Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Së pari dua të jap respektin tim, për deputetin që s’pushoi kurrë se denoncuari prapësitë e qeverisë Berisha. Erjon Braçe, është një nga deputetët më aktivë, që lufton pa kompromis të keqen, që e ka kapluar këtë vend. Për këtë unë i them, faleminderit zoti Braçe. Por tani më duhet të hyj në temë. Ju kujtohet zoti Braçe, Sali Berisha në fillim të qeverisjes së tij në 2005-ën, vit kur Berisha shpartalloi çdo institucion kushtetues, vit kur Berisha njëri mbas tjetrit, zëvendësoi të fuqishmit e shtetit me njerëzit e tij?
Çdo vit Sali Berisha mendonte të çimentonte postet kushtetuese, me sharlatanët e tij, që duke i shantazhuar me anë të dosjeve apo vjedhjeve dhe si përfundim, arriti të uzurpojë çdo institucion kushtetues, uzurpoi çdo cep të administratës. Zoti Braçe, Edi Rama është shumë i vendosur, por ai është edhe një demokrat me mendime tërësisht perëndimore, që s’mund të luajë rolin e një diktatori, siç u bë Berisha.
Edhe unë mezi po pres që Edi Rama të shkatërrojë klanin Berisha, por jam po ashtu i bindur, se po të arrestohej sot Berisha, gjykata do ta nxirrte të pafajshëm dhe ne populli, do të mbesim me gisht në gojë.
Së pari zoti Braçe, mbështeteni zotin Rama, në shkatërrimin e rrjetës së merimangës që ka mbërthyer gjyqësorin dhe administratën në përgjithësi. Atëherë Edi Rama si Kryeministër, mund të kërkojë nga drejtësia të hetohen krimet dhe vjedhjet. Berisha vërtetë ka qenë më i vendosur, por vendosmëria e tij prej diktatori në Shqipëri, na bëri gazi i botës, në sytë e botës perëndimore. Berisha kishte vendosmërinë që edhe shkaun serb, ta sillte në Parlament, se s’kishte kush ta ndalonte, por Edi Rama, s’mund të bëhet një Berishë, se ne votuam për një anti Berishë, qe të na çonte në një shtet ligjor të besueshëm. Zoti Braçe, jemi në vitin e dytë të qeverisjes, ka ardhur koha që ju si mazhorancë, të ndryshoni gjendjen në gjyqësor dhe të filloni që hajdutët dhe kriminelët, të marrin atë që meritojnë.
