Zoti president, jam një shtetas korrekt i këtij vendi. Respektoj institucionin e Presidentit dhe dekretet e nënshkruara prej tij, sepse besoj se ato shprehin vullnetin e shumicës së popullit. Pa e zgjatur do t’ju flas hapur. Në vijimësi, e kam ndjekur me dyshim ushtrimin e pushtetit tuaj, sidomos atë që lidhet me autoritetin tuaj si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ditët e fundit dëgjova prononcimin tuaj mediatik për ngjarjet në Lazarat.
Së pari, ju kërkoni që të vihen para drejtësisë autorët e krimit. Këtë gjë e kërkon secili shtetas i këtij vendi. Po ju pyes, cila gjykatë do të japi drejtësi zoti kryetar. Ato gjykata që lirojnë kriminelët dhe hajdutët, ende pa u njohur me punonjësit e shërbimit në mjediset e paraburgimit, nuk mund ta bëjnë drejtësinë e kërkuar.
Së dyti. Unë prisja që ju të inkurajoni policinë e shtetit që ndeshet përditë me krimin. Prisja që t’u kërkonit banorëve të Lazaratit të distancoheshin nga këto krime dhe të ndihmojnë policinë për kapjen e tyre. Ju këtë nuk e keni bërë: U kërkoni banorëve të ruajnë qetësinë në këtë moment të vështirë për ta. Por moment i vështirë ishte dhe është për policinë e cila u godit pabesisht. Moment i vështirë është për familjaret e Ibrahim Bashës që dha jetën në Lazarat, për familjaret e dy policëve të tjerë të plagosur. Që të keni një fije besimi, bëjuni thirrje publike gjithë gjyqtarëve dhe ju bashkë me ta, të dilni nga llogoret e kriminelëve, të bashkohen me ligjin dhe ligjzbatuesit.
Letër e nënshkruar,
Dritan Arbana, Sarandë
