Ajo di të të bëjë ta dëgjosh. Ka bërë breza të tërë gjatë gjithë karrierës së saj 40-vjeçare, e bëri edhe me ne në pak minuta. Minerva Rumbo (1949) është mësuese letërsie. 30 vite mësimdhënie në shkollën e mesme “Qemal Stafa” në kryeqytet e kanë bërë që sot të jetë një ndër njerëzit më të dashur për shumë breza. Kolegët e saj pohojnë se është modeli i një brezi që rrallë mund të vijë. Përpara tetë vitesh ka dalë në pension dhe nuk ka ndenjur asnjë ditë pa punë. Ajo sot jep letërsi në një shkollë shumë të njohur në Tiranë. Ka ndikuar në jetën e shumë studentëve falë karakterit dhe durimit. Dje, në ditën e parë të shkollës, e takuam mësuese Minervën për të bërë me të një bisedë, për mësimdhënien, kujtimet e saj dhe mësuesit sot.
Mësuese Minerva, ju vetë e kujtoni ditën e parë të shkollës?
Në mënyrë të habitshme, megjithë distancën kohore, e kujtoj. Mësuesja ime e parë, që fatkeqësisht nuk jeton më, quhej Adelina. Në vite e kam takuar atë dhe e mbaj mend që ishte shumë e dashur dhe në të njëjtën kohë kishte të njëjtin autoritet. Kam lindur në Tiranë dhe shkollën e kam bërë te ish-“Kongresi i Përmetit”. Kujtoj që në shkollë për herë të parë më shoqëroi im atë. Mbaj mend që u ula në bankën e dytë. Problemi im i vetëm ishte që unë shkruaja me dorën e majtë. Më vjen për të qeshur që nuk lejohej që të shkruaje me dorën e majtë dhe më urdhëruan që ta çoja në shpinoren e bankës. U mësova të shkruaja me dorën e djathtë, por sot e kësaj dite të gjitha punët e tjera i bëj me dorën e majtë. Në atë shkollë paralelisht mësova dhe violinën. Ishte një periudhë e bukur se në njërën dorë mbaja violinën dhe në tjetrën çantën. Ishte një fëmijëri ku veç shkollës e muzikës, një rol të rëndësishëm luanin edhe lojërat.
Si ishte shkolla në atë kohë?
Po, shkolla ishte shkollë. Askush nuk diskutonte për shembull figurën e mësuesit, personalitetin e tij. Mësuesit ruanin një distancë nga nxënësit. I përzienin të dy misionet, mësuesin dhe edukatorin, i shkrinin në një. Atëherë kështu na dukej, por tani që i kujtoj mendoj se prej tyre kam marrë vlera shumë të mëdha. Ajo që nuk do të harroj dhe kam dashur ta përdor si model në punën time, ka qenë personaliteti i tyre. Serioziteti në kryerjen e detyrës dhe përgjegjësia. Rregullsia e tyre na detyronte t’i respektonim. Flisnin qetë dhe e përdornin shumë mirë shqipen dhe po ashtu e dinin mjaft mirë mënyrën se si duhet të komunikonin me nxënësit. Nuk ndodhte kjo që mund ta gjejmë rëndom tani, që të ngatërrohet vlerësimi i njohurive shkencore me vlerësimin e veçorive të karakterit. Nuk e bënin këtë gjë. Mësuesit që kam pasur unë nuk e bënin.
Mësuam se ju e keni përfunduar gjimnazin në vitin 1967. Si ka qenë kjo kohë për ju?
Kanë qenë vite që i kam kaluar te “Partizani” dhe klasa jonë kishte një veçori, ishim gati 15 nxënës që kishim qenë bashkë që nga kopshti e deri në shkollë të mesme, një miqësi që e ruajmë edhe sot. Bënim shumë për njëri-tjetrin. Me gjithë vështirësinë për t’u lidhur me botën, por ne ishim të lidhur nëpërmjet radios.
Brezi që ka përfunduar në atë kohë me ju, ka sot poste të rëndësishme?
