Zyrtarë të shëndetit publik në Bosnjë thanë se gjatë kësaj jave, dy persona kanë vdekur nga virusi H1N1, i cili njihet edhe si gripi i derrave, dhe gjashtë të tjerë janë shtruar në spital.
Doktor Mahdi Brçaninoviq ka thënë të premten se një grua 62-vjeçare, sistemi imun i së cilës ka qenë i dobësuar paraprakisht nga disa probleme të tjera shëndetësore, ka vdekur në spitalin e Zenicës.
Viktima e parë ndërkaq ishte një grua 32-vjeçare, e cila ka vdekur të martën në Sarajevë.
Gjashtë nga personat që janë shtruar në spital, gjenden në spitalin e Sarajevës, njëri prej tyre thuhet të jetë në gjendje kritike.
Pavarësisht kësaj, shefi i Institutit të Shëndetit Publik në Bosnjë, Zhelko Ler, tha se nuk bëhet fjalë për epidemi të këtij virusi.
