Të mërkurën, më 21 tetor 2015, rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar lëkundje toke në jug dhe juglindje të vendit. Bie në sy se të dy ngjarjet tektonike kanë pasur të njëjtën forcë (3 ballë), por me epiqendra të ndryshme.
Sipas departamentit të sizmologjisë, tërmeti i parë ra në orën 6:23:23 të mëngjesit në rezervatin e Rrëzomës, 4 km në veri të qytetit të Delvinës (koordinatat 40° V, 20.1° L), me epiqendër të cekët: në thellësinë 500 metra. Lëkundjet e tokës janë ndier deri në qytetin e Delvinës dhe në fshatrat përreth.
6 orë më vonë, ora 12:11:58, ka rënë një tjetër tërmet 3 ballë në kufi me Greqinë, buzë lumit të Vjosës, në fshatin Çarshovë të Përmetit në një distancë në vijë ajrore prej 7 km në jug të qytetit kolonjar të Leskovikut (koordinatat 40.08° N, 20.58° E). Epiqendra ishte në thellësi 33 kilometra.
Nuk ka njoftime zyrtare për viktima apo dëme materiale në të dy ngjarjet sizmike.
/Dita / th. m./
