Dy ish-zyrtarë të regjimit të Sllobodan Millosheviçit të akuzuar për krime lufte janë lënë të lirë përkohësisht nga Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Ata janë në pritje të gjykimit për krimet e kryera gjatë viteve ’90 në Ballkan.
Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICTY) kanë shfaqur shpresën se Jovica Stanishiç dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviç, që të dy nga 65 vjeç, “do të paraqiten në gjykim”edhe pas vendimit për lirim të përkohshëm. Gjykata me bazë në Hagë, gjatë javës së kaluar e ka refuzuar vendimin mbi pafajësinë e dy zyrtarëve serb të dhënë më herët ndaj tyre.
Ata ishin shpallur të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit në Bosnje dhe Kroaci ndërsa pas vendimit të javës së kaluar, lënda është kthyer në rigjykim. Nga lufta në Bosnjë humbën jetën 100 mijë persona dhe miliona të tjetër u shpërngulën nga vendi i tyre.
Gjyqtarët e apelit në Hagë thanë se gjyqtarët e shkallës së parë në procesin kundër Stanishiq dhe Simatoviq, kanë gabuar në disa pika. Pesë gjyqtarë të apelit kanë vendosur që vendimi të mos ndryshohet, por kanë urdhëruar rigjykim të rastit.
Të dy burrat pritet të merren nga qendra e paraburgimit në Hagë e të dërgohen në aeroport, prej nga do të dërgohen në Beograd dhe do të dorëzohen tek autoritetet serbe. Ata do të duhet të qëndrojnë vetëm në Beograd nën mbikëqyrjen e autoriteteve, teksa e kanë të ndaluar të flasin për mediat dhe të takohen me dëshmitarët. Ata do të ruhen nga policia serbe.
Prokurorët e Hagës kanë kërkuar burgimin të përjetshëm për dy serbët e akuzuar, ndërsa pohojnë se Stanishiç dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviç, ishin pjesë e një grupi të përbashkët kriminal ku bënte pjesë edhe Mollosheviçi dhe udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiç./Dita/
