Fati i Clarens Seedorf nëse do të qëndrojë apo jo te Milan vendoset në dy ndeshjet e radhës. Gjithçka do të merret vesh brenda javës së ardhshme, e cila pritet të jetë e mbushur me plot të papritura. Stoli i Sedorf sapo ka filluar të lëkundet dhe nuk është më i “blinduar” si dikur. Gjithçka vendoset në katër ditë e ardhshme. Prova e parë është të dielën në Romë kundër Lazios dhe të mërkurën në Firence. Këto dy sfidat janë vendimtare, që do të vendosin mbi të ardhmen e holandezit. Nëse gjithçka shkon keq, do të jetë Mauro Tasotti personi i avantazhuar për të marrë drejtimin e skuadrës. Sipas mediave italiane, ky është vendimi i radhës që ka në kokë presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, pas konsultimesh dhe reflektimesh të gjata.
Konkluzionet janë nxjerrë të martën mbrëma, në darkën e famshme në Arcore, kur administratori i deleguar, Adriano Galliani, u paraqit te presidenti bashkë me të bijën e tij, Barbaran dhe një person të tretë, të cilin presidenti e dëshironte që të ishte i pranishëm për ta pasur të plotë tablonë e situatës./ I. K
