Sot në Bruksel do të jepet vendimi për marrjen ose jo të Statusit të vendit kandidat në BE nga ana e Shqipërisë. Për herë të parë në këto vite situata nuk ka qenë kaq e paqartë nëse përgjigja do të jetë aprovuese apo refuzuese. Holanda ka dalë hapur publikisht kundër Shqipërisë, por dhe disa shtete të tjera, edhe pse jo në mënyrë publike, janë skeptike. Të tilla janë, Britania, Gjermania apo dhe Franca. Shanset që Shqipërisë t’i hapet drita jeshile për statusin janë po aq të barabarta sa dhe refuzimi, negociatat do të vazhdojnë edhe ditën e sotme ndërsa është rritur optimizmi se do të votohet pro.
Skenari i parë
Skenari i parë, i cili shpresojnë të gjithë shqiptarët është ai i marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Gjasat janë mjaft të mira për disa arsye; e para Komisioni Europian që merret në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjerimin e BE-së pak javë më parë ka rekomanduar marrjen e statusit nga Shqipëria. Stefan Fyle në mënyrë të qartë është shprehur se Shqipëria i plotëson kriteret për të hedhur një tjetër hap drejt BE-së. Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë e cila kërkon statusin për Shqipërinë dhe për më tepër u miratua me një shumicë të theksuar. Një nga pikat kyçe në favor të këtij skenari është padyshim dhe zhvillimi i zgjedhjeve të 23 qershorit të lira dhe të ndershme. Lufta ndaj korrupsionit është një kërkesë e fortë e Brukselit, por qeveria e re në këtë drejtim ka nisur të lëvizë diçka. Disa funksionarë publikë janë akuzuar për shpërdorim detyre. Në këtë pikë nuk është bërë asnjë ndonjë përzgjedhje partiake, pasi është denoncuar kreu i bashkisë së Vlorës, që i përket PS-së, por dhe ish-ministri i Mbrojtjes apo dhe funksionarë të tjerë publikë. Meqenëse vendimi për statusin është një vendim politik, arsyet për të ndezur dritën jeshile janë të mjaftueshme.
Skenari i dytë
Nëse Holanda tregohet kokëfortë apo dhe ndonjë shtet tjetër i bashkohet, statusi nuk mund të merret sot, por do të shtyhet në kohë. Shumë diplomatë janë shprehur se dhënia e statusit në dhjetor do të ishte inkurajim për Shqipërinë. Nëse Holanda kërkon akoma kohë për të parë rezultate dhe një qëndrim euro-skeptik që është rritur në Mbretërinë e Holandës, atëherë do të kemi një shtyrje të vendimit për në pranverën e vitit 2014. Ky skenar do të zhgënjente pritshmëritë e shqiptarëve, por do ta komplikonte edhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Vitin e ardhshëm Bashkimi Europian futet në një proces zgjedhor dhe drejtuesit e rinj do duhet të kenë gjëra të tjera më të rëndësishme se sa aspiratat e Shqipërisë. Duhet parë nëse Holanda dhe euro-skeptikët e tjerë do të qëndrojnë stoikë apo do të ngrenë kartonin jeshil ashtu si vendet e tjera të BE-së.
Përçahet koalicioni qeverisës në Holandë
Një zëdhënës i parlamentit holandez deklaroi dy ditë më parë se partia për “Liri dhe Demokraci” e kryeministrit Rutte ka votuar kundër hapjes së dyerve për Shqipërinë, ndërsa partneri në koalicion, Laburistët, kanë votuar në favor të dhënies së statusit. Holanda, gjithashtu, kundërshton hapjen e dyerve për anëtarësim në zonën Shengen të Bullgarisë dhe Rumanisë edhe pse Komisioni Europian mendon se të dy vendet kanë plotësuar të gjitha detyrimet e tyre. Partia Liberale është një parti e qendrës së majtë e cila edhe pse ka disa kërkesa ndaj Shqipërisë nuk e ka penguar në asnjë rast për rrugën e integrimit. Partia tjetër “Liri dhe Demokraci”, së cilës i përket dhe ministri i Jashtëm, është një parti e djathtë që ka homologe të vetën në Shqipëri Partinë Demokratike.
Negociatat deri në sekondën e fundit
Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar në mënyrë informale për Shqipërinë. I pyetur gjatë konferencës nacionale për shtyp, ministri i Jashtëm slloven u shpreh optimist për një vendim pozitiv të martën për statusin kandidat. Njësoj vlerësoi dhe zëvendëskryeministrja kroate, Vesna Pusniç, e cila argumentoi se pavarësisht hezitimit nga disa shtete të rëndësishme anëtare, pjesa dërrmuese e BE-së e mbështet kandidaturën e Shqipërisë. Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në Bruksel për të diskutuar çështjet ekonomiko-sociale, mbrojtjen, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Qendrore. Zyrtarisht, Ballkani Perëndimor ishte pika e fundit e diskutimit sipas axhendës së Këshillit, por kjo vetëm në kuadër të raportimit nga Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton, mbi ecurinë e dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Milo: Pengesa holandeze, jo për faj të Shqipërisë
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tha dje për gazetën ‘DITA’ se nuk shihte asnjë pengesë serioze për marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e vendit tonë. “Pritshmëritë e shqiptarëve ndaj vendimit të BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat janë shumë të mëdha. E them këtë sepse progresi i Shqipërisë në drejtim të afrimit me BE-në është i dukshëm. Detyrat e vëna nga BE një vit më parë janë realizuar të gjitha, ku shquan realizimi i zgjedhjeve shumë të mira më 23 qershor. Nga ana tjetër, qeveria e re e Shqipërisë ka qenë dhe është e motivuar dhe transparente ndaj BE-së. Ajo po zhvillon një luftë efikase ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë theksuar me forcë nga Brukseli si problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare”, tha Milo. “Ndërsa qëndrimin e Holandës”, shtoi ish-ministri i Jashtëm, “nuk duhet ta interpretojmë si qëndrim jo miqësor të saj ndaj Shqipërisë. Ky qëndrim ka të bëjë me problemet e brendshme të vetë Holandës, ku vitet e fundit është shënuar një euro-skepticizëm në rritje. Holandezët ndruhen se një proces i zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, do të rrisë barrën dhe problemet e taksapaguesve holandez”ë, deklaroi Milo.
‘EU Observer’: Shqipëria meriton statusin
“Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat”. Në një opinion të sajin, gazeta e pavarur online “EuObserver” që mbulon politikat e Bashkimit Europian shkruan se Shqipëria, ku 87% e popullsisë kërkon anëtarësimin është e gatshme të bëjë përpjekje të mëdha për ta arritur.
Këtë javë, udhëheqësit e BE-së do të vendosin për t’i dhënë ose jo statusin e vendit kandidat pas rekomandimit pozitiv të Komisionit në tetor. Atëherë pse parashikohet gjerësisht që Shqipëria të prekë mbi supin e ftohtë të BE? Pas dy kundërshtimeve – shkruan Euobserver – në vitin 2010 dhe 2011, Komisioni i ofroi së pari Shqipërisë, një gati-miratim në vitin 2012, i cili u rrethua nga gardhi i kushteve.
Euforia e shkurtër që ndjenë shqiptarët, e cila përkoi me festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, menjëherë u rrëzua. Zgjedhjet e fundit, më në fund përmbushen standardet dhe sollën në pushtet Partinë Socialiste të Edi Ramës, gjeneruan ndjenjën se diçka kishte ndryshuar; sollën shpresë. Progres-Raporti 2013 nënvizoi se Shqipëria ka shënuar progres në reformat kryesore. Megjithatë statusi i vendit kandidat nuk do të thotë anëtarësim i nesërm, sepse përpara ka shumë vite negociatash. Raportimet e fundit i vendosin disa vende në kornizën për të bllokuar progresin e Shqipërisë, mes të cilëve Britania e Madhe dhe Holanda.

pranimin ne BE duhet ta meritojme,qe ta meritojme duhet ne radhe te pare te luftojme korupsionin i cili ka kapeluar cdo qelize dhe instance te shoqerise ne vendin tone
Shpresojmë që Shqipërisë ti ofrohet opsioni “Pro – Status”…përndryshe Europa u tall me popullin tonë…Vendet skeptike te ristudiojnë edhe njëherë dosjen e Shqipërisë, rregullat që iu kërkuan të plotësoheshin…dhe mbas këtyre rregullave apo reformave të japin përgjigje dhe të justifikojnë këtë përgjigje…
nuk e meritojme pavarsisht dishires qe kemi dhe nevojes gjithashtu kushti kryesor koorruuppssiioonnii………. eshte e domosdoshme te gjithe njelloj perpara ligjit jo rrenimit te popullit vende te reja pune shendetsia shtet ligjor me e rendesishmja EUROP eshte dicka e bukur e madhe gjithashtu kerkon dhe kurbane prandajduhet ndar mendia zoti kryeminister e te zgjedhesh cilet do dergosh perpara drejtesis
Te ne ka korrupsion dhe ka e ka shume gjera qe duhet t”i ndreqim; por
perparime kemI bere shume e PER KETE DUHET TE NA E JAPIN STATUSIN PER NE BE. NE ISHIM NJE VEND I MBYLLUR E FUNDI I BOTES, PRANDAJ KEMI BERE PERPARIME ME SHUME SE CDO VEND TJETER PO TE LLOGARISIM KU ISHIM.