Jovan Bizhyti
Si çdo qytet, edhe Tirana ka objektet e saj të memorjes historike të shpallura si, “Monumente të Kulturës”, që shtrihen në aksin qendror të qytetit. Të tilla janë: Kompleksi i Ministrive me Sheshin “Skënderbej”, Banka e Shtetit, Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kulturës me selinë e Teatrit të Operës dhe Baletit, Xhamija e Et-hem Beut me Kullën e Sahatit, selitë e Kryeministrisë dhe të Kryesisë së Kuvendit në dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, selia e Presidencës, korpusi qendror i Universitetit të Tiranës, Piramida dhe ish Hotel “Dajti” e tjera. Të gjitha këto, përbëjnë historinë e Tiranës, kryeqytetit tonë, që po rritet e zbukurohet për ditë, duke marë pamjen e një qyteti europian.
Por në këtë shkrim, dua të ndalem në dy prej këtyre objekteve simbol të qendrës së Tiranës, Hotel “Dajti” dhe Piramida, rrënimi i të cilave pas viteve 90-të, ka krijuar një mungesë në jetën social-kulturore të qytetit, duke lënë në harresë kujtesën historike, që ato kanë mbartur për qytetarinë e Tiranës. Nuk bëhet fjalë për objekte të rrënuara e të amortizuara nga vjetërsia e kohës, që rrezikojnë shëmbjen, por për dy objekte që i kanë qendruar me dinjitet kohës për konstruktin e tyre solid, arkitekturën e veçant dhe veprimtarinë social-kulturore që kanë transmetuar në mjedisin qytetar.
Hotel “Dajti”, simboli që i jepte autoritet dhe gjallëri jetës sociale të Tiranës në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, ka qenë nga hotelet më të hershëm e më luksoz të qytetit, në krah të bulevardit qëndror “Dëshmorët e Kombit”. Eshtë projektuar nga arkitektët më të famshëm italianë të kohës së viteve 30-40-të, përfshirë Gherardo Bosio dhe i dizajnuar në detaje nga Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern europian. Ky hotel në qendër të Tiranës, ka qenë ndër më të mirët në Ballkan për kohën dhe është konsideruar si një nga simbolet e turizmit shqiptar. Së fundi është shpallur dhe si, “Monument i Trashëgimnisë Kulturore e Historike” të Tiranës.
Punimet për ndërtimin e tij, filluan në shtatorin e vitit 1939, kur Shqipëria sapo ishte pushtuar nga Italia fashiste. Përfundimi i ndërtimit dhe inagurimi u bë në fundin e vitit 1942. Në planimetrin e tij në formën e germës L, në katin e parë, vendin kryesor në kompozim, e zinte, Holli i Madh, i bukur plotë dritë, i lartë dhe impresionues me llampadar madhështorë. Pastaj vinte, Bar-Kafe dhe dy salla Restorantesh me kapacitete të ndryshme, salla Nr.1 me 200 vende dhe salla Nr.2 me 100 vende, që përdorej dhe si “Saletë” për grupe turistike, për delegacione të ndryshme dhe personalitete të larta shtetrore që vizitonin vendin tonë.
Të pije një kafe, apo të haje një drekë apo darkë në ambjentet e hotel “Dajtit”, ishte një mbresë e veçant, ishte privilegj, pasi nuk lejoheshin njerëz të zakonshëm, mbahej vetëm për të huaj dhe për personalitete të vendit, politikanë, artistë, sportistë e tjerë, ku dhe çmimet ishin të larta, që nuk përballoheshin lehtë nga punonjësit e thjeshtë. Për qytetarët e zakonshëm, ishte një aneks në Bar-Kafen e “Taivanit” në Parkun “Rinia”, që ekziston edhe sot, ku atëherë ishte aneks i Hotel “Dajtit”. Me pamje nga mali i Dajtit, ishte dhe Veranda, e bollshme dhe me një mjedis të këndshëm, veçanërisht për stinën e verës.
