DY POEZI PËR DASHURINË…

redaktor

1. Dashuria është abstrakte…

Dashurinë-dashurinë,
asnjeri s’e ka arritur,
nëpër misteret e saja,
hyn e del i pastërvitur.

S’e njohim në të vërtetë,
as në prill e as në maj,
po dhe pa e njohur fare,
ne jemi robër të saj!

Dashuria s’ka formula,
që përmendësh t’i mësosh,
po për të është vënë vula,
thjesht… duhet të dashurosh!

Dashuria s’njeh logjikë,
ndryshe dashuri s’do qe,
është abstrakte edhe pikë,
ndaj dot s’e kuptojmë ne!

Dashuria-dashuria,
jo-nuk ka formula fikse,
dhe në një zemër që digjet,
s’mund të futesh me zjarrfikëse!

Koha ikën si shigjetë,
si shigjetë e vetëtimë,
po ne s’e njohim gjithë jetën,
as veten-as dashurinë!

14.03.2008

2. Zjarr dashurie…
(Vargje për këngë)

Seç u dogj një flutur,
në flakë të qiririt,
ndaj më shkau loti,
në qerpik të syrit.

Seç u dogj e shkreta,
me vete thashë unë,
u dogj sepse dritën,
e donte aq shumë!

Po kështu-njëlloj,
ndodh mes njerëzisë,
se ç’i djeg të gjithë,
zjarr’ i dashurisë.

Eh-ky zjarr i shkretë,
tret gurë e zinxhirë,
i vetmi ku njerëzit,
digjen me dëshirë!

Digjen me dëshirë,
të mençur-të marrë,
dhe hidhen pa frikë,
nga zjarri në zjarr!

Nga zjarri në zjarr,
të plagosur mbetën,
me ca plagë zemre,
që dhëmbin gjithë jetën…

Tetor, 2005

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *