Kam njohur bukurinë e vërtetë
Kam njohur një vajzë shumë të bukur,
jo sajesë sallonesh po bukuri e vërtetë,
nuk bënte asnjë gjest për t’u dukur,
krejt indiferente për bukurinë e vet!
Me shpengimin e saj vajzëror,
si me magji ma ndriti mëngjesin,
krejt pa mundim vetëm për një orë,
ma treti gjithë lodhjen dhe stresin!
Po të ishte psiko analiste,
në studion e saj do kishte vetëm Maj,
dhe sikur asnjë fjalë të mos fliste,
terapia e përsosur do qe veç ekzistenca e saj!
Me bukurinë kurrë s’jemi velur,
kush thotë se po tregon veç përralla,
ndaj ne poetët ende kemi ngelur,
gjahtarë të bukurive më të rralla!
Një të tillë bukuri e njoha dje,
një ylber njerëzor njëqind ngjyrësh,
sa dhe kur iku imazhin la atje,
si një dritë të butë xhevahirësh!
Shpirtin tim me tinguj mbushi plot,
në mendimet më të thella më ka futur,
po për çudi kur iku s’i thashë dot,
të faleminderit që je kaq e bukur!
*****
Jam kusar nga Labëria!
Jam një djalë e deli djalë,
po kam namin e kusarit,
nami nga ty më ka dalë,
zogë e bukur e beharit.
Jam kusar nga Labëria,
s’ka si unë në këto vënde,
i dehur nga dashuria,
unë kam vjedhur zemrën tënde!
Jam kusar nga Labëria,
këtë fat e tjetër s’dua,
mbasi vodha zemrën tënde,
vodha dhe puthjet e tua!
Trëndafili im i bardhë,
nami kot s’më doli mua,
se pastaj vodha me radhë,
të gjitha brengat e tua!