Nga holli, nëpërmjet shkallëve, zbrisje në katin e nëndheshëm, që ishte Tavernua, një ambjent shumë aktiv për jetën e natës, ku funksiononte dhe një orkestër e muzikës së lehtë ritmike për vallzim. Në tre katet e sipërme, shtrihej hoteli me një kapacitet prej 85 dhomash me 124 shtretër. Dhomat plotë dritë, kishin dhe veranda, për të soditur bulevardin, parkun “Rinia” dhe ambjentet për rreth. Ky hotel luksoz, ka pritur e përciell shumë personalitete të larta shtetrore, që kanë vizituar Shqipërinë në ato vite të sistemit komunist, veçanërisht nga vendet komuniste të lindjes. Vazhdoi të shfrytëzohej edhe në vitet e para pas ndryshimeve demokratike dhe si për çudi, një ditë u mbyll pa pritur dhe nisën tratativat për t’i ndryshuar destinacionin! U përfolë aneksimi për nevoja ambjentesh të Ministrisë së Jashtme, pastaj për t’a privatizuar me donator të ndryshëm dhe së fundi me një vendim të Qeverisë Berisha në vitin 2010, u falë për 30 milion Euro, Bankës së Shtetit Shqiptar, pasi buxheti i shtetit ishte në krizë dhe duhej mbushur me disa miliona Euro. Periudha prej rreth 30 vitesh, e la në braktisje këtë objekt me vlera të veçanta, i cili u rrënua, u plaçkitë e u sakatua, duke e lënë në mëshirë të fatit, pa mbajtur kush përgjegjësi!
Pas gjithë këtij kalvari rrënimi, këto dy vitet e fundit, u bë e gjallë pronaria, Banka e Shtetit, për të nisur rikonstruktimin e tij të stërzgjatur, për t’a kthyer në ambjente për nevojat e Bankës së Shtetit Shqiptar. E pazakont, një kujtesë e tillë historike e qendrës së Tiranës, me vlera të tilla arkitekturore siç ishte Hotel “Dajti”, kthehet në ambjente për nevojat e administratës bankare!
Për karshi Hotel “Dajtit”, matan Lanës, në anë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ngrihet dhe objekti i Piramidës së Tiranës, e cila si Hotel “Dajti”, ka përjetuar të njëjtin fat, të rrënimit, braktisjes dhe grabitjes pa fund të vlerave historike që mbartëte. Eshtë një nga veprat arkitekturore me një moshë shumë të re. Eshtë ndërtuar në vitet 85-88-të të shekullit të kaluar dhe në atë dekadë të ekzistencës së saj, ishte kthyer në një simbol të qendrës së Tiranës, nga ku rrezatonte dritë e kurreshtje për arkitekturën e veçant që kish, pa përmendur funksionin për të cilin ishte ngritur. U ndërtua si muzeum, që i kushtohej jetës dhe aktivitetit të udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. U bë shumë për atë muze, u aktivizuan arkitektët më të mirë të vendit, mjeshtrat e ndërtimit, piktorët e skulptorët më të talentuar dhe historianët e përkushtuar të regjimit. Autori kryesor i projektit të kësaj godine, ishte dhëndrri i udhëheqësit, Klemend Koloneci, një djalë i ri, por i talentuar, që u shqua si arkitekt që në fillimet e aktivitetit të tij.
Piramida është një arkitekturë e veçantë, me një pamje moderne në formë piramide, që bënte ndryshimin në gjithë ndërtimet që ishin bërë deri atëherë. Modernizimi i saj nuk vrehej vetëm në pamjen e jashtme, por dhe në ambjentet e brendëshme, në hapësirat e kateve dhe pavioneve me thyerje e ndriçime të brendëshme pa dritare. Ajo në dukje, ka pamjen e një pëllëmbe dore, ku gishtat e përkulur janë ngulur në tokë si rrënjët e një rrapi shekullorë deri në themelet e saj dhe pëllëmba ngrihet lartë si kupolë në formë piramide. Kështu spjegohej atëherë projekti dhe arkitektura e saj. Me pamje nga lartë, duket si krahë shqiponje, simboli i flamurit tonë kombëtar.
