Dy kushtet për pensionin e reduktuar të pleqërisë

J L

Pranvera Kola

Për të siguruar një pension të reduktuar pleqërie çdo aplikues duhet të plotësojë dy kushte që kanë të bëjnë me vjetërsinë e duhur të punës, si dhe të mos jenë të punësuar. Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, përfitimet e reduktuara të pleqërisë mund të sigurohen deri në tre vite para arritjes së moshës së përcaktuar të daljes në pension.

Sigurimi i këtij lloj pensioni nuk mund të ndryshohet më në vijim. Kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara për përfitim duhet të paraqiten pranë sporteleve të shërbimit në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit.

Pas dorëzimit të kërkesës për përfitimin e këtij lloji pensioni, si dhe dokumenteve të përcaktuara, organet e sigurimeve shoqërore përgjegjëse kryejnë verifikimet përkatëse për plotësimin e kushteve të daljes në pension.

Sipas rregullores së ISSH-së, pensionet caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota e të sakta për pension. Kërkesa për përfitim refuzohet në rastet kur dosja e dokumenteve nuk është e plotë.

Kushtet

“Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension për të dyja gjinitë, kur faktohet se: kanë plotësuar vitet e kërkuara të sigurimit, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar”, saktësohet në ligjin për sigurimet shoqërore.

Çka do të thotë se të gjithë ata persona që kryejnë veprimtari ekonomike në të gjitha format, si të punësuar, punëdhënës, apo të vetëpunësuar, përfshirë këtu edhe të vetëpunësuarit në bujqësi nuk mund të aplikojnë për pension të reduktuar.

Pra personat e vetëpunësuar në bujqësi nuk mund të kërkojnë daljen në  pension pleqërie të reduktuar mbasi ata e kanë objektin e punës, tokën në pronësi apo përdorim, të blerë ose me qera, që fakton se i kanë të gjitha kushtet për të ndjekur skemën e detyrueshme, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore deri sa të plotësojnë kushtet për pension të plotë pleqërie.

Afatet e përfitimit të pensionit të reduktuar

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Çka do të thotë se ky lloj pensioni nuk mund të ndryshojë më, pavarësisht se me kalimin e viteve përfituesi mund të arrijë moshën që kërkohet për pensionet e plota të pleqërisë.

Formula si llogaritet

Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar nga ligji, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara për përfitim, është 0,6 për qind në muaj. Për të konkretizuar llogaritjen e këtij pensioni, autoritetet e sigurimeve bëjnë me dije se: “Nëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 për qind (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6  për qind, që është koeficienti i miratuar)”. Sikundër ndodh me pensionet e plota, edhe për përfitimet e reduktuara pagesat ndalohen për çdo kohë që përfituesi është punësuar ose ka qenë ekonomikisht aktiv.

Rritja e përfitimeve (indeksimi)

Si të gjitha pensionet e tjera dhe ky pension i nënshtrohet të gjitha indeksimeve apo rritjeve që bëhen me vendime të posaçme të qeverisë. Konkretisht, ligji përcakton se pensionet e pleqërisë, qofshin këto të plota, apo të reduktuara, si edhe pensioni social, pensioni i invaliditetit, ai familjar, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Është Këshilli i Ministrave që cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.

E drejta për përfitimin e të gjitha llojeve të pensionit

Personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre, kjo e drejtë mund të ushtrohet jo më shumë se tre herë. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre.

Kushtet për tërheqjen e pagesave

Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Po sipas ligjit, pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20% e këstit mujor të pensionit.

Penalitetet për përfitimet e padrejta

Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50 për qind e këstit mujor të përfitimit. Personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal. Ndërsa pensioni i invaliditetit do të ndërpritet për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë kompetent. Gjithashtu pensioni i invaliditetit ndërpritet edhe për periudhat kur ai refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit e të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.

Kërkesa për rishqyrtimin e pensionit

Rishqyrtimi i pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar lejohet vetëm në bazë të kërkesës me shkrim që duhet të bëjë personi i interesuar, ose i autorizuar prej tij me prokurë të posaçme. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren përkatëse të sigurimeve shoqërore, objekt i rishqyrtimit të pensioneve janë ato përfitime që rrjedhin nga ligje apo vendime të veçanta si për kompensime, shtesa për personat në ngarkim e të tjera. Gjithashtu bëhet e ditur se rishqyrtimet e pensioneve bëhen edhe mbi bazën e akteve të auditimit ose kur është konstatuar llogaritje gabim e pensionit, duke respektuar të gjitha procedurat përkatëse ligjore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *