Është një sfidë e hapur që tre persona, të dyshuar si emigrantë shqiptarë, po i bëjnë prej dy ditësh policisë italiane.
Në bordin e një makine superpotente, Audi Rs4 ngjyrë të verdhë, ata po lëvizin nga njëri qytet i Veriut të Italisë në tjetrin, ndonëse janë më të kërkuarit e momentit, për shkak të disa grabitjeve të kryera.
Lëvizin gjithnjë me shpejtësi marramendëse, deri në 250 kilometra në orë, një limit që makinat normale të policisë italiane nuk mund ta arrijnë.

Për këtë arsye, policia mund të përdorë dy Lamborghini që i janë dhuruar për imazh, por që përdoren rregullisht.
Janë dy supermakina, më të shpejta se Audi i Verdhë, dhe arrijnë deri në 325 kilometra në orë.
Gjithsesi, policia po synon që të mos vërë në rrezik qytetarët që përdorin autostradat dhe një ndjekje si nëpër filmat e Hollivudit është përjashtuar deri tani si mundësi.
Rasti më i mirë do të ishte bllokimi i tyre në ndonjë pikë karburanti, pasi Audi Rs4 konsumon shumë.
Por edhe nëse policia i ndalon, ata duhet se do t’ia hedhin lehtë. Xhordano Biserni, presidenti i shoqërisë së sigurisë së autostradave, i tha gazetës “La Repubblica”, se ata mund të dënohen vetëm për tejkalim shpejtësie dhe vjedhjen e makinës me targa zvicerane në Malpensa të Milanos.
Për asgjë më shumë.

Nëse do t’i akuzonin si shkaktarë të një aksidenti ku mbeti e vdekur një grua për arsye se po udhëtonin në sens të kundërt për 5 kilometër në autostradë, duhet provuar që ishin ata në drejtimin e automjetit.
Ka dyshime se banda ka shkëmbyer zjarr me policinë, por as kjo nuk është provuar./ La Repubblica
