Mesatarja e shkollës së mesme, si dhe pikët e testit praktik janë dy kriteret bazë mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve që do të vijojnë për herë të parë studimet në programet e Universitetit të Sporteve për vitin e ri akademik.
Autoritetet drejtuese të këtij institucioni bëjnë me dije se pikët e konkursit kanë edhe peshën më të madhe në përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të pranohen përgjatë vitit akademik 2019-2020.
Ndërkohë që për të hyrë në garë, maturantët dhe kandidatët e tjerë të viteve të shkuara duhet të përmbushin kriterin e mesatares së vendosur nga Këshilli i Ministrave.
“Kandidatët vlerësohen me pikë të grumbulluara bazuar në rezultatet e konkursit në testimin praktik dhe notës mesatare të shkollës së mesme.
Sipas Vendimit të Senatit Akademik, raporti ndërmjet konkurimit praktik dhe notës mesatares të kandidatit do të jetë në kufijtë 70 për qind me 30 për qind. Klasifikimi i kandidatëve bëhet bazuar në sasinë e pikëve totale te grumbulluara nga të dy komponentët, të vendosur në rendin zbritës.
Fitojnë kandidatët me numrin më të madh të pikëve të grumbulluara, sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin program studimesh”, bëjnë me dije ekspertët e Universitetit të Sporteve sa i takon kritereve të pranimit që do të zbatohen në shpalljen e fituesve të rinj të 2019-s.
Sipas tyre, kanë të drejtë të garojnë dhe të pranohen në programin e studimit të ciklit të parë “Bachelor” në “Fushat e Veprimtarisë Fizike, të Shëndetit dhe të Rekreacionit” dhe “Shkencave të Lëvizjes” të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave në fuqi.
Për të hyrë në konkurset e pranimit, maturantët duhet që të plotësojnë edhe kushtet shëndetësore sipas Kartelës Mjekësore miratuar nga Senati Akademik, të cilën mund ta gjeni online në faqen zyrtare të Universitetit të Sporteve të Tiranës, së bashku me orientimet se çfarë duhet të mësoni për testet praktike të secilit fakultet.
Gjatë javëve në vijim do të zbardhen edhe kuotat e mundëshme të pranimit për secilin program studimi.
Aktualisht maturantët kanë nisur me përgatitjet për provimet e detyruara dhe të lëndës me zgjedhje. Ndryshe nga një vit më parë, matura e këtij viti ka pësuar një sërë ndryshimesh, duke nisur nga dhënia e vetëm një provimi me zgjedhje, për të vijuar me shtimin e pyetjeve të testeve, të cilat në total do të vlerësohen me 60 pikë.
Gjithashtu është propozuar që për provimet e këtij viti të rikthehet skema e korrigjimit elektronik, e cila do të zbatohet kryesisht për pyetjet me alternativa, ndërsa ato me shtjellim do korrigjohen nga mësuesit e përzgjedhur.
Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta.
Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Institucionet arsimore vendore që janë përgjegjëse për arsimin parauniversitar do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor dhe brenda datës 5 qershor duhet që t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik “matura online”, sipas udhëzimit përkatës.
Më pas drejtoritë e shkollave duhet të informojnë mbetësit që të mos paraqiten në ditët e përcaktuara për zhvillimin e provimeve. Në rregulloren e provimeve përcaktohet se Maturanti përjashtohet nga provimi kur:
“Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
p.k/dita