Po ka, për shembull unë kam mbaruar me Tritan Shehun, kam pasur në klasë po ashtu Aleksandër Dhimën, por s’po kujtoj emra të tjerë… Ndërkohë të gjithë kanë mbaruar studimet e larta, janë njerëz që kanë kontribuar mjaft për këtë shoqëri.
Ju jepni mësim në shkollën e mesme. Keni kaluar shumë breza. Si ka ndryshuar koha nga gjimnazi juaj në këto kohë dhe si është e njëjta periudhë sot?
Po, kjo është e vërtetë. Shpesh dëgjon të na thuhet si punoni? Si janë bërë ky brezi i ri sot? Asnjëherë nuk kam qenë dakord me këtë, në mënyrë kategorike. Mendoj që ajo çka i bashkon brezat e ndryshëm në vite është mosha dhe veçoritë e saj. E vetmja gjë është që duhet të bëj prindi, shoqëria, mësuesi është që, t’i njohë dhe t’i kuptoj. Kjo bëhet nëse ti ata i do. Koha ndikon tek njeriu. Në krahasim me ne, të rinjtë e sotëm janë më të ditur. Po të krahasojmë nxënësit më të mirë të djeshëm, me nxënësit më të mirë të sotëm, këta të dytët janë më të mirë. Ndërsa pjesa tjetër pastaj është e përgjegjësisë. Eh kjo është e ndryshme. Them që ne ishim më të përgjegjshëm. Këta sot janë më pak, ndoshta për faktin që prapa tyre ndihet mbështetja herë-herë e tepruar e prindërve. Kanë një siguri më shumë seç duhet.
Keni bashkëjetuar ju mirë me nxënësit tuaj?
Gjithmonë. Mendoj që ka një fuqi jolëndore, e cila nuk mund të matet me njësi matëse, por që peshon dhe kjo është dashuria për njeriun, në rastin konkret dashuria që unë kam për nxënësin, dashuria për profesionin. Kjo më bën që pavarësisht se koha rrjedh dhe ata janë ndryshe, më bën që t’i trajtoj brenda së njëjtës psikozë të tyre. Profesioni i mësuesit është: jap dhe marr. Unë u jap nga përvoja ime dhe marr prej tyre, energjinë, lirshmërinë, dashurinë që ata kanë për jetën dhe për gjithçka.
Ndodh që një mësues ndikon shumë në ndryshimin e rrjedhës së jetës së një personi. Ju keni ndikuar te ndokush nga nxënësit tuaj?
Nga ç’më kanë thënë shumë e shumë, kam kuptuar që kam ndikuar, për mirë, sigurisht. Aq sa jam habitur që pas vitesh të tëra, një nxënëse vjen e më takon duke më thënë: Zyshë, unë ju mbaj mend që na keni thënë këtë gjë. Unë aty, habitem, pse unë e kam dhënë këtë këshillë?
Si është raporti nxënës-këshilla. Shpesh ata nuk i duan ato?
Po, shpesh mësuesit e teprojnë me këshilla dhe moralizime, fëmijët nuk i duan ato, ose duhet gjetur mjeshtëria se si t’i bësh. Ka shumë nxënës që vijnë më të takojnë, më marri në telefon, kam shumë shkrime të tyre, me dërgojnë emaile. Kjo nuk është kënaqësi, është lumturi.
Cili është ky çelës juaj ?
Unë përpiqem shumë t’i respektoj, pastaj po ashtu përpiqem të njoh individualitetin e secilit. Asnjëherë të mos imponoj mendimin tim. I shmang shumë moralizimet. Në momentin që ndjej që kam dhënë një këshillë morale, kërkoj ndjesë të menjëhershme.
Je përballur me nxënës harrakatë… çfarë ka ndodhur në raportin tuaj me ta?
Asgjë. Përpiqem t’i çoj tek e bukura dhe ata asnjëherë nuk mungojnë në orët e mia, nuk ndodh. Aq më pak të më prishin mësimin.
Ju vetë jeni nënë?
Po, kam një djalë, i cili ka mbaruar për Administrim-Biznes në Qipro.
Si kanë qenë raportet tuaja me të, si një mësuese apo nënë?
Po tani shpesh herë e kritikoj veten time. Ndonjëherë mësuesja ka hyrë tek nëna dhe është një gabim. Megjithatë, natyra ime është e pandryshuar. Bashkëshorti është inxhinier ndërtimi. Unë kam bërë vetëm një gjë: dashurinë për librin ia kam injektuar edhe atij.
Sa lexohet libri sot?
Është një problem botëror që lexohen libra gjithmonë e më pak dhe unë e quaj sukses nëse fëmijët arrijnë të lexojnë pesë-gjashtë libra në vit, me gjithë ngarkesën që kanë. I këshilloj shumë të lexojnë letërsinë klasike dhe atë antike, e cila është themeli i kulturës botërore. Kjo do u japi shije të vërteta estetike. Jam kërkuese për këtë. Nga ana tjetër i porosis që ta duan dhe ta dashurojnë gjuhën shqipe.
Ju prej vitesh keni dalë në pension dhe jepni ende mësim?
Nuk bëra asnjë ditë pushim. Sa kohë që njeriu është aktiv me të gjitha gjërat… Nuk është e mundur të rrijë njeriu papunë kur është mirë në të tre parametrat: me fizikun, mendjen dhe shpirtin.
Ju ka munguar një vajzë?
Shumë, shpresoj shumë dhe dua që e fejuara e djalit të jetë vajza ime e munguar.
Çfarë defekti kanë të rinjtë e sotëm?
Unë mendoj që ta luajnë shumë keq me kohën. Nuk shfrytëzojnë kohën dhe nuk janë shumë punëtorë. Nuk janë dhe aq të përgjegjshëm për jetën e tyre.
Cili është problemi i mësueseve të rinj sot?
Mësuese nuk mund të bëhesh nga e keqja. Mësues duhet të bëhesh sepse e do. Një mësues nuk është vetëm një edukator, por duhet të njohë shumë mirë lëndën e vet. Duhet të jesh mjeshtër edhe në metodën e mësimdhënies. Mësues nga e keqja nuk mund të bëhesh. Nëse ndodh kjo, ky është fillimi i rrënimit të një shoqërie. Shkolla ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një mësues nuk mund të bëjë au-iu pa fund me nxënësit në mes të klasës dhe pastaj të pretendojë që me shkopin magjik të vendosë qetësi. Çka jep, do të marrësh. Respekt, dashuri, shkencën që t’i jep, atë do të marrësh.
Je përplasur me ndonjë tip shumë të vështirë në klasë?
Më ka ndodhur, rrallë. Në gjithë jetën time, dy nxënës kam nxjerrë përjashta. Nuk ishte faji i tij, ishte faji im që i thashë nxënësit “dil jashtë, pastaj e trajtojmë problemin”. Një mësues nëse arrin në pikën e nxehjes, kjo nuk shkon. Një mësues nuk humbet asgjë nëse i kërkon ndjesë nxënësit. Ia gjen, ia gjen. Nuk më ka ndodhur të mos ia gjej. Po të duash.
Ka nxënës shumë të mirë dhe disa të tjerë mestarë që kanë arritje më shumë se ata në jetë?
Unë mendoj që nxënës absolutë në të gjitha lëndët nuk ka. Na ka ndodhur shpesh. Janë në dy kategori nxënësit e dhjetës. Janë ata që studiojnë shumë në mënyrë mekanike dhe të tjerë që studiojnë dhe janë krijues. Këta të dytët bëjnë përpara. Zhvillimi i sotëm nuk pranon riprodhuesit mekanikë. Ndodh që nxënës mestarë, por edhe më pak se mestarë kanë ecur shumë. Ata janë të shkathët, kanë shprehi dhe kanë arritur shumë.

