Si ikona!..
Në çdo frymëmarrje ndjej aromën,
e trupit tënd prej trëndafili,
të mbaj në zemër si ikonën,
që nuk i shuhet kurrë kandili!
Kaluan nuk e di sa vite,
kur kemi dhënë puthjen e fundit,
s’ia mbaj mend emrin asaj dite,
s’e mbaj mënd çastin që na humbi!
S’e di ku ike Amazonë,
s’e di në më kujtove më,
po unë të mbajta si ikonë,
krejt të ndriçuar përgjithnjë!
Nuk rroj në jetë veç me kujtime,
sepse kështu do isha tretur,
po shpesh qëllon që ora ije,
në dorën tënde më ka mbetur!
Unë atë orë s’e lëviz dot,
është koha vetë që ka ndaluar,
po ende jemi ne në Botë,
dy yje drite të larguar!
Ndaj asnjëherë s’ka përfundim,
ilaçi i shpirtit na u gjënd,
se Ti ndriçon në qiellin tim,
dhe unë ndiçoj në qiellin tënd!
2004-2015
******
Kryevepra…
O zonjë fisnike dhe e ëmbël,
o dritë që vetëtin në qelqe,
kanë thënë që jeta është një ëndërr,
po imja ishte shumë e keqe!
Po shpirti im s’e njeh pendesën,
dhe pse për gjumë m’u shua syri,
gjithmonë ti ngrihesh mbi harresën,
si një statujë prej floriri!
E cili burrë do kish guxim,
një kryevepër të harronte,
edhe të tretej në harrim,
siç desha unë të bëja sonte!..
Po asnjëherë nuk ka harresë,
sa ende zjarri djeg te gjiri,
ndaj ti u gdhënde në kujtesë,
si një statujë e lartë floriri!..
Po ç’kemi tjetër nga kujtimet,
më të sigurtë në këtë Botë,
vetëm kujtimet-zonja ime,
as Zoti vetë s’na i vjedh dot!..
Po ti ke qënë në zemrën time,
Çdo orë të natës dhe të ditës,
ti ishe flakë vetëtime,
por unë nuk kisha rrufepritës!
Po unë qëndrova krejt zbuluar,
përballë rrufesë që flakërinte,
ndaj fundi im i merituar,
nga vetëtimat do më vinte!..
E kush do ishte ai burrë,
t’i hidhte sytë tek një tjetër,
jo kjo nuk mund të ndodhte kurrë,
se ishe ti një kryevepër!
2010

Ka me bukur se : ” Po ende jemi ne ne bote / Dy uje drite te larguar ” ? Apo dhe tjetra
” E kush do te ishte ai burre / T’i hidhte syte tek nje tjeter / JO! Kjo nuk do te ndodhte kurre / Se ishe Ti nje kryeveper. Pergezime poetit Arben Duka!
( e anulloj komentin e mesiperm per shkak te gabimit ortografik)
A ka me bukur se dy vargjet :” Po ende jemi ne ne Bote / Dy yje drite te larguar” ?Apo ne poezine tjeter ne vargjet : ” E kush eshte ai burre / T’i hidhte syte tek nje tjeter / JO! Kjo nuk do te ndodhte kurre / Se ti ishe nje kryeveper “.
Pergezime poetit Arben Duka !