Dy fjalë për këngët shqiptare që dëgjojmë

redaktor

Muzika është e vjetër sa vetë qenia njerëzore. Kënga na shoqëron gjatë gjithë kohës, dhe tingujt janë pjesë e pandarë e jetës së gjithsecilit. Por një pjesë e këngëve që dëgjojmë në radio, televizione e koncerte të ndryshme, vuajnë nga një anemi e theksuar, pa përmendur frymën e dëshpërimit, të një vuajtje të sëmurë, siç është pesimizmi apo qoftë dhe banalitete të rastit. Vargje që s’mbajnë as erë poezie e as shprehin dot brendinë e tekstit, pa theksuar këtu edhe muzikën që e shoqëron, që në të shumtën e rasteve huazohet nga muzika e huaj. Mungon llojshmëria e temave në këngët që transmetohen. Vetëm “dashuria”, e cila përsëritet e bëhet aq monotone sa humbet dëshirën e mirë për të dëgjuar një këngë shqiptare.

Unë e kam humbur disa herë bastin kur njerëzve u kam thënë se kënga që vjen pas, do të jetë me temë ndryshe, po ka qenë po për dashurinë…! Askush nuk mund ta mohojë këtë ndjenjë aq fisnike e aq njerëzore siç është dashuria, por kuptohet, çdo gjë ka masën e vet. Këngët duhet të kenë larmi në krijimin dhe zgjedhjen e teksteve muzikore, të përçojnë mesazhin e duhur dhe të ngjallin emocion te dëgjuesit. Ku ka më bukur se t’u këndosh grave, të cilat meritojnë plotësisht të quhen të tilla, t’i këndosh gëzimit që sjell ardhja në jetë e një fëmije, nënës, kësaj qenieje hyjnore; Shqipërisë, qytetit, natyrës sonë të bukur, njerëzve që kanë kontribuar për këtë vend etj, me frymë shprese, të reflektojë jetën reale, të mbushë me optimizëm shpirtin e njeriut që e dëgjon. Vërtet që ekonomia e tregut bën vlerësimin e saj, por unë ende shpresoj se do ta fitoj dikur bastin e humbur!

 

Letër e nënshkruar

Jorgaq Perika

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *