REPORTAZH / Dy Tomorrët e Tomorrit

redaktor

Duke udhëtuar në drejtim të Jugut, pasi lë pas qytetin e Beratit, arrin në Fush-Peshtan dhe, po të kthehesh majtas, një rrugë plotë gropa të çon në dy fshatrat, Tomorr i Madh dhe Tomorr i Vogël, të cilët ndodhen në zemër të Parkut Kombëtar me të njëjtin emër. Para se të gjendesh aty, do kalosh përmes dy fshatrave të tjerë, Rabijak dhe Karkanjoz, gjithsej 10 km rrugë.

Çdo krahinë apo edhe fshat, ka traditat dhe veçoritë e veta, por traditat e dy Tomorrëve, janë pa një të dytë, që nuk i gjen në asnjë vend tjetër në Shqipëri. Por, fatkeqësisht, pak i njohin ato. Jo vetëm traditat e këtyre fshatrave, por edhe vetë fshatrat. Dy Tomorrët, i Madhi dhe i Vogli, shpesh herë ngatërrohen me krahinën e Tomorricës, që është në lindje, ndërsa dy Tomorrët janë në perëndim dhe që në mes të tyre rri malbabai, që u ka dhënë edhe emrat këtyre vendeve. Tomorricarët kanë folur e kanë shkruar me bollëk për krahinën e tyre; tomorrakët, janë më të heshtur dhe më fjalëpakë, gjë që i ka bërë më pak të evidentueshëm, më pak të njohur, aq sa shumë njerëz nuk e dinë se, veç Tomorrit të Madh, ka dhe dy Tomorrë të tjerë.

Por cilat janë traditat e veçanta që thamë më sipër të këtyre dy fshatrave? E para e të parave është puna dhe mjeshtëria në trajtimin e tokës. Këtu për shkak të terrenit malor ka shumë pak tokë. Dhe ajo që është, është në formë tarracash, tarraca jo të bëra në socializëm, siç janë gjetkë, por qindra, ndoshta dhe mijëravjeçare. E dëshmojnë këtë gurët e mëdhenj ciklopikë, muret e lartë sa ato të kalave të lashta, që kanë përballuar brez pas brezi rrebeshe e faktorë të tjerë atmosferikë. Prodhimet, veçanërisht perimet dhe frutat, këtu janë të një cilësie ekstra. Në sasinë dhe cilësinë e tyre ndikon ekspozicioni i të dy fshatrave, ata janë në shpat mali me drejtim nga jugu, nuk i zë as era e as ngrica e veriut. Drithërat, perimet, rrushi, frutat, bulmetrat kanë qenë dhe mbeten bio. Mishi i dy tomorrëve dhe prodhimet e tjera kanë shije të veçantë, kanë aromë mali dhe janë të shëndetshëm. Dikur prodhimet e tomorrakëve i blinin vetëm zengjinët e Beratit. Edhe sot e këtyre ditëve prodhimet shiten e blihen me porosi, përmes një kontrate e besimi reciprok gojor.

Një zakon tjetër që nuk ka ndryshuar, madje edhe në komunizëm, ishte edhe ai i administrimit të fshatit. Pavarësisht se kishte struktura organizimi e drejtimi të kooperativës në fshat, përsëri pleqtë vlerësoheshin si shenjtorë. Ç’thoshin ata behej. Le të kishte sekretar partie, hallet dhe problemet edhe ato që lidheshin me qeveri i hidheshin mbi shpinë kryeplakut. Pyetej ai, pa më pas “zyrtarët”. Në të dy Tomorrët nuk mbahet mend të ketë patur sherre dhe mërira. Ato mbylleshin pa u hapur. Kryepleqtë i shmangnin bukur qejfmbetjet, pasi i njihnin mirë huqet e karakteret e secilit banor.

Se çfarë force kanë patur traditat dhe zakonet në dy Tomorrë po japim një shembull: Nezir Danushi, i vetmi eksponent i Ballit Kombëtar në këtë fshat, kur po përfundonte lufta u arratis nga vendi i vetë dhe gjeti strehim në Angli, ku u rekrutua dhe u përdor si diversant për të rrëzuar pushtetin e Enverit. Sigurimi i Shtetit e dinte se ai vinte shpesh në Shqipëri, por nuk e kapte dot. Po ku strehohej Neziri, kur në atë kohë ishte e vështirë, madje e pamundur të hyje e të dilje, jo të gjeje strehë në Shqipëri? Atë e strehonte fshati! Kush e ka jetuar atë kohë, e di se sa e rrezikshme ishte kjo gjë, por ja në Tomorr kjo ndodhte. Uniteti dhe besa fshatit ishin të një shkalle maksimale. Ata e patën strehuar disa ditë apo javë diku në një shtëpi diversantin, pastaj e patën porositur të kthehej nga kishte ardhur. Të dyja palët patën gjetur këtë ujdi. Më tej nuk shkuan. As tomorrakët që banonin këtu në vendin e vet, as Neziri që banonte në Angli dhe kishte marrë përsipër të kryente detyrat e ngarkuara nuk vrau dhe nuk sabotoi. Një natë fjeti diversanti në Duhanas, në një fshat afër Beratit, dhe pas dy-tri ditëve pasi qe larguar, i zoti i shtëpisë u arrestua dhe u dënua me burg, ndërsa pjesëtarët e familjes përjetuan peripecitë e njohura në ato vite. Ndërsa në Tomorr edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku ai u strehua për javë e muaj të tërë.

p1040033Secili nga Tomorrët kishte kryeplakun e vet, por punët e mëdha dhe buxhaku i djathtë ishin rezervuar për kryeplakun e Tomorrit të Madh, tjetri, në një farë mënyre qe zëvendësi i të madhit. Ky më i madhi, hapte muhabetin, bënte urimet i pari, ngrinte dollinë i pari, mbyllte edhe darkën apo drekën e sebepit.

Vdiq socializmi, u ringjall kapitalizmi. Ca u gëzuan, të tjerë u thartuan. Nisën edhe reformat. Ndër të parat qe reforma e tokës sipas vendimit 7501. Edhe në dy Tomorrët u krijuan nga pushtetarët e kohës komisionet ndarjes së tokës. Por fshatarët nuk pranuan që tokat e tyre të bëheshin thërrime-thërrime, përzunë fshatshe komisionin që kishte marrë edhe bekimin e kuvendit, të partive e të qeverive. Zgjodhën burra të tjerë, gjetën vendet ku qene kufijtë e secilit para viteve dyzet e gjashtë, i rivendosën aty. Çdo familje mori e po gëzon edhe sot e këtyre ditëve djersën që patën derdhur gjyshërit e stërgjyshërit e tyre. Fshatrat s’janë boshatisur, siç ka ndodhur gjetkë në Shqipëri. Ata punojnë e derdhin djersë në tokat e tyre, prodhojnë drithëra, fruta, rrush, veçanërisht perime të një cilësie të lartë që çajnë tregjet. Por nuk kanë rrugë. Një transhe e hapur me traktor që para viteve nëntëdhjetë sa vjen e degradohet. Edhe në këtë gjendje, e kanë mbajtur vet banorët. Një e veçantë e banorëve të këtyre dy fshatrave është se, megjithëse janë të besimit bektashian dhe tyrben e Abas Aliut e kanë mbi kokë, nuk shkojnë e të betohen atje. Ata i besojnë vetes, krahëve dhe zemrës së tyre të gjerë.

Dy Tomorrët janë në qendër të Parkut Kombëtar të Tomorrit janë harruar nga qeveritë e të dy krahëve. Të djathtët thonë: “Si të investojmë, si të mos investojmë në këtë krahinë, xhepat i kemi bosh”. Ndërsa të majtët thonë: “Si t’i hedhim sytë në dy Tomorrët, në Parkun Kombëtar, në fshatrat Karkanjoz, Rabijak, Bogdan 1, Bogdan 2, Dardhë e Qaf- Dardhë, Perisnakë e më tej, xhepat me deputetë, me kryebashkiak, me kryepleq i kemi plot.

Njëzet e ca vite kjo krahinë ka duruar e shpresuar, por durimi po humbet. Edhe tashti në zgjedhjet e fundit u premtua për rrugë. Fshatarët e kësaj ane janë betuar se, në se edhe këtë herë, premtimet do të dalin kallp, qeveritarët të mos ngjiten andej, pasi ka të ngjarë të provojnë të pa provuara. Domate po se po, se janë me shumicë, por edhe gurë. që edhe këta janë më me shumicë!…

Tomorri i Madh, një kala e pa studiuar

Në rrëzë të malit Tomorr, pak më në veri të fshatit Tomorr i Madh, lartësohet një platformë e ngurtë, tepër e përpjetë nga jugperëndimi. Kodra që mban platformën shkëmbore dhe që vendasit e quajnë “Qytet” duhet të jetë vazhdim i malit të Tomorrit, por, si rezultat i një çarjeje të madhe dhe më vonë nga forca gërryese e ujërave është shkëputur nga mali, duke u mbështetur ashtu në pjerrësi të theksuara nga tri anët. Vetëm në anën jugperëndimore një qafë e lidh me kodrën fqinjë. Vet platforma ngrihet si një sferë shkëmbore e thikët mbi kodër me një lartësi pesëdhjetë metra. Platforma ka qenë e banuar që prej kohëve të lashta. Në të çon një rrugë e ngushtë dhe e vështirë nga pendimi, me gjurmë shkallësh të gdhendura që me zi dallohen. Duke iu ngjitur të përpjetës së platformës, në krye të saj, në anën veriore, përpara del një shesh ku ndeshemi me muret e Akropolit. Këto nuk i përkasin vetëm një periudhe. Mbi muret antike prej blloqesh të mëdha guri rreth 1.7 metër të gjatë dhe 0,40 metër të lartë janë mbivënë në një fazë të dytë një mur me gurë të vegjël lidhur me llaç, që i përkasin periudhës bizantine.

TomorriForma e këtij sheshi është ajo e një trapeze të çrregullt. Muret e rrethimit arrijnë në një perimetër 210 metro. Këto bashkojnë katër kulla 4x 8 metro, prej të cilave tri prej të cilave ngrihen mbi shkëmbin natyror. Megjithëse rrënimet nuk janë pastruar nga dora e njeriut, dallohen gjurmët e shumë mureve që bienë kryq e tërthor akropolit. Një vend të rëndësishëm zë këtu stera me një kapacitet 100 000 litra uji. Muret e sterës janë të dyfishta. Të dyja të bashkuara me 45 centimetër njëra tjetrën. Ndryshe nga njëra tjetra vetëm nga llaçi . Muri i brendshëm është ndërtuar me llaç prej pluhuri tulle hrosan, i cili nuk lejon depërtimin e ujit.

Kalaja duhet të jetë ndërtuar vetëm me qëllim mbrojtje, e ngritur në një zonë të thellë malore më një pozicion të mrekullueshëm strategjik. Ajo u ka shërbyer qendrave të tjera të banorëve dhe vet   banorëve të zonës si prapavijë e sigurt. Me këtë mendim është edhe J. Katakuzeni. Ai e quan fortesë të banuar. Kjo kala mbizotëron edhe mbi kala të tjera si Gradishta e Peshtanit, Mbolanit, Vojakut, Gradishtës së Qereshnikut, kalasë së Vokopolës. Që këtej duket edhe kalaja e Beratit, gjë që provon edhe rëndësinë strategjike të kësaj kalaje.

Në Tomorr dhe në disa fshatra rreth e rrotull para pak viteve më parë është ngjitur e dhe Ceka i sotëm. I bënë përshtypje shumë gjëra atëhere, dhe tha se jemi të vonuar për të nxjerr të vërteta më të sakta, por vetëm kaq. Si duket harroi. Kalaja ende ndodhet aty. Ende aty është edhe sheshi i Shën-Pjetërit pak më tej, ne veri të malit, edhe qyteza me themele e murnaja që ende nuk dihet kush e ndërtoi dhe kush e shkretoi, edhe Vromin e Madh që në mijëra vite më parë ka lidhur Beratin me Korçën dhe Selanikun e më tej.

Plaku që “gjunjëzoi” Kryeministrin

Mollaj (kështu e thërrisnin) nuk kishte shkollë, por kishte një zgjuarsi natyrore të admirueshme. Ky njeri, me të cilin kam punuar edhe unë në vitet kur ekzistonin kooperativat, bëri plot miq dhe shokë. Mes shumë të tjerëve edhe kryeministrin Adil Çarçani.

Në ato vite, Tomorrët, por edhe fshatrat e tjerë, Karakanjozi, Bogdani 1 dhe Bogdani 2, Rabijaku e Perisnaka, që përbënin kooperativën, u dalluan në krahasim me ekonomitë e tjera në rreth, madje ia kaluan edhe fushës. Për të përgjithësuar përvojën e kësaj ekonomie, erdhën ministra, sekretarë të Parë të rretheve, shefa të seksioneve të bujqësisë etj. Madje erdhi edhe vetë kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani. Pritja e tij u bë në qendër të kooperativës. Mollaj, që pati folur pak, por pati dëgjuar më shumë, u bë gjallë. Iu lut e iu përgjërua kryeministrit të ngjitej pak minuta gjer sipër në Tomorrin e Madh, ku dukeshin të dy Tomorrët. “Tërë bukuritë e botës ndodhen atje, pa po do të marrim atje edhe uratat e Baba Tomorit”, i tha plaku me një nga ato të hollat e tij Kryeministrit. “Po nuk u ngjitëm do më qortojnë tomorrakët mua, do t’u mbetet qejfi edhe për juve. Rruga vërtet është pak e vështirë, por fare e shkurtër”, mbylli fjalën plaku me një vështrim thikë. Deshi s’deshi, Kryeministri pranoi. “Zis”-i i kooperativës përpara, eskorta me makina të vogla, por të larta, pas, për njëzet minuta u ndodhën aty ku dukeshin si në pëllëmbë të dorës parcelat e dy Tomorrëve. Mali të krijonte përshtypjen sikur piqej e kuvendonte me qiellin. Ç’bukuri e çudi shikon në muajt maj dhe qershor këtu, i besojnë vetëm ata që i kanë parë vetë me sytë e tyre.

Mollaj po shikonte se si do të reagonte Kryeministri. Kishte menduar edhe për një lloje mikpritje të mençur. Aty mbi brezat e gurëve jeshilë, kishte shtruar shilte, të cilat shtrohen në odat e miqve. Katër vajza e gostitën Kryeministrin dhe të tjerë me rehani (lëng rrushi i zier me shije të veçantë). Shishet qenë mbuluar me fier dhe dëborë të marrë nga guvat e malit. Pas bardhakëve me rehani, kryeplaku i tha Kryeministrit se kishte dëgjuar që qeveria, po të dojë, bëhet Perëndi dhe ngre ujët përpjetë. “Të jetë e vërtetë, vallë kjo, që kam dëgjuar”?! – pyeti me shejtanllëk Kryeministrin plaku. Kryeministri buzëqeshi dhe la të kuptojë se e mori vesh ku donte të dilte plaku. “Partia nën udhëheqjen e shokut Enver kanë bërë e po bëjnë mrekullira për popullin tonë”, tha Kryeministri. “Po le të bëjnë edhe këtë, shpejtoi plaku, këta tre-katër gur mulliri me ujë që po shikon që po derdhet kot në përrua, të na e ngjisni lartë të vadisim tokat e mbjella në të dy shpatet.

Brenda një muaji u porosit një elektropompë e fuqishme në Bullgari. Kjo elektropompë si dhe kanalet që u ndërtuan në ato vite janë edhe sot aty dhe vadisin tokat e dy Tomorrëve. Banorët e këtyre fshatrave sa herë shohin bimët, lulet dhe frytet e harlisura nga uji i bollshëm, kujtojnë me mirënjohje plakun e urtë të atyre viteve që “i bëri me derman”.

Share This Article
7 Comments
  • Rehania nuk eshte leng rrushi i zjere me shije te vecante.
    Rehania eshte koncentrat i lenget i mushtit te rrushit te zjere me vapem (lloj dheu i bardhe)
    Rehania ruhet si nje leng i trashe dhe serviret duke u holluar me uje te ftohte, hera heres rehanija e servirur perdoret edhe per te shtyre ushqimet e forta si byreket e llojeve te ndryshme apo lakroret e ndryshem. Shija e saj eshte majhoshe. Majhoshe do te thote se ka shije midis se thartes dhe se embles, etj etj ejtj!
    Artikulli juaj eshte vertet interesant si per bukurine natyrore edhe ate shpirterore te njerzve te atyre aneve.

      • Pekmezi eshte nje tjeter koncentrat shume me i lengshems se rehania.,
        Ai ka shije te embel dhe gjyshet tona e perdornin si embelsues ne shume lloje embelsirash. Pekmezi sherbehej me arra te qeruara ose kacka, Buken na e lyenin me pekmez kur ishim te vegjel, e merrnim ne dore dhe nenat na porositnin qe te mos na rridhte pekmezi. Pekmezi sherbehej edhe si embelsire me vehte krahas recelnave te tjere. Perdorej per te bere hallve edhe me mjell gruri edhe me miell misri. Hallva me pekmez dhe miell gruri ishte kafe me e erret sesa hallva me mjell misri. Kjo e misrit kishte njyre me te bukur te ngjajshme me ngjyren e arit. Qe te mos e zgjasim, ne fshatin tone ne i benim “operat me pekmez”, Jasht shkase, nuk pretendoj te jem ndonje specialist por embelsirat natyrore te fshatit jane dhjetera here me te shendetshme sesa ato me embelsues kimike apo me sheqerin e kallamit a te panxharit.. Pekmezin nga thana e perdornim si ilac per te semure. Po nga thanat benim edhe raki shume te mire sidomos per te luftuar azmen. etj etj.

  • Nuk i shkon sajesa;prodhim bio;.cilesi extra, shpateve te Tomorrit.Fshataret le t`i dine keto fjale ,por te mos i perdorin vend e pa vend.Le ti perdorin tregtaret per trangujt dhe domatet e Lushnjes.

  • O komunist i rregjur (Antishqup)! Me pekmez e rehani qenke rritur! Na ka marre malliPo salepin e keni perdorur ne fshatin tuaj? Sidomos ate qe perdorej me mjalte, apo nuk kishit blete ju! Nje pyetje tjeter kisha: si e shpjegon ti qe ato tomorraket i ngjajne shume grave ukrahinase? Te gjithe Beratsit ne Europe, kur shkojne tek ukrahinaset apo ruset thone “hajde dalim nga ato tomorraket!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *