Zemra ime,
Ishte më e mira e kohërave, ishte më e keqja e kohërave… Ti ishe tre vjeç, ndërsa unë 26, aq sa je ti sot. Ishin ditët e para të vjeshtës, plot 23 vjet më parë. Ne ishim në gjendje marrie. Ti, e vogël, me të drejtë ngatërroheshe me idenë e ikjes së madhe, që varej në ajër në të gjitha marrëdhëniet me njerëzit. Kishe dhomën tënde, që unë të kisha shpjeguar se do ta linim; kishe lodrat, që unë të kisha thënë se do t’i merrnim (ishin aq pak ato të shkreta lodra atëherë, sa futeshin kollaj në valixhe). Në kokën tënde të vogël përpiqeshe të përtypje lëvizjen dhe kaosin që gjeneronin të rriturit. Ishim pjesë e një shtëllunge të pazakontë historike që Shqipëria prodhoi ato vjet. Unë vetë, nuk dija ku isha: endesha, jepja mësim, vrisja mendjen, jetoja në dy shtëpi njëheraz, zgjidhja problemet e vizave tona (të domosdoshmeve viza!), çaja gardhet e frikës së imagjinimit teksa isha e bindur të ikja pa ditur se ku tamam, takoja njerëz me idenë që ishte hera e fundit që i shihja. Kryesisht kisha mall për gjithçka ende pa e lënë, dhe pezmatohesha që po shkelja për herë të fundit një të krisur trotuari që e njihja si lëkurën time. Nuk ëndërroja qiqra në hell, këtë e mbaj mend mirë. E gjeta botën siç e prisja: një botë që as nuk e dinte se isha, dhe as po më priste mua.
Gjithçka përjetohej si “për të fundit herë”, sepse aso kohe “ikja e madhe” dhe “hera e fundit” ishin po ajo gjë. Ishte aq dramë sa drama mban; unë e mbaja si 26-vjeçare, ndërsa ti si trevjeçare. Ende edhe sot më vret kur mendoj se parimet e mia të të folurit hapur me fëmijën dhe të shpjegimit me realizëm të ndodhive (që unë as nuk kontrolloja e as ua kisha gjetur fillin logjik për veten time), ndoshta të kanë ndëshkuar kur ti ishe ende si boçe e bukur pambuku të bardhë e të butë. Them “ndëshkuar”, sepse sot besoj se një përrallë i jep fëmijës gjumë më të qetë sesa shpjegimi i detajuar i planit për nesër, sado miqësor të serviret plani që prish të djeshmen e të sotmen. Unë jetoja fazën time revolucionare që u thye e u përthye rrugëve të botës; duke luftuar fort, duke gëlltitur lotë e duke rinisur nga e para aq herë sa s’mbaj mend. Po ti ç’faj kishe?! Megjithatë, pa pasur mundësi zgjedhjeje, ti më ndoqe pas me gazin e bukur të fëmijës duke më dhënë gjithnjë atë që s’e mora dot nga vendi im i dërrmuar: një lloj stabiliteti dhe normalësie; dhe fuqi për të vazhduar.
Jam ankuar ndonjëherë për vitet e adoleshencës sate. Diçka është e sigurtë: adoleshenca jote ishte shumë më e qetë dhe e matur se mosha ime 26-vjeçare; adoleshenca jote hidhte shtat në kohën e vet të natyrshme dhe harlisej në krizë e gëzim atëherë kur duhej. Ndërsa adoleshenca e shqiptarit të kohës sime, sidomos e femrave, ishte një lloj ferri që mbante maskë shëndetësimi e përkujdesjeje. Ndoshta është më e saktë të themi se ishte e fshirë nga defteri i ekzistencës. Me dashje e pa dashje aksiomat tona të përbindshme të adoleshencës, ne ua kemi kaluar bijve… që t’i bënim të mirë e të fortë si vetja.
E di tani se nuk kisha të drejtë të ankohesha, por duhet të të prisja pa zë, siç më ke pritur e shoqëruar ti mua gjithnjë, që nga dita kur morëm së bashku avionin e linjës Malév që të përfundonim në Romë nëpërmjet Budapestit. Ishte si lëvozhgë arre të krimbur me motor ai Malévi ynë i atëhershëm. Ishte hera e parë në avion për ne të dyja, unë 26 vjeç dhe ti tre. Nga mënyra se si dridhej dhe i tundeshin zhurmshëm llamarinat mbeturinës teknologjike që na mori ne të dyjave nga Tirana, e vetmja shtëpi që njihnim, na zuri tmerri. Unë, ato orë zhgjëndrre i kujtoj edhe sot kur avioni dridhet, sado i fuqishëm e modern qoftë ky i sotmi. Ndërsa ti tani që je 26 vjeç as e kujton atë karakatinën që, kur doli mbi re, të bëri t’i hapje shumë sytë e bukur, si njeriu që prek dhe dimensionon për herë të parë veten para pafundësisë.
Sa të ndryshme jemi? Sa jemi të ngjashme me jetë formësuar nga ngjarje dhe kultura totalisht të kithëta? Një djalë diçka më i ri ankohej një herë për brezin tim, atë që bëri gjimnazin dhe universitetin në vitet 70 e 80, e thoshte se është një brez në thelb sentimental, ndaj edhe nuk mund të ndërtojë marrëdhënie reale as me të sotmen e as me të ardhmen, brez që nuk bëri hajër as në socializëm, as sot. Unë nuk besoj se brezat domosdoshmërisht karakterizohen nga tipare thellësisht të ndryshme, por besoj se ngjarje impakte-mëdha gdhendin tipare që vërtet mund të markojnë dukshëm një brez të tërë. Atë sentimentalizmin unë besoj se brezi im e ka, dhe nuk e shoh domosdoshmërisht si tipar negativ. Besoj gjithashtu se tipike për ne ka qenë ideja e ngulitur se puna të bën njeri; pavarësisht nëse puna të pëlqente apo jo, pavarësisht nga sa të vlershme e shihje. Është për ne edhe sot pjesë instinktive e qenies, e paanalizueshme dhe e pakthyeshme.
Ndoshta ky tipar më duket si një gen fatlum që mund të ta kaloj. Të kam treguar shpesh se, edhe ç’ka më është dukur idiotësi kur e kam mësuar e më ka lodhur, më ka hyrë në punë diku e dikur. Nuk të kam shtyrë të më besosh, sepse në mosha të caktuara kjo ide tingëllon absurde, e di. Por ta kam thënë sa kam mundur, si behavior-iste e zellshme që jam. Megjithatë, të them edhe se respektoj shumë këmbënguljen tënde që, atë që bën, ta pëlqesh para se ta bësh dhe jo pasi e sepse duhet ta bësh. Unë punët e mia i kam bërë mirë, por ende sot ëndërr kam atë që kisha dikur, të drejtoj filma. Dhe e di se, sikur të mund të lirohem ndonjëherë nga punët, ajo do ishte shkolla e parë që do rinisja, edhe sikur të isha 62 vjeç apo plakë mbi shkop. Ndërsa ti ndjek pa trazim pasionet e tua dhe kalon pa dert, fjala vjen, nga piktura, në infermieri. Dhe ato që bën, i do vërtet, ndaj i bën. Më pëlqen për këtë dhe nuk të gjykoj siç gjykon ai djaloshi brezin tim.
Dua të besoj se unë nuk kisha zgjidhje tjetër veç punës si vlerë në vetvete në atë marrinë e 26-vjetëshit tim, se bota ime ishte e ashpër dhe vendi im prej guri. Dhe kështu mësova të jem siç jam. Por s’jam e sigurtë që kjo është mënyra më e mirë e të qenit. 26 vjetët e tu, për fat, kanë qenë ndryshe. Ti bën gjithçka me një lloj ngeje të bukur, pa shumë presione e dilema… aq të zakonshme për mua; dhe je buzëqeshur, më shumë se qeshë unë ndonjëherë. Ti je paqësore, ndërsa unë luftëtare… Une luftoj fort për gjithçka, sepse duhet ta fitoj që ta dua.
Ti je rritur pa frikë nga institucioni, pa domosdoshmërinë e paradës, pa prezencën e monumentales, pa nevojën e dy-fytyrësisë publike. Teoria ime e ndërhyrjes, vigjilencës dhe kontrollit të domosdoshëm shkërmoqet pa fuqi para “laissez-faire”-it tënd të hareshëm, natyral. Ambienti yt ka ndryshuar shpesh dhe pa dhimbje në kohën që formoheshe, ndaj ti e pret ndryshimin pa rezistencë dhe i përshtatesh lehtë, si të ishte gjendja normale e gjërave. Ndërsa frika ime e madhe është: a ke ti vallë forcën të mbrohesh në ditën kur ta kesh botën kundër? A ke lëkurën e fortë që zhvillohet nga famëkeqi darvinizëm social kur luftohet për mbijetesë? Dhe a të duhet fare ta kesh, apo unë pjell rrethana kërcënuese, vetëm sepse vjetët e mi qenë ndryshe nga të tutë?
Kam edhe një frikë për veten time: kapërcimin e masës mitike të 26 vjetëve të mi shqiptarë… jam tre vjet larg pragut të ri, dhe nuk e di çfarë do jem atëherë… atëherë kur t’i kem ndenjur Shqipërisë më shumë jashtë sesa brenda. Sot kërthiza primitive ende nuk më është ndarë nga i pari i atdheve të mi. Po kur ato 26 vjet të jenë në krahun sipër të peshores? Ndoshta atëherë do të të kuptoj ndryshe edhe ty, ndoshta atëherë pozicionimi im me vendin tim do nisë të vagëllohet, dhe zorra që më mban lidhur pas tij, do këputet si litarët që varen mbi ujë nëpër skela portesh, të lodhur nga mospërdorimi. Dhe, pa dyshim, një thyerje e tillë me një emblemë jetike timen, do m’i ndryshonte krejt fushat simbolike të orientimit. Ti frikëra të tilla nuk ke; je rehat kudo; të merr malli për shumë vende ku ke qenë e jetuar, por është një mall që s’dhemb. Ndërsa dilemat e mia ndarëse e bashkuese janë të pashpresa. E, prapëseprapë, unë s’i dua simbolet atdhetare, gjë që s’është hiç e papritur. Ndërsa ti mban shenjën e atdheut në trup, kujtim nga koha kur rrebeloheshe ndaj meje, dhe zilkë kujtese e dyshimit dhe gabimit tim.
Ka një kënd ku ndihem më e qetë kur mendoj për ty: ti je e lirë psikologjikisht dhe fizikisht të marrësh drejtimin që do, të ndjekësh shkollën që do, të prishësh e rindërtosh… dhe jo se s’ke rrugë tjetër, por se ke shumë rrugë të tjera, të gjitha joshëse e të provueshme. Unë nuk isha e lirë kur isha 26 vjeç, dhe shumica e moshatarëve të tu në Tiranë nuk janë as sot. Brezi im në Shqipëri ende përpiqet të mbajë kokën mbi ujë, e të nxjerrë në breg të thatë brezin që vjen pas. Kur mendoj ata, lehtësohem për ty; kur shoh prindërit në Shqipëri që luftojnë të kryqëzuar t’u hapin rrugë fëmijëve të vet, t’u japin shkolla nëpër botë me sa munden, t’i sajojnë që të kenë hapësirën e domosdoshme që Shqipëria ende ua mohon qytetarëve të vet, them se, në mos shumë, një të mirë të madhe ikja jonë e marrë e atëhershme e ka sjellë. Kjo më kujton një feministe radikale që paqshëm i thoshte një grupi feministesh të sotme: “ne luftuam që ju sot të mund të përdorni Botox”. Dhe vetiu buzëqesh. Dhe dua që edhe ti të buzëqeshësh, duke e ditur se ke me vete lirinë, që mrekullinë që ke brenda, t’ia japësh botës … për 260 vjetët që vijnë.

KJO ESHTE E MREKULLUESHME…………………FALEMINDERIT……………………
çdo prind ka per t’i thene gjithmone femijes.Sepse per natyre eshte disa hapa perpara.Nje thenie e vjeter afrikane thote qe kur vdes nje plak digjet nje biblioteke.Per prindin kjo vlen dy here.Kam pershtypjen se bijte e sotem kane shqetesimet e tyre,sado neve na duken te siperfaqshme ne krahasim me tonat dikur,qe nga ana e tyre prinderve tane u dukeshin po aq te siperfaqshme.Kam degjuar per femra qe u nisen me gomone ne Itali-siç niseshin rendom atehere-dhe u mbyten rruges me gjithe ngarkesen tjeter humane.Nuk paten luksin t’u tregojne parardhesve mundimet e tyre,ndaj duhet falenderuar Zoti qe fatmiresisht jetojme, sidoqe jeta eshte xhungel.
Nje leter e bukur per per nje brez te ri qe ndoshta mund te mos e kuptoje plotesisht (me te drejte) sakrificat e prindit per nje jete me te mire. Shkrim i mrekullueshem e i ndjere qe ju ben fort sens shume shqiptareve qe ju eshte dashur te bejne te njejten gje per nje jete me te mire e te lire .
E kuptoj shume mire nenen e mire, por e ndodhur teper ngushte kur vajza i kerkon llogari perse u larguan nga Shqiperia, aq me teper ne vitet kur Memedheu kishte nevoje per bijte e tij me te mire, kur kishte nevoje qe ta mbronin nga te liqte qe kishin uzuruar pushtetin e Shtetit te Shqiperise. Me kujtohet para pak vitesh kete beri ne familjen e prinderve djali i vellait, kur reagoi hapur ndaj t’atit, vellait tim, larguar ne Greqi familjarisht para 15 vjetesh: Pse iket dhe na cuat atje?
Ka qene rruga me e shkurter por me brenga me te medha qe u shkaktuan ne ato kohe te trumbullta. Ndaj uroj qe vajza duhet ta kuptoje nenen e saj, uroj qe t’ja mbushe sa te mundet boshllekun e madh te krijuar prej te qenit larg atdheut, te afermve, shoqerise, kujtimeve te bukura te 26 jeteve te kaluara qe prej dites kur Malevi e shkeputi prej tyre.