Prokuroria Speciale pritet të kërkojë edhe dy muaj paraburgim për deputetin Fatmir Limaj dhe për tre të akuzuarit e tjerë të çështjes “Kleçka”. Kërkesa pritet të bëhet para të shtunës, ditën kur skadon afati për një muaj paraburgim, shkruan gazeta “Koha Ditore” duke iu referuar burimeve brenda Prokurorisë.
Ndërkohë, shkalla e tretë e Gjykatës Supreme ka konstatuar se Limaj është duke u mbajtur në paraburgim në mënyrë të ligjshme. Supremja ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për mbrojtje të ligjshmërisë më 12 dhjetor. Të martën u është dërguar aktgjykimi i marrë nga pesë gjyqtarë, tre të EULEX-it dhe dy vendës.