Në vitet e ndërtimit, kjo godinë tërhoqi shumë vëmendjen e qytetarëve, pasi forma e saj ishte një ndërtim shumë i veçant, e një stili kubik modern, që syri i njerëzve nuk kishin parë një projekt të tillë. Në atë truall, para viteve 80-të, ishin disa shtëpi private të vjetra në formë vilash, të cilat shteti i shtetzoi dhe pronarët i kompesoi me apartamente në pallatet e reja që po ngriheshin kudo në lagjet e Tiranës. Pas vitit 1985, për dy-tre vjet, ai territor, u kthye në një kantjer gjigand, i rrethuar ku nuk dukej seç ndërtohej aty brenda. Kur godina u ngritë mbi sipërfaqen e tokës dhe muret anësore nisën të marin formën e një piramide, atëhere zgjoi kurreshtjen e qytetarëve për të veçantën që paraqiste ky projekt, në krahasim me arkitekturën e ndërtimeve që e rrethonin ambjentin rreth e qark. Në fund të ndërtimeve u morë vesh në opinion, që kjo godinë e një stili të veçant, do të ishte muzeu kushtuar udhëheqësit komunist, Enver Hoxhës.
Kur u ndërtua, njerëzit e adhuronin, jo vetëm për arkitekturën e veçant që kish si një godinë e bukur e moderne, por dhe si muze historik, ku nëpërmjet kontributit të udhëheqësit Enver Hoxha, pasqyrohej gjerësisht dhe lufta e popullit shqiptar për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist. Në stenda ishin përdorur fotografi të zmadhuara, tabllo pikture e kompozime skulpturash me përmasa të mëdha, projeksione luftimesh e berejash dhe relike luftëtarësh e heronjësh në stenda dhe në forma të tjera të veçanta, nëpërmjet të cilave, mësohej historia e jetës së udhëheqësit dhe e popullit shqiptarë në luftën Nac.Çl.
Ndryshimet e sistemit, si në shumë drejtime, patën në objekt dhe shkatërrimin e këtij muzeu, duke shprehur në të gjithë urrejtjen, jo vetëm ndaj regjimit dhe udhëheqësit, Enver Hoxha, por dhe ndaj çdo vlere historike që përfshihej në të, si dhe ndaj godinës, që mbeti si e shkretuar aty në anë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ai objekt i veçant historik, u çvesh totalisht, u masakrua dhe u grabit, duke e lënë të braktisur, me pretekstin se i kushtohej udhëheqësit komunist, i cili pas ndryshimeve të sistemit, u cilsua diktator, që mbajti Shqipërinë të izoluar për rreth një gjysmë shekulli. Mirë ana historike që shprehte në të qëndrime politike, po me godinën ç’patën?! Njerëzit kalonin aty pranë dhe ndjenin keqardhje për braktisjen dhe rrënimin e saj, sikur për të gjitha të këqiat e atij sistemi, e kishte fajin ajo piramidë, ajo ndërtesë moderne, që ishte si pararendëse e arkitekturës së re, që nisi të futej në Tiranë pas viteve 80-të dhe që solli një erë të re qytetrimi në stilin e arkitekturës, duke u pasuar dhe me ndërtime të tjera si, Pallati i Kongreseve, Muzeu Kombëtar, Hoteli 15 katësh e tjera.
Edhe për fatin e këtij objekti, u bënë shumë pazare, një herë për t’a kthyer në teatër, pastaj në qendër kulturore për fëmijë e të rinj dhe së fundi 10-15 vite më parë, kur vendi drejtohej po nga qeveria Berisha, u vendos të eleminohej nga themelet, si një vepër e veshur me qyrkun komunist dhe duhej zhdukur çdo shenjë e simbol i saj. Bile u projektua të ngrihej në vend të saj, një godinë e parlamentit dhe e kryesisë së tij, në një kohë që salla e Parlamentit është shumë funksionale dhe Kryesia e tij gëzon ambjente shumë moderne në ish godinën e KQ të PPSH. U desh kundërshtia e opozitës socialiste në atë kohë, e shoqërisë civile dhe e shoqatës së arkitektëve të Tiranës, që e çuan këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese të vendit, e cila e shqyrtoi dhe mori vendimin, që Piramida e Tiranës të ekzistoj si godinë, duke rrëzuar vendimin e qeverisë. Dhe pas kësaj, si për inat të këtij vendimi, kalvari i rrënimit të saj vazhdoi me vite të tëra, duke e rjepur e grabitur pa mëshirë, dhe ku ambjentet rreth saj u kthyen në skuta ku strehoheshin të pa strehët e rrugës dhe mbi mure lodronin e zvarriteshin fëmijët.