Hajde lajm hajde
Zoti “g…”, po te vini re me kujdes do te kuptonit qe ky artikull ben pjese ne rubriken “Kulture”…pa dashur tju kategorizoj ne ndonje grupim shoqeror te “caktuar”, ndoshta ndoshta mund te keni gabuar adresen per te lexuar te ashtuquajtura “lajme”
Zysh Minerva eshte nje simbol, mbi te cilin e mbeshteten fillimin e zhvillimit kulturor te tyre kushedi se sa adoleshente. Personalisht kam qene ne shkollen Qemal Stafa ne vitet me te veshtira, fill mbas renies se komunizmit, nje periudhe ku humbi sensi i vlerave ne shume fusha te jetes. Nqs nuk do te kishin egzistuar njerez si mesuese Minerva, shoqeria shqiptare do te ishte shume me keq se sa eshte sot. Une jam shume mirenjohes, qe pata fatin te isha nxenes i saj. E kujtoj gjithmone me dashuri dhe adhurim per ate qetesine engjellore, por edhe te rrepte atehere kur duhej, qe te bente te skuqeshe kur te kapte ne gabim.
Respekt dhe perulje!
Mesuese Minerva, e paharrueshmja Zyshe e letersise, me ka dhene mesim 26 vjet me pare tek “Ismail Qemali”. Nje zonje e kulturuar dhe nje njeri i mrekullueshem mbi te gjitha.
Zysh Minerva ju perqafoj nga larg, kam nje respekt te jashtezakonshem per ju.
Mesuese Minerva,sot u cmalla me Ty dhe kujtova 40 vitet e mia ne arsim si mesuese e gjuhes shqipe dhe letersis
e. (jam violeta ceku,vrapi) Te pershendes nga larg dhe te uroj gjithe te mirat
Nga larg te pershendesin edhe dy femijet e mi dhe njekohesisht dhe dy ishnxenesit tuaj, Olsi dhe Anduela Vrapi.
Teper krenareee :’)
Eshte e vecante kjo Zonje e cila ka qene dhe mesuesja ime e letersise….. Cdo gje e thene ne kete interviste nga goja e saj eshte e vertete dhe fatkeqesisht mesues te tille eshte veshtire ti gje. Zysh te pershndes.
Ckenaqesi qe po shoh serish mesuesen time te letersise, ju lutem me ndihmoni me nje adrese emaili te saj 🙂
Z. Minerva ka qene tek Qemal Stafa apo tek Ismaili ????
te QEMAL STAFA
Pershendetje mesuese Minerva!
Gezohem shume qe jeni mire dhe qe vazhdoni te jepni akoma mesim. Une ju kujtoj si nje mesuese qe na e shpjegonte mesimin me pasion te madh dhe une qe e pelqeja aq shume letersine ju degjoja me interes dhe kenaqesi.
Ju uroj nga zemra gjithe te mirat!
Manjola Oreshka
Zysh Minerva nje zonje e vertete,me nje shpirt fisnik qe te bente ta adhuroje dhe me nje bote artistike tejet te pasur .Nje nga zyshat me te mira gjate gjithe ciklit te studimeve te mia,jam e bindur qe ruhet shume gjate ne memorien e te gjithe atyre qe kane pasur fatin ta kene degjuar edhe 1 ore te vetme.
shembull i urtesise. Si koleg e bashkepunetor kam pase se cfare te mesoj nga Minerva. Sa mire do ishte te kishte me shume mesues te tille!
Respekte zyshe Minerva, per gjithe punen e palodhur, dijen e oret e vecante qe ke dhene. Gjithe ata qe kane patur fatin te jene nxenesit e tu, tek Qemal Stafa, jam e sigurte qe te kujtojne perhere!!
Mësuesja më e mirë e të gjitha kohërave! Lënda në të cilën edhe pse dy orë rradhazi nuk u mërzita njëherë… Kam patur fatin e madh të studioj me të. I kishte fjala një peshë të madhe. Dashuria për letërsinë tek unë është një meritë edhe e saja! Gëzuar 7 marsin zysha më e mirë e “Qemal Stafës” Perqafime