Dy fjalë mbi mitologjinë moikomiane

Ornela

Vangjush Ziko

Në krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos ka lënë ndikimin e vet të padiskutueshëm, jo vetëm si prezencë konkrete mitologjia me mitet e lashta me subjektet, personazhet, tematikën dhe mesazhet e saj, por nga ana tjetër dhe me anën e panjohur, me konceptet iracinale.

Poezia, në vetvete, si proces artistik dhe estetik është një raport midis racionales dhe emocionales, midis realitetit dhe ëndrrës.

Vetë misioni i saj i lidhjes së ndërveprimit midis Kohëve universale dhe kohës tokësore, është burim frymëzimi dhe arsenal për rikrijimin artistik të tablosë së jetës, atë të cilën miti nuk e pretendon.

Vetë miti është mishërim i enigmës së asaj që ka ndodhur dhe asaj që pritet të ndodhë.

Në një nga poezitë e tij Moikomi shkruan:

 

Me një mulli kafeje bluaj sëprapthi Mitet”.

Të bluash apo të ribluash, do të thotë të përftosh një produkt të nevojshëm për përdorim konsumi të përditshëm.

Për Moikomin, metaforikisht, për rikrijimin e kozmogonisë së tij poetike.

Në krijimtarinë poetike të poetit janë gërshetuar midis tyre, në një harmoni dhe unitet estetik, temat ekzistenciale të jetës tokësore.

Në të janë të pranishme mite kozmike, ekstatologjike dhe astrale.

Për Moikomin miti nuk është botëkuptim, por botëndijim.

Ai e pranon hapur hamendësimin e tij të çuditshëm: “Si ta shpik një mitologji të re? “.

Mitologjia ka dy aspekte, racionalen dhe iracionalen.

Racionalja e mitit lidhet me atë që njeriu i sotëm përpiqet ta zbardhë tablonë e botës sonë moderne.

Iracionalja lidhet me atë e cila ende nuk vërtetohet dhe nuk përputhet me dëshirën reale.

Pra, ne trashëgojmë ende diçka nga koncepti i lashtë mitologjik.

Edhe në ditët tona mitet e vjetra vazhdojnë të kenë një farë peshe, sepse vazhdon të ekzistojë raporti midis racinales dhe iracionales.

Ekziston ende dyshimi dhe shpresa jonë për një të ardhme më të mirë.

Ky është tashmë një koncept i pranuar sot botërisht nga studjuesit e ndryshëm.

Bëhet fjalë, pra, për një “mitologji të re”.

Në krijimtarinë e Moikomit ndodh “rimagnetizimi i mitologjisë”.

Këtë e realizon në dy mënyra.

Nga njëra anë heronjtë mitologjikë vijojnë të shfaqen dhe të veprojnë në poezinë e Moikomit: “Prometeu, si Monstër Mëkati, arrin tek Mbinjeriu Shpirtëror” dhe “Zarathustra me vullnetin e tij i bind kohërat dhe shekujt si të ishin kafshë të zbutura befas”.

Ai u jep atributet mitologjike edhe figurave historike ose personazheve letrare:

 

“ulërijnë virgjëreshat magjistare të Ilirisë! –

Dhe kuajt pësojnë infarkte yjesh!”,

 

“Mbi detin Adriatik shoh si ngrihet mali Tomor

si një Sion i Dytë”

 

“Statuja e Skënderbeut me kalë,

Shëtit në Shans-Elizé,

 

Në Ishullin e Pashkëve,

Madje dhe në Atlantidë”,

 

“ringjall Ofelinë e mbytur

Dhe e le të rrojë aq,

 

Sa për të vajtuar

Vdekjen e mëpasshme të Hamletit”.

 

Moikomi mitologjizon edhe tema të nxehta të realitetit modern, ashtu siç është edhe shoqëria jonë me probleme iracionale, që pengojnë prosperitetin shoqëror:

“Realja, – kërkon – ta shfaqë përherë – pamjen tjetër – të saj, – në një Univers të Ri, – të mrekullueshëm, – a të tmerrshëm!”:

 

“Qeni i Hadit

Me nofulla në re,

 

Kërcënon,

Të kafshojë kohërat”.

 

“Urrejtja ringjall befas mite”

Dhe ndoshta  vetmi universale”,

 

“Midis Jetës

Dhe Vdekjes

Është Kumari!

 

“Kohën e shoh

Si menynë

E një Party të Ferrit!”.

 

Për poetin bota është kapur nga dilema e ethshme midis së Mirës dhe së Keqes.

Në këtë realitet ekzistojnë mitet moderne të Vetmisë universale, të veseve tragjike si Kumari dhe Perversiteti, Miti i Ri i Globalizmit, një atmosferë apokaliptike.

 

“Në hapësirat e Globalizmit

Rrinë diku filozofët në harrim,

Si kukulla hekuri, të ndryshkura!

 

Dhe truri i zotave del

Nga anusi i njerëzkafshëve!”

 

Por më e realizuara është “mitologjia intime”, e cila paradoksalisht krijon. siç shkruan Moikomi, “një Kozmogoni të Miteve Efemere”.

Secili prej nesh ka historinë e jetës së vet personale. Historinë e “krijimit” të vet si qenie njerëzore, që fillon që nga paralindja e shoqëruar me pikëpyetje, enigma, parashikime dhe me fund të paparashikueshëm.

Këtë histori na e tregojnë prindërit tanë dhe sidomos, gjyshet dhe gjyshërit tanë.

 Historia e mëtejshme e jonë i përket makinës së fatit apo të kohës, të cilën e drejtojmë dhe nuk e drejtojmë vetë.

 Në thelb, pra, një mit i vërtetë individual..

Kemi kujtimet e shtrenjta të jetës sonë, kemi jetën tonë ku është e pranishme realja dhe ëndrra, racionalja dhe iracionalja.

Njohim jetën, por jo pasjetën, enigmën e vdekjes apo të amëshimit, sipas bindjes sonë shpirtërore.

 Një mitologji e vërtetë efemere.

Moikomi shkruan për qytetin e tij të lindjes: “Shtëpia ime e lindjes në Durrës – s’do të jetë spiranca e Imagjinatës, -për çdo rikthim, – por direku i velave – përherë të hapura -prej erërave!”

Dhe më e shtrenjta për të është “përralla e Currilave” dhe “varka e vjetër – e nxjerrë në breg dhe mitologema e qytetit tëtij të zemrës, legjenda e “vajzës së mbretit ilir Epidamn, Melisës që e dashuroi Hyu i Detit Redoni dhe lindi djalin e mrekullueshëm Dyrrah!”.

Tërë korpusi i Kozmogonisë Poetike të Moikomit më ngjan me një simfoni shumëtemëshe që gërshetohen midis tyre, shfaqen dhe sfumohen sipas rastit dhe ridalin përsëri të zhvilluara më tej, një “simfoni” poetike.

Po veçoj nga kjo mitologji personale e poetit, Mitin i Gjyshe Faikas, që e qëmtova në katër libra të tij

 

* * *

 

Është një shtëpi e motshme,

 që “bie erë naftalinë”, në Jug,

 ku në kopshtin e saj janë “rrënjët”,

 “prangat sakrale nën dhé”.

 Prangat e kujtimeve të Poetit.

\Në këtë shtëpi jeton Gjyshe Faika.

 

Gjyshja Faika “tund kanatën, e hapur të dritares,

 si marinari flamurin e sinjaleve, mbi anije,

\

për të komunikuar me gjithçka,

 në det, në qiell dhe në tokë!”.

 

Tek këmbët e tua, – nënë, – ka rënë, – vetë Mona Liza,

 – në gjunjë – dhe lutet – plot adhurim!

 

Dhe Shën Maria, – të vetmen, – që ti e besoje, –

 kalon shpesh,- tek ty, – vjen të të takojë, –

 

pini – kafen e zezë, – me aromë rozmarine, –

Shën Maria flet, – kurse ti hesht, – e mallëngjyer,

 

 – më në fund, – ajo të sheh me buzëqeshje – filxhanin, –

 por në Amëshim,-s’ke më asnjë nevojë,

-për të mësuar,-të Ardhmen!

( shih Moikom Zeqo librin “Këmbësori Kozmik” 2017)

 

Gjyshja ime Faika shkonte për ca kohë

Dhe kthehej nga bota e poshtme e përrallave”.

 (“Këmbësori kozmik”)

 

Pi duhan me çibuk

Dhe bluan në mullirin e kafes

Shekujt e gjenealogjisë së fisit tim”.

 

 (shih librin “Golgotë fluturash” 2019)

 

Gjyshja Faika me bishtukun e yllit të Afërditës

“Ëndërron në mugëtirë vajzërinë”

 

 

 ( shih librin Përjetësi me Qira” 2019)

 

Kujtoj vitet e fundit – të gjyshes Faika,

 u dobësua kaq shumë, – rrinte në shtrat

dhe protezën e dhëmbëve – e linte tek gota e ujit –

 

dhe kjo protezë – më ngjante si Cerberi –

 në Ferrin e Gojës – së Vdekjes.

  

Gjyshja vdiq në gjumë, –

 e humbi çastin ringjallës të zgjimit, –

 

 e humbi kohën efemere të trandafilave – në oborr –

 dhe nga dritarja e hapur – mbi të u vërtitën –

flutura të çuditshme, –

 u përplasën tek fotografitë në mur –

 

 dhe kur dolën jashtë –

 u shndërruan në shqiponja – të fuqishme,-

për t’u zhdukur – në qiej!”.

(shih librin “Grifonët në Shishe” 2018)

Një mit bashkëkohor vërtet brilant!

Ku kemi prezent edhe Realen edhe Abstrakten, edhe Racionalen edhe Iracinalen, Jetën, Vdekjen dhe Amëshimin, tërë sharmin dhe estetikën e një miti,të një botë kaq largët, të botës antike dhe botës biblike, por që është e pamundur t’i shkëputë ato rrënjë sakrale, sidomos Arti dhe Poezia.

Sigurisht edhe poeti ynë i jashtëzakonshëm Moikom Zeqo!

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *