Dy grabitje në seri brenda një dite u shënuan ditën e djeshme në kryeqytet, me 5 autorë të panjohur dhe me dy të lënduar. Por mbi të gjitha bie në sy fakti se një prej vjedhjeve me dhunë ndodhi në ambientet e firmës koncesionare të “Mercedes Benz” në autostradë, afër Kasharit, ku u grabit një shumë e konsiderueshme lekësh dhe u goditën punonjësit. Kurse ngjarja tjetër ndodhi në një pikë karburanti në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, ku punëtorit iu morën 7 mijë lekët e xhiros ditore nga 3 të maskuar me pistoletë në dorë. Policia nisi hetimet dhe kërkimet për kapjen e autorëve të dyshuar, por deri dje në mbrëmje nuk pati asnjë të arrestuar dhe vetëm 15 të shoqëruar.
Grabitja e “Benz”
Një kompani koncensionare automjetesh në Qafë-Kashar është grabitur rreth orës 14:00 të pasdites së djeshme nga dy persona ende të pa identifikuar. Grabitësit kanë përdorur dhunë dhe armë për të marrë xhiron ditore të pikës që mësohet se është e “Mercedes Benz”. Grabitja është kryer nga dy persona të cilët dyshohet se janë kamufluar me uniforma ushtarake. Grabitësit kanë goditur me mjete të forta rojën që ka bërë rezistencë e më pas financierin e firmës. Dyshohet se kanë marrë 100 mijë lekët e xhiros ditore dhe më pas janë larguar me një motor. Mendohet se grabitësit janë larguar në zonën e Vorës. Personat e lënduar nuk kanë pasur rrezik për jetën dhe morën ndihmë mjekësore. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, për të cilët ka ndërtuar një identikit, sipas përshkrimit të rojës. Mësohet se autorët mbanin në kokë edhe kokore motori dhe mendohet se janë të moshës 20-25 vjeç.
Grabitja e karburantit
Një orë më parë ishte sulmuar në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet edhe një pikë karburanti. Tre persona të maskuar kanë mundur të marrin nga distributori paratë e xhiros ditore. Sipas policisë, personat ende të paidentifikuar i kanë marrë punonjësit të karburantit me inicialet E. Gj., shumën 7000 mijë lekë dhe janë arratisur. Policia bën me dije se grabitësit udhëtonin me mjetin me targë TR9010I. Blutë e Tiranës kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes. Mësohet se punonjësi është goditur me grushte para se të grabitej. Policia konfirmoi vjedhjen me dhunë që ndodhi rreth orës 13:00. Sipas policisë, autorët mbanin pistoletë të tipit “TT”, dhe lëvizën me një makinë me targë TR9010I, me të cilën u larguan nga vendngjarja.
