë të shumta. Kjo pasi shërbimet dhe kujdesi mjekësor që kjo kategori duhet të marrë jo vetëm që mungojnë, por edhe në ato pak raste kur ofrohen lënë shumë për të dëshiruar. Edhe pse klasifikohet si qendra më e madhe spitalore e nivelit universitar, QSUT prej më se një viti nuk kryen analizat për zbulimin e kësaj sëmundje tek fëmijët e vegjël,të gjithashtu pohohet të jenë në listën e riskut të infektimit.
Ky shqetësim është konfirmuar nga shefja e Pediatrisë Infektive në QSUT, Eli Foto, gjatë diskutimeve të zhvilluara në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë mbi problemet me të cilat përballen kjo kategori pacientësh. Mungesa e stërzgjatur e materialeve mjekësore që shërbejnë për kryerjen e analizave apo dhe e medikamenteve klasifikohen si shkaqet që po mbajnë peng ofrimin e shërbimeve mjekësore për këta të sëmurë. Ndonëse vit pas viti drejtuesit e dikastereve shëndetësore kanë deklaruar se fondet për sigurimin e barnave apo dhe shërbimeve të tjera për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda siç është edhe Hiv-Aids, realiteti të ofron një tjetër pamje.
Në çdo rast pacientët që u drejtohen shërbimeve të kësaj qendre spitalore duhet të sigurojnë gjithçka në rrugë private, në të kundërt duhet të përballen me rëndimin e gjendjes së tyre shëndetësore.
Duke iu referuar rasteve të reja të evidentuara me këtë sëmundje të rëndë, epidemiologët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se janë zbuluar 4 raste me HIV tek fëmijët. Në dy prej fëmijëve pohohet të ketë qenë nëna ajo që ka transmetuar virusin që gjatë shtatzënisë.
Për dy rastet e tjera mendohet që transmetimi i virusit të jetë marrë nëpërmjet transfuzionit të gjakut, duke e rikthyer edhe një herë në vëmendje situatën problematike të pasigurisë së gjakut të mbledhur, si dhe kryerjes së transfuzioneve të pasigurta tek këto kategori.
Megjithatë, ende nuk është shpallur një vendim zyrtar për infektimin e këtyre dy rasteve, që janë në hetim pasi dyshohet se kanë marrë virusin nëpërmjet transfuzionit të gjakut. Njëkohësisht edhe shoqatat e të prekurve me HIV-AIDS kanë vënë në dukje mungesën e theksuar të medikamenteve dhe kurave trajtuese që shteti duhet të sigurojë për këta pacientë.
Barnat që shërbejnë në trajtimin e tyre mungojnë dhe nuk përfshihen në listën e rimbursimit. Sipas tyre dy adoleshentë kanë humbur jetën pasi nuk kanë pasur mundësi për kurim. Në total numri i të prekurve nga kjo sëmundje të evidentuar zyrtarisht pohohet të jetë 555 persona nga të cilët 75 prej tyre janë identifikuara nëpërmjet testimeve vullnetare gjatë këtij viti.
Në shumë raste trajtimi jokorrekt i stafeve mjekësore, siç përcaktohet në protokollet e mjekimit, ka sjellë rëndimin e gjendjes së pacientit deri në pasoja fatale, por nuk përjashtohen dhe rastet e neglizhimit të sëmundjes nga vetë pacientët.
“Përderisa vazhdojmë të kemi raste të vdekjeve për shkak të AIDS-it dmth se AIDS-i është i fuqishëm ndaj sistemi shëndetësor shqiptar. Probleme ka në trajtimin me medikamente në ndërprerjet e herëpashershme krijohen probleme me trajtimin dhe sëmundja shfaq rezistencë ndaj ilaçeve”, pohohet nga përfaqësues të shoqatës.
Olimbi Hoxha, kryetare e shoqatës së të prekurve me HIV/AIDS
“Keqmenaxhohen antiretroviralet dhe mund të them se ka tre muaj që nuk ka ilaçe për fëmijët në pediatri. Fëmijëve po u jepen ilaçet e të rriturve, ndërkohë që dihet se ka një buxhet të veçantë për këtë kategori. Sakaq duhet të dini se ka një vit qënuk bëhen analizat. Për 24 fëmijë akoma nuk jepet ndihma shoqërore. Kërkojmë të shikohet ligji dhe të zbatohet ajo çka është miratuar në këtë komision vite me parë,duke u bërë të mundur dhënia e ilaçeve,ndihmës shoqërore dhe kryerja e analizave”.
Marjeta Dervishi,mjeke epidemiologe,në programin e HIV/AIDS
Një fëmijë vetëm 3 vjeç e gjysmë dyshohet se është infektuar me HIV/AIDS gjatë kryerjes së një operacioni në QSUT. “Këtë vit janë katër raste të rinj të fëmijëve pozitiv me HIV/AIDS. Dy prej këtyre fëmijëve vijnë nga prindër të infektuar,ndërsa dy fëmijët e tjerë,dyshohet ta kenë marrë nëpërmjet gjakut. Njëri prej fëmijëve është 3 vjeç e gjysmë nga një fshat i Tiranës, sipas historikut shëndetësor rezulton të jetë shtruar 7 herë në spital, madje ka kryer një operacion në pediatrinë e QSUT-së. Ndërsa fëmija tjetër edhe ky me prindër të shëndetshëm rezulton të jetë i prekur me virusin HIV/AIDS,edhe ky ka kryer një operacion në spitalin Ushtarak,pas një ndërhyrjeje për një hernie urinare. Rrugët nga të cilët janë infektuar këta të vegjël është ende të pazbardhura,ndërsa ekspertë të shëndetit kanë kërkuar hetim të çështjes”.
Mungesat në trajtimet mjekësore
Shqetësimi ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit për shkak se përhapja e virusit nuk po identifikohet vetëm te grupet e margjinalizuara, siç janë romët apo punonjësit e seksit dhe homoseksualët, por edhe në popullatën e përgjithshme. Këta të fundit dominojnë listën e të prekurve që janë identifikuar së fundmi si mbartës të virusit. Trajtimi i tyre mjekësor në spitalet tona lë shumë për të dëshiruar, pasi jo vetëm mungojnë medikamentet, por shumë herë rastet përkatëse anashkalohen.
Për të mos folur më tej për shërbimet e munguara në rrethe, çka bën që shumë prej pacientëve të mos vijnë në kryeqytet për të marrë këtë shërbim. Konkretisht, sipas përfaqësuesve të kësaj shtrese, pohohet se ka ndërprerje të trajtimit me Antiretroviral (ARV) për shkak të distancës së largët që kanë pacientët me QSUT, çka i shtohet edhe fakti i mërzitjes që i shkakton pacientit marrja e përditshme dhe numri i madh i tabletave që duhet të marrë gjatë 4 orëve.
Ndërkohë që një tjetër e dhënë problematike është edhe frika që shpesh herë stafet mjekësore kanë në trajtimin e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje. Punonjësit e shëndetësisë raportojnë frikën e tyre që lidhet me mundësinë e ndodhjes së gabimeve aksidentale gjatë manipulimit me instrumente gjatë punës, mundësinë për shpime aksidentale, si dhe gabimet që mund të ndodhin gjatë ndërhyrjeve kirurgjike, që në rastin e këtyre pacientëve janë të vështira.