Është interesante, që kudo në botë, objektet historike dhe ato moderne me vlera të veçanta social-kulturore e historike, që mbartin mbi vete dhe historinë e qytetit, ruhen e rikonstruktohen. Tek ne, pikërisht këto dy objekte që theksuam, si vepra simbol të memorjes historike në qendër të Tiranës, u dënuan e u masakruan, deri për t’u zhdukur, sikur ishin ato fajtore për të këqijat e atij regjimi që lam pas! Aq më tepër, që ato janë pasuri e trashëgimnisë kulturore e historike të shoqërisë. Qytetet në botën e qytetruar janë ndërtuar brez pas brezi, pa mohuar njëra-tjetrën, kulturat e tyre historike, mbartin etapat e zhvillimit të shoqërisë e të qytetrimit social. Stilet e ndërtimeve, përbëjnë mozaikun e qytetrimit, pa u veshur hijen e sistemeve politike që kalon shoqëria njerëzore.
Më së fundi, Kryemiistri Rama dhe Kryebashkiaku Velia, vunë dorë mbi këtë vepër shumë të veçant që shtrihet në aksin qendror të Tiranës, duke siguruar një projekt rikonstruktimi dhe fondin përkatës për t’a kthyer Piramidën në një qendër kulturore për të rinj, në fokusin e teknologjisë së informacionit, të artit, kulturës dhe hapësirave të tjera rinore.
Hotel “Dajti” në fillimet e viteve 40, gjatë ndërtimit
Hotel “Dajti” para viteve 90-të
Piramida e Tiranës pas viteve 90-të




Shkaterrimi i hotel Dajtit pati dy qellime ;Ndertimin e “hotel Rogner”nga Austriaket me lejen e Sali Berishes ku ai vete eshte nji nga aksioneret me te medhenj,dhe uljen e vleres se”Dajtit”per ta bere me pak te kushtush- em dhe gati per ta blerenga njerez afer Saliut sic ishte Fullani apo edhe nga vete Saliu! Rogneri eshte ”cibani” qe ju vendos bulevardit “Deshmoret e Kombit”!
Jovan Bizhuti me te lumte ajo medie komanduar ate Pene dhe sjelle kete shkrim te shelqyer sa kritike per KRIMET e kohes se pas PSEUDODEMOKRACISE bene ket shkaterrime ne Tirane, vepr te ndertuara ne djershen dhe gjakuj e nje populli tebtere. Krim me te madh nuk ka me cpo veprohet me Tiranen,qe shkaterruar gjithcka *munumete Kulture ne vite.Qe nga ish Bashkia e Tiranes, Muzete e shumet si Ai i Luftes apo deri parqe sportive Lulishte tj. Po a kishte qe me te bukur Tirana se ate lpkalin e KURSALIT me rugeve Te Durresit e Kavajes apo *PAZERIN e VJETER*,qe do ishte nje krye MUZE i Tiranes,Dhe se fundi,c’jane keto ndertese-KULLA FIRAUNI shumekateshe-,mes Tiranes . O POPULL -thuaje fjalen tende.
Arkitektura, forma e piramides simbolizonte shqiponjen me krahet e hapura, nenen Shqiperi, qe ruante birin e saj te shtrenjte, Enverin.
Po ta shikonit nga lart e kuptoni qe qe shqiponja me yll.
https://www.intoalbania.com/sq/atraksion/piramida-e-tiranes/
https://www.researchgate.net/profile/Elisa-Miho/publication/340793081/figure/fig2/AS:882467401637891@1587408032528/The-Pyramid-Piramida-former-museum-of-Enver-Hoxha-during-its-inauguration.jpg